Uji Dea

Dy dekada keqqeverisje dhe korrupsion

/ 12 minuta lexim

Ndonëse ende nuk ka ndonjë datë të përafërt të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme në vend, subjektet politike, kush më shumë e kush më pak, kanë filluar kaherë të përgatitën për një “befasi” të radhës, duke qenë sa më afër elektoratit të tyre dhe duke u premtuar votuesve dhe qytetarëve të vendit se cila do të japë më shumë për perspektivën dhe të ardhmen e vendit.

Vitija: Mobilizimi dhe fushata e egër e PDK-së në terren flet mjaft mirë që kjo parti po e ndjen se po i afrohet ndëshkimi me votë qytetare për të gjitha të këqijat që i ka sjellë vendit

“PDK-ja duhet të ndëshkohet dhe paralel me të e gjithë kjo klasë politike duhet të pastrohet e të largohet nga qeverisja e vendit për t’i lëshuar rrugë brezit të njerëzve të rinj të shkolluar dhe të pakorruptuar, që dinë dhe duan ta qeverisin vendin si duhet, ta zhvillojnë e ta përparojnë për t’i kthyer shpresën, sidomos brezit të ri që po na ikën ditë për ditë jashtë vendit”, thotë qytetari Bislim Ademi për “Kosova Sot”

Ndonëse ende nuk ka ndonjë datë të përafërt të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme në vend, subjektet politike, kush më shumë e kush më pak, kanë filluar kaherë të përgatitën për një “befasi” të radhës, duke qenë sa më afër elektoratit të tyre dhe duke u premtuar votuesve dhe qytetarëve të vendit se cila do të japë më shumë për perspektivën dhe të ardhmen e vendit.

Mirëpo, qytetarët, të cilët janë anketuar nga gazeta, nuk shohin as një ndryshim pozitiv, kurdo që mbahen zgjedhje të reja, nëse në skenën politike nuk del një subjekt i ri politik, ose nëse gjatë procesit zgjedhor që po zhvillohet në PDK dhe në LDK, nuk reformohen këto parti politike që në radhët e tyre të vijnë figura të reja të pakorruptuara e të pasprovuara që do t’u prinin proceseve të reja të ndërtimit të shtetit dhe të zhvillimit. Në këtë lloj fushate që ka nisur tepër herët, ndonëse akoma jozyrtarisht, qytetarët e shohin përpjekjen më të madhe për mashtrim që po provohet të bëhet edhe kësaj radhe nga PDK-ja dhe zyrtarët e këtij subjekti politik anekënd Kosovës. Sipas gjykimit të qytetarit të thjeshtë, votuesit potencialë në zgjedhjet e radhës, PDK-ja përsëri ka filluar të tallet me qytetarët, dhe jo vetëm kjo parti, se gjoja do t’ua kthejnë shpresën qytetarëve.

Qytetarët me të drejtë e shtrojnë pyetjen se ku ishte PDK-ja deri tash, sepse, sipas tyre, pikërisht ky subjekt politik ishte dhe vazhdon të mbetet alfa dhe omega e të keqes në secilën Qeveri. Qytetarët më nuk besojnë se ky subjekt politik, i cili opozitën e kishte përjetuar vetëm njëherë, prandaj, sipas tyre, edhe projeksioni më i ri politik dhe elektoral që ka filluar të reklamohet me të madhe në zyrtarët e PDK-së, pra si Dekada e Re, në fakt është projekt i kapjes së re edhe më e fortë e shtetit, pasi,sipas tyre, gjatë sundimit shtetëror në krye me PDK-në, politikanët bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre, u bënë njerëzit më të pasur të Kosovës. Kështu që tani, qytetarët mendojnë se e vetmja zgjidhje është që PDK-ja të shkojë në opozitë, duke u dekriminalizuar pas përballjes edhe me drejtësinë, si kriteri themelor për një parti vërtet demokratike.

Iu ka hyrë frika në palcë

Qytetari Bislim Ademi është shumë i sigurt që nisja e hershme e fushatës nga PDK-ja, duke mashtruar me njëfarë programi të ri si Dekada e Re, është vetëm frika që u ka hyrë në palcë se do t’i humbin zgjedhjet. “Unë jam i vetëdijshëm që këta po fusin para të mëdha në popull dhe po i blejnë votat, mirëpo është shumë e sigurt që përparim të vendit me PDK-në nuk mund të ketë, edhe pse të gjithë, shumica jemi shqiptarë dhe nuk duhet të kemi diçka kundër njeri- tjetrit, por këta i kanë kaluar të gjithë kufijtë, duke vjedhur dhe duke e plaçkitur shtetin, e kanë kaluar çdo kufi me martinat e tyre dhe me hajnit e tyre, me punësimet e krejt akraballëkut dhe të shoqërisë së tyre që kurrë nuk e kanë ndalur, kurse një fukara mund të jetë shembullor me fakultet, por nuk mund ta zërë vendin meritor të punës”, u shpreh ai.

