RCCOLA

Dy studentë kosovarë në Jena

/ 5 minuta lexim

Vjosa Bilalli është një ndër kandidatët më të rinj në studimet e nivelit të doktoraturës ndërsa Alban Smajli sdudion degën “Fotografi dhe Studime Filmike”, si dhe “Shkencat politike për Europën Juglindore”.

Jena, qyteti me rreth 100.000 banorë në Lindje të Gjermanisë me plot gojën mund të quhet qyteti i studentëve: një në katër banorë është këtu student. Edhe përshtypja e parë që fiton me të mbërritur në Jena ta konfirmon këtë. Kudo ndjen vrullin e rinisë studentore në qytet. Universiteti Friedrich Schiller qysh me aplikimin e programeve studimore të nivelit Master dhe Bachelor është mjaft tërheqës për studentët jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga vende të tjera evropiane. Mbi 6% e studentëve në këtë universitet vijnë nga jashtë Gjermanisë. Pikërisht këtu studiojnë edhe Vjosa Bilalli dhe Alban Smajli nga Kosova, shkruan Deutsche Welle.

Qëllimi që i kanë vënë ata vetes është jo vetëm mbyllja me sukses e studimeve, por edhe integrimi në shoqërinë gjermane përmes aktiviteteve të shumta si në kuadër të universitetit ashtu edhe jashtë tij, shkruan DW. Ndonëse për ta integrimi në shoqërinë gjermane ka qenë relativisht i lehtë, sfida ka qenë suksesi që ata kanë arritur në fushat ku studiojnë si dhe në aktivitetet jashtë studimeve. Por sfidë është edhe malli dhe largësia nga familja, thonë ata njëzëri.

Vjosa Bilalli një vajzë e lindur në Prishtinë, e cila për një kohë të shkurtër jetoi në Gjermani, tani është një ndër kandidatët më të rinj në studimet e nivelit të doktoraturës. Në vitin 2004 Vjosa vendosi të studiojë paralelisht degën e gjermanistikës dhe të ekonomisë në Universitetin e Prishtinës. Pavarësisht vështirësive financiare për përballimin e kostove të studimit si dhe kushteve jo të mira me të cilat përballen studentët në Kosovë, Vjosa ia doli që pas pesë vitesh të fitojë të drejtën e një burse nga DAAD (Shërbimi Gjerman i Shkëmbimeve Akademike).

Vullneti për studime, përcaktues për sukses

“Shpreh mirënjohjen time për DAAD, e cila më ka mudësuar për herë të parë të kuptoj se çdo të thotë të jesh vërtet student. Këtu e kuptova se ç`do të thotë të hysh në një botë të pasur librash dhe mbi të gjitha për mua ka qenë ndihma nga profesorët”. Vjosa përveç se pati fatin të realizojë një praktikë pesëmujorëshe në parlamentin gjerman, pas mbarimit të studimeve mastër në degën “Historia dhe Politika e shekullit të 20-të” në Gjermani”, në moshën 24 vjeçare fitoi bursën dhe të drejtën për vazhdimin e studimeve për doktoraturë në Universitetin e Jenës. Tema e punimit të doktoraturës është “Eksperienca e shqiptarëve gjatë periudhës së komunizmit – kujtimet dhe gjurmët”.

Eco Higjiena

Kushtet e studimit janë jashtëzakonisht të mira, thotë Vjosa duke shtuar: “Me rëndësi është që të kesh vullnet për punë dhe për mësim, pastaj gjithçkaje tjetër këtu ia del lehtë”. Aktualisht Vjosa është e angazhuar edhe si asistente në Universitetin e Jenës dhe jep lëndën e gjuhës shqipe për studentët, që duan ta përvetësojnë atë.

Ndërsa Alban Smajli, i cili studion në degën “Fotografi dhe Studime Filmike”, si dhe “Shkencat politike për Europën Juglindore”, të nivelit Bachelor është po ashtu i lindur në Prishtinë dhe jeton prej vitesh me familjën e tij këtu në Gjermani. Ai gjatë studimeve ka realizuar praktika nëpër studio të disa fotografëve të famshëm, siç është Fadil Berisha, Matthu Placek, etj. Ai shpesh herë realizon edhe sete fotografike të modeleve me famë botërore, që po i hapin atij edhe rrugën drejt suksesit. Por “vullneti, përcakton suksesin”, shprehet Albani. Ai është i angazhuar tani si fotograf pranë revistës së njohur të modës “Vogue Italy” dhe “Harpers Bazaar”. Gjithashtu, nëpër web faqet e internetit ai ka lançuar edhe një revistë mode të vetën. Me menaxhimin e kësaj reviste merret kolegja e tij Vjosa. Në bashkëpunim me shumë stilistë të tjerë ata po përgatisin edicionin e tetë të revistës së tyre: “Le Mile”.

Angazhim social

“We are Safe”- kështu quhet organizata humanitare, të cilën e themeluan Vjosa dhe Albani. Përmes kësaj ata synojnë që krahas studimeve t’u ofrojnë studentëve shqiptarë mbështetje për t’u ingranuar më lehtë në Universitetin e Jenës. Organizata e tyre ofron shërbim përkthimi dokumentash si dhe udhëzime për studentët lidhur me të gjitha procedurat universitare.

Si studentja më e dalluar në Universitetin e Jenës, Vjosa u shperblye për punën e saj vitin e kaluar nga Universiteti. Këtë shpërblim nga çmimi i akorduar ajo vendosi që gjatë dy muajve të sezonit veror sa ishte në Kosovë ta përdorë për të furnizuar rreth 30 familje të varfëra me artikuj ushqimorë, madje ajo mobilizoi edhe disa qytetarë të tjerë nga diaspora për t’u ardhur në ndihmë familjeve të tilla./albinfo/