Dy kapitenët Ardian Limani e Ylber Kastratin presin fitore
Gjilan – Derbi i 28-të, në mes Dritës e Gjilanit, do të zhvillohet të shtunën, ndërsa dy skuadrat kanë bërë të gjitha përgatitjet në mënyrën e tyre që në fund të këtij derbi të dalin fitues. Si gjithmonë shkallët e stadiumit do të jenë të vogla për ti pranuar të gjithë shikuesit që të përcjellin derbin më të madh në vend. Si nikoqirë i këtij derbi, kësaj radhe “bardh e kaltërit” e Dritës, tribuna qendrore do t’ju takon”Intelektualëve” të Dritës.
Për kapitenin e Dritës, Ardian Limani, edhe ky derbi ka specifikat e tij.
“Pa marrë parasysh ambicieve të skuadrës apo pozitës në tabelë derbi mbetet derbi, është një derbi që shijohet për një kohë të gjatë në praninë e të gjithë atyre shikuesve, po e presim me padurim këtë ndeshje, e gjithë skuadra është e motivuar shumë dhe të vendosur që nga ky derbi të dalim me tri pikë të plota”, ka bërë të ditur kapiteni Limani.
Limani gjerë më tani ka zhvilluar 9 derbi duke arritur rezultat pozitiv, duke shënuar 3 fitore, 2 humbje dhe 4 barazime.
“Uroj që në statistikat e mia të shënohet fitorja e 4 ndaj rivalit lokal dhe të jem edhe më tutje në anën pozitive me shifra”, ka thënë Limani.
Po ashtu edhe te “kuq e bardhët” e Gjilanit, është atmosferë e veçantë para derbit, ku mbretëron disponim i veçantë para kësaj sfide lokale.
Kapiteni Ylber Kastrati është mjaft optimist që së bashku me bashkëlojtarët do ta lëshojnë stadiumin kokëlartë.
“Gjithçka është sportive dhe brenda suazave të normales që luftohet për të fituar ky është sporti, ne do të japim maksimumin do të luftojmë për çdo top në çdo pjesë të fushës, besojë se cilësia është në anën tonë duke marrë parasysh ardhjet e reja në skuadër, uroj që festa e derbit në fund të jetë “kuq e bardhë”.
T`’ju kujtojmë që kapiteni Ylber Kastrati tani e 11 vite është pjesë e këtij derbi të madh lokal.
Dy kapitenët theksojnë se festa nuk do të mungon, duke pasur anim korrekt e adrenalinë të skajshme tek tifozët Intelektualët e Skifterat, e në fund të triumfon futbolli e qyteti i Gjilanit./rajonipress/