“Këta edhe si të pashkollë, as emrin e vet nuk dinë ta shkruajnë si duhet dhe e fusin njeri- tjetrin në punë, sepse e kanë kapur shtetin. Prandaj, unë po them me plot gojën dhe po e ngiti zërin që të jemi shumë të kujdesshëm se kujt po ia japim votën, sepse tanimë është koha që PDK-ja të dënohet dhe të mbetet në opozitë.

Koha ka qenë për ta dënuar edhe më herët, por ne sikur po vonohemi e po mashtrohemi. Prandaj, unë po them që PDK-ja duhet të ndëshkohet dhe paralel me të e gjithë kjo klasë politike duhet të pastrohet e të largohet nga qeverisja e vendit për t’i lëshuar rrugë brezit të njerëzve të rinj të shkolluar dhe të pakorruptuar, që dinë dhe duan ta qeverisin vendin si duhet, ta zhvillojnë e ta përparojnë për t’i kthyer shpresën sidomos brezit të ri që po na ikën ditë për ditë jashtë vendit”, theksoi Bislim Ademi për “Kosova Sot”.

Me këto parti, nuk ke pse të dalësh në zgjedhje

Për ndryshim rrënjësor dhe ndëshkim të PDK-së, duke e lënë në opozitë për të mësuar rregullat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, është edhe qytetari tjetër, Nazmi Qoku. “Definitivisht ka ardhur koha për t’i ndëshkuar dhe për të ndryshuar, sepse deri më tani, në të gjitha qeverisjet që kanë mbetur mbrapa, edhe në këtë që e kemi aktualisht si PAN, nuk kanë bërë as nuk do të bëjnë asgjë.

Mobi Casa

Deri më tash këta vetëm janë pasuruar për veten e tyre, kurse gjithandej Kosovës ka plot njerëz të varfër pa kulm mbi kokë, që po shohim shpesh edhe në ekranet televizive, ka njerëz që nuk kanë as bukë për të hëngër, e këta e kanë kapur dhe uzurpuar për vite të tëra krejt shtetin. PDK-ja tani po i prin kësaj fushate dhe po lëvdohet vetë për veti, por dihet fare mirë që për popull deri më tash nuk kanë bërë ama bash kurrgjë, prandaj po vjen koha që ne me votë t’i ndëshkojmë dhe t’i bëjmë ndryshimet 100%. Unë po shpresoj që dikush do ta thyejë këtë gardh të politikës së korruptuar, dhe po besoj e shpresoj që do të kemi parti të ndryshuara e të reformuara, edhe parti të reja politike, sepse sa për me këta që tani janë në qeverisje nuk kemi pse të dalim në zgjedhjet e reja ama bash fare”, tha Nazmi Qoku.

Populli është shumë i pakënaqur

Qytetari Zijadin Krasniqi tha për “Kosova Sot” se tanimë po shihet dita- ditës që masa më e madhe e qytetarëve janë të zhgënjyer me këto parti politike, e veçanërisht me pozitën e kapjes së shtetit nga PDK-ja, prandaj çka është mjaft është mjaft me këtë parti politike që duhet të mbetet në opozitë. ”Nuk jemi vetëm ne që po mendojmë dhe po themi kështu, por po shihet ditë për ditë që masa më e madhe e qytetarëve po është gjithnjë e më e pakënaqur, por tash për tash nuk po kemi se çka të bëjmë vetëm po shpresojmë që në të ardhmen të bëhet më mirë e në të jemi më të kujdesshëm, kur të bëhen zgjedhjet e reja dhe atëherë të bëhen ndryshime.

Po shihet që edhe rinia, edhe të moshuarit nuk po shohin shpresë në të ardhmen, sepse me këta kemi një gjendje shumë të keqe dhe të paperspektivë, të gjithë dita -ditës po i humbin shpresat. Ne po e shohim që partitë politike janë në një stres të madh, edhe PDK-ja po thotë që ata janë shpresa e këtyre qytetarëve, gjë që ata mund të mendojnë kështu, por realiteti është krejt ndryshe, sepse askund mirë nuk po shohim derisa këta janë testuar me vite të tëra në qeverisjen e vendit, sepse vetëm në një mandat kanë qenë në opozitë. Mirëpo, tash për të mos e zgjatur po më duket edhe mua, që edhe ata të PDK-së janë duke e kuptuar se nuk u shkon më kështu dhe u ka ardhur koha për të pushuar pak në opozitë, që t’ua lëshojnë rrugë të tjerëve duke e bërë këtë për të mirën e vendit”, theksoi Krasniqi për “Kosova Sot”.

