Hidromorava

Dy vjet nga zgjedhjet, mbi një vit përpjekje për ta rrëzuar Qeverinë

/ 2 minuta lexim

Janë bërë dy vjet prejse janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, përderisa në shtator bëhen po aq vite prejse është votuar qeveria “Haradinaj” në Kuvend. Qeveria “Haradinaj” prej fillimit të mandatit është ballafaquar me mungesë të votave në Kuvend dhe për këtë shkak opozita vazhdimisht ka tentuar ta rrëzojë atë nëpërmjet mocionit të votëbesimit, por që nuk ia ka arritur qëllimit deri më tani, shkruan gazeta “Zëri”.

Një iniciativë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” përfaqësuesit e opozitës e kishin përmendur pas 100-ditëshit të parë të ekzekutivit, përderisa para disa javëve përsëri janë bashkuar për ta rrëzuar kryeministrin Ramush Haradinaj.

Eco Higjiena

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë për gazetën “Zëri” se qeverisja për dy vjet me radhë tregon më së miri se sa kanë qenë serioze kërkesat e opozitës për zgjedhje të reja të parakohshme. Megjithatë, sipas saj, edhe nëse ndodhin zgjedhjet partia e saj është e gatshme të ballafaqohet me subjektet tjera politike.

“Për vetë faktin se po bëhen dy vjet qeverisjeje tregon sa kanë qenë serioze thirrjet e opozitës. Është krejt demokratike të kërkohet rrëzimi i Qeverisë, mirëpo ne jemi shumë të vendosur të vazhdojmë me punë. Kosova ka shumë çështje, të cilat duhet të diskutohen dhe shumë sektorë në të cilët duhet të punohet. Ne jemi duke punuar dhe fare nuk po merremi me këto iniciativa, por kurëdo që të ndodhin asnjë subjekt politik nuk është më i gatshëm se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhje”, ka thënë Haxhiu.