Dy qytetarë vitias 18 vite në kërkim të drejtësisë, akuzojnë gjykatat për vonesa, lëshime dhe manipulime pronësore
Viti – Dy qytetarë nga Komuna e Vitisë, Hysen Hasimi dhe Adem Halabaku, thonë se prej më shumë se 18 vitesh po përballen me një proces të stërzgjatur gjyqësor për disa prona të cilat, sipas tyre, janë manipuluar fillimisht nga ish-pronarë serbë dhe më pas nga persona të tjerë në bashkëpunim me zyrtarë të gjykatave lokale. Ata deklarojnë se, ndonëse kanë fituar disa herë kontestet, çështja vazhdon të zvarritet dhe “odisejada e keqtrajtimit nuk po merr fund”. Sipas tyre, problemet kanë nisur kur disa prona, të cilat ata i konsiderojnë si të trashëguara dhe të ligjshme, kanë kaluar në emër të palëve të tjera përmes dokumenteve të dyshuara si të falsifikuara.
Katër qytetarë nga Pozherani i Vitisë, Adem Halabaku, Hysen Hasimi, Ibrahim Halabaku dhe Naser Hasimi thonë se prej 18 vitesh, që nga viti 2007, janë të përfshirë në një proces të gjatë gjyqësor lidhur me disa prona publike të Administratës Kosovare të Privatizimit (AKP), të cilat ata i kanë konsideruar si prona private. Bëhet fjalë për parcelat me numra kadastralë 824-0, 825-1, 816-7 dhe 817-1, në zonën kadastrale Pozheran.
Sipas palëve ankues, Gjykata Themelore në Viti i ka njohur këto prona publike një personi privat, Samet Rexhepi nga Pozherani, vendim i cili është kundërshtuar në Gjykatën e Apelit. Rasti është kthyer për rigjykim tre herë, por pavarësisht kësaj, pronat siç pretendojnë palët, janë shitur disa herë nga persona të paautorizuar, ndonëse procedura gjyqësore vazhdon ende.
Ata pohojnë se Gjykata Themelore në Viti, edhe pas kthimit të lëndës nga Apeli në pikën zero, nuk ka njoftuar Kadastrin për anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe as nuk ka vendosur masa sigurie, pavarësisht kërkesave të tyre.
Në ndërkohë, në Zyrën Kadastrale të Vitisë, sipas tyre, kanë dorëzuar vendimin e Apelit, por janë njoftuar se zyrtarisht nuk kanë pranuar asnjë shkresë nga gjykata. Ata thonë se edhe kërkesat e tyre të përsëritura për të marrë historikun e parcelave janë refuzuar me arsyetimin se dokumentet mund të lëshohen vetëm me kërkesë zyrtare të gjykatës, megjithëse ata janë palë në proces.
Palët theksojnë se moszgjidhja e kësaj çështjeje pronësore ka agravuar tensionet në fshat, duke shkaktuar përleshje mes tre familjeve.
Ata paralajmërojnë se do të dërgojnë gjithë dokumentacionin që dëshmon zhvillimin e procedurave gjyqësore deri më tani.
Akuzat ndaj Gjykatës së Vitisë
Hasimi dhe Halabaku fajësojnë Gjykatën Themelore në Viti, përkatësisht drejtuesin e saj të atëhershëm, Raif Fazliu, për zvarritje, lëshime dhe dyshime për korrupsion.
“Dy herë është prishur vendimi. Ka falsifikime dhe shumë parregullsi. Ne dyshojmë se dikush këtu është korruptuar,” thotë Hasimi.
Ata shtojnë se, pavarësisht kthimit të lëndës nga Apeli, nuk janë thirrur në seanca dhe nuk janë informuar zyrtarisht për veprimet e gjykatës.
Gjendja shëndetësore dhe mosha – barrë shtesë për palët
Hasimi, i cili vuan nga diabeti dhe ecën me ndihmën e shkopinjve, dhe Halabaku, tashmë në moshë të shtyrë, thonë se lodhja fizike e shpirtërore është bërë e pashpjegueshme.
“Jemi lodhur duke bredhur dyerve të gjykatave. Ende nuk ka një vendim përfundimtar,” shprehen ata.
Pretendimet për shitje të dyfishta dhe dokumente të pavlefshme
Në qendër të kontestit janë disa parcela të cilat, sipas tyre, janë shitur disa herë nga pronarë serbë dhe më pas nga persona të tjerë, përfshirë edhe një shtetas shqiptar me qëndrim në Zvicër, i cili – sipas tyre – nuk posedon asnjë dokument valid të pronësisë.
Hasimi dhe Halabaku thonë se pronarët serbë – Stana Vojisllav, Millutin Gjorgjeviq dhe Dara Kociq, nuk kanë dokumente të ligjshme, madje i cilësojnë si uzurpatorë të pronës komunale.
“Nuk e kuptojmë si ka mundësi që gjykata ua ka njohur tokën, kur ata nuk kanë dokumente valide. Diku është bërë korrupsion”, thotë Hasimi.
Përleshje dhe tensione mes familjeve
Halabaku tregon se për të njëjtën tokë është përballur edhe me dhunë fizike:
“Dy-tri herë jam rrahur nga pala tjetër. Pronarët serbë jetojnë në Serbi dhe na lanë problemin këtu,” shprehet ai.
Sipas tyre, mungesa e një ndërhyrjeje të shpejtë të institucioneve të drejtësisë ka krijuar tensione të vazhdueshme ndërmjet familjeve shqiptare të përfshira në rast.
Paditë e reja dhe kërkesa për përsëritje të procedurës
Dy qytetarët tashmë kanë ushtruar padi ndaj Vojisllavit, Gjorgjeviqit dhe Kociqit, duke pretenduar se u është cënuar e drejta për të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor, edhe pse ishin palë ndërgjyqësore.
Në padinë e tyre thuhet: “Vendimi i Gjykatës së Vitisë është bazuar në deklarata dhe dokumente të falsifikuara. Kërkojmë përsëritje të procedurës kontestimore.”
Halabaku dhe Hasimi paralajmërojnë se rasti mund të dërgohet edhe në EULEX, pasi, sipas tyre, ka dyshime serioze për falsifikim dhe kontrabandim dokumentesh./rajonipress/