Blerja e votave me para

Qytetari Mustafë Vitija thotë se jo vetëm PDK-ja, por të gjitha partitë politike do të duhej të ndryshonin, nëse nuk vijnë në skenë subjekte të reja politike e të pakorruptuara, me njerëz të pastër e të pasprovuar deri tash në keqqeverisjen dhe zhvatjen e qytetarit, ndryshe qytetarët as nuk kanë pse të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e radhës, sidomos nëse lejohet që PDK-ja të manipulojë votën dhe të dalë përsëri parti që mund të jetë në kombinim për formimin e Qeverisë së re.

“Unë kam frikë se edhe në zgjedhjet e tjera që do të mbahen, përsëri ka rrezik që t’i kemi këta që janë, sepse janë duke i blerë edhe votat me para. Që në fillim të mandatit që po vazhdon tani, këta votat i kanë siguruar me këta veteranët e luftës që na dolën 5 fish më shumë sesa që kanë qenë në realitet. Qëllimisht këta e kanë rritur numrin dhe tash dikush thotë kanë qenë 13 mijë e dikush 15 mijë. Po ne sikur t’i kishim që në fillim 65 mijë ushtarë, që tani po dalin si veteranë, ne nuk e di ku do të ishim ndalur, ore mik, ndoshta deri në Rusi do të kishim arritur duke luftuar e lëre më për t’u çliruar.

Prandaj, unë po them se këtu pa dalë në skenën politikë parti të reja, për ta formuar një Qeveri të drejtë, për të funksionuar edhe një drejtësi krejtësisht e pavarur nga politika, një Prokurori dhe gjykatë krejtësisht profesionale dhe e drejtë, nuk mund të presim se do të kemi zhvillim të vendit. Tash për tash këtu të gjitha segmentet e shtetit i ka kapur politika dhe as gjykatat nuk është duke punuar si duhet, as Prokuroria dhe as Policia e të mos flasim për Qeverinë.

Deri tash, edhe me këtë koalicion qeverisës të tanishëm, të gjithë kanë punuar sikur që e thotë ajo fjala popullore, siç kanë dëshiruar vetë, vetë kanë qepur e vetë kanë prerë”, tha qytetari Mustafë Vitija. Mirëpo, duke shpresuar në thënien popullore se askujt nuk i shkon gjithmonë kungulli mbi ujë, ai tha se mobilizimi dhe fushata e egër e PDK-së në terren flet mjaft mirë që kjo parti po e ndjen megjithatë se po i afrohet ndëshkimi me votë qytetare për të gjitha të këqijat që i ka sjellë vendit, dhe e ka kohën që të ndalet e të pushojë në opozitë, të përballet edhe me drejtësinë.

“Tanimë po shihet që njëfarë tute u ka hyrë këtyre, madje jo vetëm këtyre, por të gjithëve, sepse po kanë frikë se mos secili që është i përlyer që e di, mund të ballafaqohet lehtë me drejtësinë, prandaj këtë ai që është i tillë fare mirë e di. Kushdo që ka bërë ndonjë vrasje, ka frikë tani, kush ka bërë hajni e plaçkitje të shtetit, po ashtu tani ka frikë, e ka mizën prapa veshi, sepse është jonormale që të mendohet se e gjithë kjo pasuri e tyre është bërë me rroga. I kam 5 rroga në shtëpi dhe nuk mund të bëjmë më shumë sesa për të jetuar një jetë mesatare në kushte normale, e jo për t’u pasuruar siç po pasurohen këta me nga një rrogë. Këta janë pasuruar aq shumë për pak kohë, saqë vërtet as vetë nuk e dinë se sa kanë e çka kanë.

Sidoqoftë, pasi shumica e këtyre pasurive janë këtu në vend presim që me ndryshimin e qeverisjes të gjitha këto një ditë do t’u konfiskohen, e ato që i kanë jashtë është pak më vështirë, por kurdo që formohet një shtet me drejtësi të pavarur, edhe ajo pasuri që e kanë larguar jashtë vendit duhet të rikthehet në vend dhe t’u konfiskohet, sepse është pasuri e vjedhur dhe duhet t’u kthehet qytetarëve dhe shtetit”, tha Vitija për “Kosova Sot”, sipas të cilit zgjidhja më e mirë për rendin gjithsesi do ishte mbetja në opozitë e PDK-së dhe formimi i Qeverisë së re me parti të reformuara dhe iniciativa të reja, duke mos përjashtuar një koalicion të LDK-së së reformuar me ndonjë subjekt tjetër politik, pa PDK-në.