Dy shtete, një ekonomi

/ 6 minuta lexim

Nga Ibrahim Rexhepi – Krijimi i tregut të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk qëndron vetëm në vullnetin politik të dy qeverive, por edhe në gatishmërinë e bizneseve dhe të konsumatorëve që të “blejnë shqip”.

Një shekull shtet – një moment që dëshmoi qartë se banorët e të dyja shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, janë së bashku kur duan të kremtojnë zhurmshëm dhe përbrenda një organizimi që nuk është shumë larg nga kaosi. Këtu të gjithë jemi vëllezër – një gjuhë, një gjak, një flamur, një komb. Janë këto momente kur harrojmë se e nesërmja do të lindë me problemet e vjetra dhe me ndryshimet e mëdha që kanë të dyja shtetet. Të nesërmen bashkimi kombëtar, apo formimi i një shteti të përbashkët, mbetet dëshirë, të cilën liderët e shteteve, përkatësisht politikanët e përdorin për nevoja elektorale.

Kjo flet qartë se për bashkim nuk është bërë ndonjë hap i dukshëm dhe konkret. Ka vetëm deklarata plot emocione dhe folklorizëm.

Sado që kjo formë e veprimit duket si një humbje kohe, megjithatë bashkimi nuk mund të ndodhë përmes vendimeve me vulë zyrtare, përmes referendumeve të organizuara nga entuziastët, apo përmes shembjes simbolike të gurëve që shënojnë mezhdën e shteteve. Bashkimi real ndodh vetëm kur tejkalohen të gjitha kundërthëniet, ndasitë, si edhe lakmitë, të cilat deri më tash ishin të dëmshme për këtë proces.

Ndonëse me rastin e themelit të shtetit të Kosovës është shkruar qartë se nuk do të ketë ndrysim kufijsh, ndërsa politika në të dyja anët e kufirit premton se bashkimi do të ndodhë në Bruksel, ka mbetur një hapësirë e madhe e pashfrytëzuar, e cila do të përafronte të dyja vendet. Kjo është ekonomia. Me një fjalë, krijimi i një ekonomie të shtrirë në dy shtete. Model, i njohur në shumë pjesë të botës, që funksionon edhe në Evropë. Këtë mënyrë të ndërtimit të raporteve e kanë zgjedhur vendet e Beneluksit, apo ato skandinave. Nëse qëllimi është diçka tjetër, përkatësisht një mënyrë tjetër e bashkimit, së paku mund të jetë hapi i parë. Mbi baza të interesave sektoriale kanë filluar edhe unionet e mëdha, që me kalimin kohës u bënë faktor të rëndësishëm në proceset globale, si Bashkimi Evropian.

Fundamenti

Mirëpo, pikërisht në ekonomi diçka nuk shkon mirë. Treguesit makroenomikë dëshmojnë varfërinë e madhe në të dyja vendet, varshmërinë e madhe nga importi, jostabilitetin e brendshëm, i cili ka ndikim të rëndësishëm për vëllimin dhe strukturën e investimeve. Po ashtu, kur flitet për relacionet ekonomike Kosovë – Shqipëri, për fat të keq, nuk ka një shembull që mund të jetë model mbi të cilin biznesi mund të ndërtojë ardhmërinë e përbashkët. Janë rreth 33 dokumente që janë nënshkruar ndërmjet dy vendeve, por shumica e tyre datojnë që nga koha e UNMIK-ut. Madje, edhe Marrëveshja për heqjen e tatimit të dyfishtë. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sikur kanë harruar se këto dokumente tash duhet të kenë një dukje dhe përmbajtje tjetër, meqenëse edhe rrethanat janë krejtësisht tjera, krahasuar me ato të administrimit ndërkombëtar. Sado që në rrafshin juridik marrëveshjet e tilla nënkuptojnë ekzistimin e dy subjekteve të pavarura, megjithatë, ato mund të nxisin proceset që çojnë kah bashkimi. Ta zëmë, që përmes tyre të eliminohet mundësia e përplasjes për patate, apo për çimento.

Statistika në këtë rast është mjaft zhgënjyese. Ajo tregton qartë se sa larg qëndrojnë ekonomitë e të dyja vendeve. Që nga viti 2000 e deri në fund të qershorit të vitit 2012, eksportet e Kosovës në Shqipëri ishin 136 milionë euro, ndërsa importet afër 370 milionë euro. Do të thotë se ka ndodhur një shkëmbim tregtar rreth 500 milionë eurosh, që është pak më i lartë se importi njëvjeçar nga Serbia (së bashku me kontrabandën). Struktura e këtij shkëmbimi nuk ka ndonjë risi- dominon hekuri dhe çimentoja. Për habi, pjesëmarrja e ushqimeve është tejet e vogël, ndonëse të dyja vendet kanë potenciale që pikërisht me produkte bujqësore e blegtorale të dominojnë në rajon.

Fakt tjetër dëshpërues është numri i bizneseve. Kosovarët në Shqipëri kanë themeluar 383 biznese, apo ata kanë vetëm 0,3 për qind të totalit të bizneseve në këtë shtet. Në këtë numër – 180 janë biznese private, ndërsa 156 evidentohen aktive, por nuk kanë raportuar për vëllimin e qarkullimit që bëjnë. Në Kosovë ekzistojnë 502 subjekte ekonomike të ardhura nga Shqipëria, ose 0,5 për qind nga totali. Mirëpo, dhjetë kompani, në mesin e të cilave një bankë dhe katër kompani të sigurimeve, kanë 98,2 për qind të kapitalit dhe 22,7 për qind të të punësuarve. Krejt kjo nuk identifikon strukturën e pavolitshme, meqenëse janë 140 subjekte tregtare dhe 11 të tjera që për veprimtari kanë lojërat e fatit dhe bixhozin. Këto të dhëna dëshmojnë se ka pak kompani prodhuese dhe me synim afatgjatë në treg. Njëkohësisht mungojnë investimet e përbashkëta; përderisa Shqipëria me 80,7 milionë euro merr pjesë 4,3 për qind në IHD-të në Kosovë, kosovarët nuk kanë investuar asnjë cent në Shqipëri. Së paku kështu flasin të dhënat zyrtare, ndonëse supozohet se ata kanë bërë investime të mëdha në patundshmëri.

Kur analizohen rrethanat në 12 vjetët e fundit, ndoshta nuk duhet të befasohemi nga vëllimi i ulët i aktiviteteve ekonomike ndërmjet të dyjave vendeve. Së pari, për shumë kohë ka pasur vështirësi edhe për qarkullimin fizik, dhe, vetëm pas ndërtimit të autostradës së kombit, janë krijuar kushte për intensifikimin këtij bashkëpunimi. Pastaj, të dy qeveritë, duke proklamuar tregun lirë dhe të konkurrencës së hapur, nuk janë përkujdesur që ky treg të ketë rregullatorë të qëndrueshëm dhe të pavarur, si edhe mekanizma rregullues që minimizojnë ndikimin e konkurrencës së pandershme dhe të informalitetit. Fatkeqësisht këtu janë dështimet më të mëdha, meqenëse për interesa të ngushta favorizohen monopolet që qëndrojnë afër qeverive, të cilat nuk e kanë për synim formulën “dy shtete një ekonomi”. Njëkohësisht, ka plot fakte që tregojnë se numri më i madh i bizneseve në të dyja vendet ekzistojnë falë evazionit. Në këso situatash mungon interesi që ekonomitë e të dyja vendeve të përafrohen edhe më shumë, meqenëse këtu nuk ka pengesa që mund të imponojnë qendrat ndërkombëtare të vendosjes.