UBT

Dy dekada pas luftës, Kosova kampion i varfërisë

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Edhe pse kanë kaluar 19 vjet nga mbarimi i luftës, standardi jetësor i qytetarëve të Kosovës po vazhdon që të mbetet nën mesataren e fqinjëve dhe kjo ka bërë që të jemi larg niveleve të vendeve të rajonit dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2017, konsumi i përgjithshëm në Kosovë ishte 2 miliardë e 340 milionë euro, ndërsa për një ekonomi familjare 7.803 euro, si dhe për kokë banori 1.511 euro. Sipas raportit të ASK-së, thuhet se pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2017 është shpenzuar në ushqim dhe banim, 40 për qind për ushqim dhe 29 për qind për banim, të konsumit të përgjithshëm. Pasojnë shpenzimet për transport dhe veshmbathje me nga 5 për qind dhe nga 4 për qind për mobiliet, alkool dhe duhan. Sipas njohësve të kësaj fushe, paratë që u dërgohen kosovarëve nga diaspora realisht janë ato që po i mbajnë gjallë qytetarët për të mbijetuar në shtetin ku sundojnë nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve që mbajnë monopole kriminale dhe janë mbi ligjin dhe ku nuk ka zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Mërgata është eksploatuar nga pushteti

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për “Kosova Sot”, tha se pa asnjë dyshim dërgesat e mërgimtarëve, të diasporës, po e mbajnë këtë popull. “Por, si shoqëri kemi dështuar në raport me shprehjen e mjaftueshme të mirënjohjes ndaj kontributit të tyre para, gjatë dhe pas luftës, trajtimin dinjitoz të personalitetit të tyre, zgjidhjen me prioritet të brengave e interesave të tyre. Mërgata është eksploatuar edhe për qëllime e me forma më banale të ulëta, siç është rasti me kartonin e gjelbër, tarifa e leximit të njehsorit të rrymës. Veç saj, edhe trajtimi jo aq dinjitoz i afro 800.000 syresh të mërgatës e diasporës sonë, kur ata në tregun e prodhimeve, mallrave e shërbimeve, para bizneseve e marketeve, para Administratës e Ndërmarrjeve Publike, paraqiten si qytetarë konsumatorë taksapagues”, vijoi më tej ai. Ndërsa analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot” tha se qeveritë e deritanishme kanë dëshmuar që nuk dinë të bëjnë politika ekonomike dhe nuk e njohin ekonominë e tregut. Pra, sipas logjikës së tyre, së pari të shpenzojmë tani të fitojmë, që është një veprim i gabuar dhe këtë nuk e pranon logjika ekonomike. “Partitë politike në mungesë të strategjive ekonomike kanë përdorur karremin popullist, duke mashtruar qytetarët me rritje të pensioneve, rritje të pagave në sektorin publik, zakonisht në ata sektorë që kanë bërë llogaritë në vota, ndërsa sektori privat çdo ditë e më shumë thellohet në krizë, bizneset nuk kanë perspektivë që kjo reflekton në kushte dhe paga jo të mira, ndërsa po nga kjo kategori mbushet arka e shtetit, që kjo elitë politike e zhvat pa pikë mëshire”, theksoi ai.”Një gjë është e vërtetë, që çdo përparim është si rezultat i angazhimit qytetar dhe përkrahjes nga diaspora, ndërsa qeveritë dhe elita politike në vend të përkrahjes e rëndon edhe më shumë jetën e qytetarit dhe të biznesit në Kosovë, pra me këtë qasje nga institucionet me plot kuptimin e fjalës e kanë humbur kuptimin e ekzistimit dhe misionit që e kanë edhe me Kushtetutë”, vlerësoi Kadriaj.

“Me këtë mosperspektivë dhe zhvatje që po i bën qytetarit elita politike, e vetmja rrugë ka mbetur emigrimi”, tha Mustafë Kadriaj për “Kosova Sot”

“Prioritet mbi prioritete për këtë qeveri është që të kthejë shpresën tek qytetarët e vendit për një zhvillim të hovshëm ekonomik, që edhe qytetari i vendit tonë të jetojë me dinjitet, begati dhe me perspektivë, si të gjithë qytetarët evropianë”, ka thënë Xhevdet Neziraj për “Kosova Sot”

” Me ofrimin e favoreve për investime në prodhim, qeveria do të ndikonte që remitencat e kosovarëve të orientoheshin shumë më tepër në investime sesa në konsum të përditshëm”, tha Ramadan Maloku për “Kosova Sot”

