Uji Dea

Dy motra nga Kosova, asistente në Fakultetin Juridik, në Vjenë

/ 6 minuta lexim

Ato kanë lindur dhe rritur në Austri. Të dy motrat, Doruntina e Donika Berisha, tashmë punojnë në të njëjtin profesion. Që të dyja janë asistente në Fakultetin e Juridikut, në Vjenë

Sunday, 3 October 2021 – 14:40Rozafë Rexhepaj
Doruntina është studente e Juridikut dhe e Fizikës në Universitetin e Vjenës. Ishte në fakt kjo njëra nga arsyet që ajo u përzgjodh për ta zënë pozitën e asistentes në Fakultetin Juridik, ku do t`i udhëhiqte ligjëratat online me qindra studentë.

Drejtimet që ajo ka zgjedhur për të ardhmen e saj, e kanë bërë të veçohet nga aplikuesit e tjerë.

Roli i Doruntinës si asistente në Fakultetin Juridik

Të gjitha provimet që po mbahen online janë të përbëra nga pyetjet që formulohen nga ekipi i Doruntinës. Ajo tregon se detyra e saj edhe para situatës së pandemisë ka qenë të përditësojë materialin mësimor dhe të formulojë pyetjet për provim.

“Kam aplikuar si çdo student tjetër. Kishte rreth 50 studentë që aplikuan në atë kohë. Një ditë më vonë mora një ftesë për intervistë. Ishte ditëlindja e Donikës (e motrës së saj). Isha shumë e lumtur dhe i vetmi person në familje që i tregova për ftesën ishte Donika… Nga viti 2017-2019 kam organizuar dhe udhëhequr dy ligjërata. Kryesisht azhurnoja materialin mësimor dhe shkruaja pyetjet për provimet. Unë dhe ekipi im jemi tani përgjegjës për provimet online të Fakultetit Juridik së bashku me Donikën për të gjithë profesorët. Përveç kësaj, unë organizoj “Legal Tech Start Up Day” dhe ndihmoj me podcastin tonë `Ars Boni`”, sqaron Doruntina për albinfo.at.

Doruntina Berisha
Fituese e çmimit “European Women of Legal Tech 2020 Award”

Gjatë pandemisë në vitin 2020, Doruntina kishte udhëhequr një projekt për zhvillimin mësimor në formë digjitale në Universitetin e Vjenës. Ajo ka krijuar platformën “Survival Guide”, e cila fillimisht u përdor nga profesorët e Fakultetit Juridik në Vjenë, kurse më vonë edhe nga profesorë të universiteteve të tjera në Austri. Platforma u mundësonte atyre që brenda 24 orëve të kenë qasje në mësim online. Për arritjen e këtij suksesi të Doruntinës, për herë të parë pati shkruar edhe albinfo.at.

“Ky çmim evropian është shumë i rëndësishëm për mua, meqë puna ime është vlerësuar dhe kjo më motivon të punoj më shumë në të ardhmen. Jam e lumtur që kam arritur të kontribuoj gjatë pandemisë. Në garë kanë marrë pjesë 179 femra, nga 27 vende të ndryshme të Evropës dhe ishin të ndara në pesë kategori. Unë fitova në kategorinë “Akademi & Edukim”. Rektori i Universitetit të Vjenës pastaj më dërgoi mua dhe ekipit tim një e-mail falënderimi dhe na dha Çmimin “Corona” për kontributin tonë për Fakultetin gjatë pandemisë”, shprehet ajo.

Të punosh në një ekip me motrën

Edhe Donika është studente e drejtësisë në Universitetin e Vjenës, kurse tashmë po punon bashkë me Doruntinën si asistente. Përgjegjësi e saj në Fakultetin Juridik është që të bëjë aktualizimin e përmbajtjes së ligjëratave dhe të formulojë pyetjet e provimeve.

Por, sigurisht se kur merr një pozitë të re, e sidomos kur do të punosh në një periudhë pandemie, do të përballesh edhe me sfida. Kurse, punën me të motrën, Donika e quan interesante.

“Na kanë pritur shumë sfida në mësimdhënie. Të gjitha provimet me shkrim duhej të kryheshin online, që ishte sfidë edhe për vetë profesorët dhe dekanin. Duhej gjetur një zgjidhje se si të zhvillohen provimet me shkrim online me një numër pjesëmarrësish prej rreth 500 deri 1000 studentësh në çdo provim . Në këtë proces, u krijua një “Buddy-Team”, i asistentëve që kishin përgjegjësinë kryesore për ekzekutimin teknik të provimeve kryesore. Unë dhe Doruntina ishim pjesë e ekipit. Ishte një përvojë interesante për të punuar së bashku si motra në të njëjtin ekip. Së bashku me kolegët tanë dhe te gjithë profesorët, u përpoqëm të bëjmë më të mirën prej situatës dhe t’i kryejmë provimet online”, thotë ajo për albinfo.at.

UBT

Donika Berisha
Dashuria dhe malli për Kosovën e Shqipërinë

“Kosova është pjesë e identitetit tonë”. Kështu shprehen të dy motrat kur kujtojnë kohën që kalonin në Kosovë si fëmijë. Doruntina thotë se para periudhës së Covidit, e kanë vizituar Kosovën dhe Shqipërinë të paktën dy herë brenda vitit, shkruan albinfo.at.

“Para pandemisë kemi vizituar Kosovën dhe Shqipërinë dy herë në vit dhe momentet më të mira të fëmijërisë sonë i kemi kaluar atje. Na pëlqen të kujtojmë muajt që kemi kaluar me gjyshërit tanë në katund dhe plazhet e bukura që i kemi vizituar në Shqipëri. Aventurat që kemi pasur atje si fëmijë, përzemërsia e njerëzve atje. Më kujtohet kur të gjithë fëmijët mblidheshim rreth zjarrit dhe gjyshi na piqte misër…”, flet ajo me mall.

Donika thotë se me Kosovën e Shqipërinë kanë marrëdhënie të ngushtë dhe krejt falë edukimit që ua dhanë prindërit.

“Fakti se kemi një marrëdhënie të mirë me anëtarët e familjes atje dhe kemi kaluar çdo verë atje, dhe gjithashtu fakti se për prindërit tanë ishte gjithmonë e rëndësishme që t`i kultivojmë rrënjët tona, ne e kemi një marrëdhënie të ngushtë me Kosovën dhe Shqipërinë dhe sa herë që gjejmë mundësi e vizitojmë më shumë kënaqësi, sidomos gjatë stinës së verës”, thotë ajo.

Të dy motrat thonë se nëse në të ardhmen do të kishte hapësirë që të kontribuojnë me profesionet e tyre në Kosovë, do të ndihmonin me shumë dëshirë.

Box

Kontributi gjatë pandemisë

Doruntina: “Jam e lumtur që kam arritur të kontribuoj gjatë pandemisë. Në garë kanë marrë pjesë 179 femra, nga 27 vende të ndryshme të Evropës dhe ishin të ndara në pesë kategori. Unë fitova në kategorinë “Akademi & Edukim”. Rektori i Universitetit të Vjenës pastaj më dërgoi mua dhe ekipit tim një e-mail falënderimi dhe na dha Çmimin “Corona” për kontributin tonë për Fakultetin gjatë pandemisë”, shprehet ajo.

BOX

“Ajo që kemi mësuar është se ju duhet të keni ëndrra të mëdha që të jeni në gjendje të arrini gjëra të mëdha”.

https://www.albinfo.ch/dy-motra-nga-kosova-asistente-ne-fakultetin-juridik-ne-vjene/