Eko Higjiena

Dyshimi, Kosova vendos t’i bëjë analizën e ADN-së Isa Boletinit

/ 6 minuta lexim

Prishtinë- Eshtrat e Isa Boletinit, janë çuar në Londër për t’iu bërë analizën e ADN-së. Lajmi bëhet publik nga gazeta “Koha ditore” në Prishtinë. “Vitin e kaluar Komuna e Mitrovicës kishte dështuar të mbante premtimin që një ceremoni solemne për rivarrimin e tyre të organizohej më 28 nëntor.

Tashti është planifikuar që kjo të organizohet këtë vit përderisa mbetjeve mortore po u bëhen analiza të ADN-së në një institut londinez”, shkruante ajo në kuadër të një artikulli ku nipi i heroit rrëfen udhëtimin e tij në Podgoricë, në vendin ku Isai dha jetën. Më herët, nipi i Isa Boletinit, Gazmendi, është shprehur për Radio Dukagjinin se “kur në vitin 1998 po përgatitej bartja e eshtrave të Isa Boletinit (nga Mali i Zi drejt Kosovës), “ato fillimisht u lanë me kemikalie për të mos kundërmuar gjatë kalimit të kufirit me Malin e Zi, prej nga do të hynin fshehurazi në Kosovë”. Por, sipas Gazmendit, ishin pikërisht këto kemikalie që ndikuan në mospasjen mundësi të identifikimit të eshtrave përmes analizës së ADN-së që bëhet në Kosovë.

A ka dyshime se eshtrat që janë identifikuar si të heroit Isa Boletini të mos jenë të tijat? Kjo mbetet ende e paqartë, por kërkesa për tu bërë atyre analizën e ADN-së, i shton më shumë këto dyshime. Për më tepër, kur eshtrat janë zhvarrosur, në varrin që pretendohej se gjendej Isai, shkruhet vetëm “Boletinac”. Emri mungonte për shkak të gurit të thyer.

VARRI

“Koha ditore”, shkruan se në vizitën që ka bërë në Podgoricë nipi i Isa Boletinit, Gazmendi, ai është shoqëruar drejt vendit ku kishin qenë të varrosur trimat kosovarë dhe komandanti i tyre, gjyshi i tij. Ai vend, dikur në Titograd sot Podgoricë, tashmë është shndërruar në park. Aty nuk ka asnjë shenjë që dëshmon se për vite me radhë ka qenë vendi ku janë prehur eshtrat e heroit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Hoxha Idriz Demiri nga Podgorica ka treguar se në vendin që sot është park, dikur kanë qenë varrezat e myslimanëve në Podgoricë, ku gjithashtu ishte varrosur edhe heroi. “Ishte një vendim i drejtuesve të Podgoricës që ai vend të shndërrohej në park dhe kjo edhe ndodhi. Ndërkohë, ne bëmë krejt çka mundëm në atë situatë për të mundësuar zhvarrimin e eshtrave të Boletinit”, ka thënë ai. Mulla Demiri, i cili kishte qenë kryetar i Bashkësisë Islame në Podgoricë, përkujton se në vitin 1998, Muhamet Shukriu e Remzi Murati kishin shkuar nga Kosova dhe me ndihmën e tij kishin marrë eshtrat e trimit shaljan. “Për të identifikuar varrin e Isait na ka ndihmuar plaku Ahmet Jonuzi, i cili e kishte mbajtur mend vendin. Në bazë të orientimeve të tij kemi gjetur një gur varri ku kishte mbetur vetëm mbishkrimi ‘Boletinac’, por jo edhe emri, meqë guri ishte thyer”, ka thënë Demiri. Familjarët e Isa Boletinit të shoqëruar nga imami Demiri kanë vizituar edhe vendin ku ishte organizuar prita për trimat kosovarë, në afërsi të lumit Ribnica.

Hidromorava

VIZITA

Nipi i Isa Boletinit, Xhaviti, dhe djali i tij Gazmendi, të shoqëruar nga shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Mitrovicës, Ahmet Jashari, kanë vizituar vendin e rënies së heroit në Podgoricë të Malit të Zi. Pikë ndalese ka qenë vendi ku në janar të 1916-s ishte varrosur Isa Boletini së bashku me bashkëluftëtarët e tij, të cilët ishin vrarë pabesisht. E gjithë vizita është realizuar në shoqëri të hoxhës Idriz Demiri nga Podgorica, i cili ishte përkujdesur për zhvarrimin e eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Ai së bashku me të birin e tij i ka pritur familjarët e Isait në hyrje të kryeqytetit malazias për t’u shtruar më pas një drekë në shtëpinë e tij. Hoxha Idriz Demiri është shprehur tepër i prekur nga vizita. Ai nuk ka mundur të fshihte gëzimin për asnjë çast që po takohej dhe kishte mysafirë në shtëpinë e tij familjarët e heroit të Pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletini. Hoxha tregoi se ura e vjetër ku ishte organizuar prita nga malazezët nuk ekziston më. Në afërsi ishte një objekt i vjetër që i kishte takuar ushtrisë, ku duhej të ishte edhe vendi prej ku krerët e ushtrisë malaziase të asaj kohe e kishin shikuar gjithë ngjarjen, siç kishte rrëfyer më vonë nipi i Isës, Tafil Boletini, i cili kishte shpëtuar. Familjarët e Isës ishin tepër të emocionuar gjatë gjithë vizitës. Për ta ishte një moment prekës, por edhe historik. Xhaviti ka thënë se është hera e parë që sheh dhe prek ato vende ku gjyshi i tij, Isa Boletini, kishte jetuar ditët e fundit për të rënë më pas heroikisht pa i lëshuar armët nga dora. Ai falënderoi hoxhën për kujdesin dhe mikpritjen tipike shqiptare, tek i shprehu përnjohje për kujdesin ndaj eshtrave të gjyshit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

ESHTRAT

Mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, në korrik të vitit të kaluar iu dorëzuan Komunës së Mitrovicës. Ato ia dorëzoi imami i kësaj komune, Mulla Asllan Murati, i cili 13 vjet pas rivarrimit nga Podgorica i ruajti në një vend të fshehur. Me rastin e dorëzimit për herë të parë kishte bërë të ditur vendin se ku i kishte fshehur dhe ruajtur ato. Ai kishte zbuluar se eshtrat ishin varrosur asokohe në oborrin e xhamisë së Haxhi Veselit në Mitrovicë. Pas luftës i kishte rivarrosur në oborrin e shtëpisë së tij. Kthimin e eshtrave të heroit kombëtar dhe bashkëluftëtarëve të tij më 1998 e kishin iniciuar akademik Pajazit Nushi, ndërkohë që kontribut të çmuar kishin dhënë ish-presidenti Ibrahim Rugova, Latif Berisha, Muhamet Shukriu, Remzi Murati dhe Fetah Hasani.