Dy deputetë gjermanë i reagojnë Escobarit, për kushtet që duhet t’i plotësojë Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Dy deputetë gjermanë Knut Abraham nga radhët e CDU/CSU dhe Frank Schwabe nga grupi socialdemokrat (SPD) kanë reaguar ndaj deklaratave të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se janë edhe dy kushte që duhet plotësuar Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Abraham thotë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të përcaktojë në mënyrë të pavarur kriteret e anëtarësimit të Kosovës në KiE, kurse Shwabe thotë se Këshilli i Evropës do të vendos për anëtarësimin e Kosovës bazuar në rregullat dhe vlerat e veta .
“Ne vlerësojmë shqetësimet e Escobar, por mund ta sigurojmë atë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të përcaktojë në mënyrë të pavarur kriteret e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe do të vlerësohet përmbushja e tyre nga Kosova”, ka shkruar Abraham në platformën X.
Megjithatë deputetit konservator gjerman thotë se SHBA nuk do t’i plotësonte kushtet për anëtarësim në KiE. “SHBA nuk do t’i plotësonte këto kritere për shkak të dënimit me vdekje që ekziston në disa shtete”.
Ndërkohë, deputeti Shwabe duke reaguar ndaj deklaratës së Escobar, ka thënë se Këshilli i Evropës po bën të mundur gjëra që të tjerët nuk mund të arrijnë.
“Me të gjithë respektin për të Dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Këshilli i Evropës po bën të mundur gjëra që të tjerët nuk mund të arrijnë. Dhe ne do të vendosim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim bazuar në rregullat dhe vlerat tona”, ka thënë Schwabe, përmes një postimi në rrjetin social X, transmeton Telegrafi.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Kosovës i kanë mbetur dy kushte.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha emisari amerikan për REL./Telegrafi/