Fundamenti

Kosova, shteti më i varfër në Evropë Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot” tha se Republika e Kosovës sipas të gjitha parametrave ekonomikë është shteti më i varfër i Evropës. “Më tepër se gjysma e popullsisë është e papunë, varfëria ekstreme është në përqindje të madhe dhe shqetësuese, si dhe të ardhurat kombëtare për kokë banori janë më të ulëtat në Evropë”, vlerëson ai.”Raportet ndërkombëtare dhe vendore e vendosin Kosovën si vendin më të varfër në rajon. Mungesa e investimeve direkte, investimet buxhetore me prioritet joadekuat për zhvillim ekonomik, mosbesimi në institucionet e drejtësisë, përgatitja joadekuate profesionale, klintelizmi dhe shumë dukuri të tjera që nga paslufta kanë bërë që vendi ynë të jetë në këtë gjendje edhe gati dy dekada pas luftës”, ka thënë më tutje Neziraj.”Asnjë qytetar i vendit nuk ka pritur që edhe pas 10 vjetësh pavarësi shkalla e varfërisë në vendin tonë të jetë shumë e lartë, përderisa vendi ka pasuri të shumta natyrore dhe fuqi të re punëtore”, tha ai. Ndërsa, Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se remitencat e kosovarëve, që punojnë jashtë, tash e një kohë të gjatë janë bërë burimi kryesor i krijimit të të hyrave në Kosovë.”Sikur mos të ishin remitencat e diasporës kosovare, Kosova faktikisht nuk do të mbijetonte ekonomikisht. Shih për këtë arsye, Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë një varg lehtësirash që nga kalimet kufitare e deri tek heqja e të gjitha taksave të çdo investimi që bën diaspora kosovare në fushën e prodhimit”, ka propozuar Maloku.

Kontributi i paçmuar nga shteti

Ndërsa, analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot” thotë se nuk ka asnjë dyshim se paratë që u dërgohen kosovarëve nga diaspora realisht janë ato që po i mbajnë gjallë qytetarët për të mbijetuar në shtetin ku sundojnë nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve që mbajnë monopole kriminale dhe janë mbi ligjin dhe ku nuk ka zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.”Por, veç saj, është edhe një e vërtetë shtesë që diaspora e ka mbajtur ekonominë e Kosovës jo vetëm nga paslufta, por edhe para viteve 98- 99″, u shpreh ai.”Shteti duhet t’ua lehtësojë kushtet qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër, e më gjerë, duke u mundësuar atyre që më lehtë të investojnë në biznes apo ta hapin ata një biznes të tyre. Kontributi i emigrantëve nuk kufizohet vetëm me zhvillimin e vendeve ku ata kanë vendosur të jetojnë e të punojnë, pasi ndihma e emigrantëve shkon edhe në drejtim të vendit nga ku janë nisur”, ka potencuar Grapci.”Me gjithë faktin se vëmendja ndaj faktorit pozitiv të diasporës është monopolizuar shpeshherë nga remitencat financiare, roli i saj shkon përtej parave që ata u dërgojnë familjeve në atdhe. Kosova fatkeqësisht nuk e ka çmuar asnjëherë vlerën dhe kontributin e diasporës, të cilët kanë kontribuar në çdo periudhë të vendit, në veçanti gjatë luftës si me ardhjen e shqiptarëve nga bota për të votuar ashtu edhe me të holla dhe armatim”, ka thënë ai. Sipas Grapcit, diaspora jonë është një potencial i madh, jo vetëm në aspektin ekonomik dhe të bizneseve, por edhe në aspektin intelektual dhe të resurseve njerëzore, andaj pa diasporën Kosova s’do të ishte kjo që është.

Qytetarët me sytë nga diaspora

Ndërsa qytetarët e anketuar thonë se po e gjejnë shpëtimin e tyre nga paratë e diasporës. Salih Salihu për “Kosova Sot” tha se nuk mund të thuhet se nuk ka pasur zhvillime, por një rëndësi të madhe e kanë luajtur remitencat e bashkatdhetarëve tanë, andaj pa diasporën do të ishim shumë të dobët ekonomikisht, ndonëse edhe në Kosovë është punuar pas luftës. “Roli i remitencave të diasporës edhe në ditët e sotme është shumë i madh”, theksoi ai. Ndërsa qytetari tjetër, Mustafë Bërbatovci, tha për “Kosova Sot” se janë remitencat ato që i mbajnë gjallë qytetarët tanë, sepse kemi një papunësi 40 për qind me të rinj të papunësuar me të moshuar që mezi e kalojnë muajin nga muaji me pensione aq të ulëta që na bëjnë të jemi vendi me standardin më të ulët në Evropë dhe rajon. “Andaj sikur mos të ishin remitencat ky popull nuk do të mund të jetonte”, theksoi ai. Ndaj, sipas Bërbatovcit, për pasojë e kemi edhe ikjen e të rinjve tanë jashtë vendit që edhe më shumë po e dëmton dhe varfëron vendin. “Remitencat janë shpresa e vetme e vendit dhe të shpresojmë se do të zgjasin edhe me dekada, sepse tashmë të rinjtë tanë kanë krijuar familje në mërgatë dhe kam frikën se edhe remitencat e tyre do të zvogëlohen, ngase ka shpenzime enorme edhe për ata”, ka potencuar Bërbatovci.

(Kosova Sot)