UBT

Dy dekada, asnjë aktakuzë për abuzimet milionëshe me fondet

/ 16 minuta lexim
HW

Në vitin e kaluar, ish-veprimtari i viteve të vështira të luftës, Ibrahim Kelmendi, pati botuar një shkrim, ku zbardhte shumëçka rreth luftës së UÇK-së, komandantëve, vjedhjet e fondit “Vendlindja thërret”, prapaskenat e blerjes së armëve e shumëçka tjetër.

Sipas tij, plaçka që iu është bërë mjeteve të qytetarëve për UÇK-në nga fondi ‘Vendlindja thërret’ dhe fondet tjera në Gjermani,janë bërë nga, siç e quan ai, banda e treshes Xhavit-Azem-Hashim.

Ai e quan këtë kriminalitet dhe akuzon se sikur të kishte UÇK-ja më shumë armë, municion, ushqim e veshmbathje, do të vriteshin më pak ushtarë, do të bëhej luftë më e suksesshme dhe e efektshme kundër armikut dhe martirët e rënë do ta shpaguanin veten edhe më shumë!… Madje ai e quan Adem Grabovcin komplotist dhe si gjoja ministër i Financave të keqpërdorura, i cili kishte emëruar njerëzit e tij shefa të fondit në shtetet e Perëndimit, duke përvetësuar e keqpërdorur miliona euro të qytetarëve. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite, edhe pas këtij denoncimi të një dëshmitari besnik, njohës të situatës, institucionet e shtetit të Kosovës nuk po pranojnë të flasin dhe të merren me këto terma. Akoma nuk dihet se kur apo nëse fare do të zbardhet e vërteta rreth fondeve të luftës, qoftë ai ‘Vendlindja thërret’ apo ‘3 përqindëshi’, që e udhëhiqnin Bukoshi e Mustafa.

Akoma mbetet enigmë e pazgjidhur dhe vepër e pandëshkuar nga drejtësia e shtetit të Kosovës mënyra se si u vodhën qindra miliona euro të qytetarëve, duke mos u raportuar asnjëherë, dhe për më tepër Prokuroria Speciale në Kosovë për afro dy dekada as që ka marrë mundimin dhe guximin të hetojë e të zbardhë se çka ka ndodhur dhe ku kanë përfunduar paratë që ua vodhën qytetarëve, e që nuk ishin pak, por qindra miliona euro, prej të cilave para na dolën të gjithë politikanet milionerë e multimilionerë të pasluftës. Ndonëse kanë kaluar mbi 20 vjet, as edhe një prokuror, qoftë vendor apo ndërkombëtare, nuk e pati guximin të hapë rastin për qindra milionë euro të fondeve të luftës, të vjedhura nga personat e dyshimtë, që dihen me emër e mbiemër, dhe për më tepër edhe 6 legjislaturat e deritanishme të Kuvendit asnjëherë nuk u kërkua që të krijohet komision hetimor për këto dy fonde të famshme keqpërdoruese të parasë së popullit!

Kelmendi: “Ministri i financave”, Adem Grabovci, e kishte bërë puçin edhe ndaj Bonn-it

Eksperti i fushës së legjislacionit, Blerim Burjani, konsideron që me këtë çështje do të duhej të merret vetëm gjyqësori dhe assesi politika, respektivisht Parlamenti, ngase aty veç akuzave të ndërsjella politike nuk do të ndodhte ndonjë gjë tjetër. “Themelimi i një komisioni parlamentar për çështjet e dy fondeve do të paraprihej me akuza dhe kundërakuza dhe debate të ashpra në mes të deputetëve të dy taborreve të involvuara në këto fonde dhe partitë e tjera, andaj kjo do të sillte shumë debate të ashpra. Konsideroj se me qëllim është lënë kjo temë që të mos trajtohet nga Kuvendi, duke e shtyrë në pakufi zbardhjen e punës së këtyre dy fondeve dhe njerëzve të involvuar.

Pastaj procesi i zhvilluar dhe raportimi në Kuvend do të ishte dramatik dhe shumë akuzues në mes të njerëzve të atyre kohërave kur janë themeluar këto fonde dhe paratë e shpenzuara, andaj më mirë do të ishte të ketë procedurë gjyqësore bazuar në dyshimet eventuale, këtë punë më mirë do ta kryente gjykata sesa një komision politik hetues i përbërë nga deputetët”, theksoi analisti Burjani për “Kosova Sot”.

I kontaktuar nga gazeta, vetë autori i shkrimit dosier, Ibrahim Kelmendi, thotë se as ai personalisht nuk e di se kur do të zbardhet e vërteta për mjetet e fondeve, por e moralshme dhe njerëzore do të kishte qenë, të kishte të dhëna konkrete, kush sa ka ndihmuar dhe ku janë shpenzuar ato mjete. Ndryshe ai ia bën edhe një rifreskim memories së tij dhe përsëritjes së disa veprimeve, që sipas tij quan deri te vjedhja e qindra miliona euro të qytetarëve, duke mos u raportuar asnjëherë dhe për më tepër që as Prokuroria Speciale në Kosove për afro dy dekada nuk ka marrë mundin dhe guximin të hetojë e të zbardhë se çka ka ndodhur dhe ku kanë përfunduar paratë që ua vodhën qytetarëve, e që nuk ishin pak,por qindra milionë euro. “Qindra milionë ndihma financiare të emigrantëve nuk janë vjedhur, por janë plaçkitur. Fatkeqësisht institucionet e Kosovës nuk janë kompetente për t’i hetuar shpërdorimet që kanë ndodhur kryesisht jashtë territorit të Kosovës. Ta zëmë fondi i “3-përqindëshit”, që e “menaxhuan” i ashtuquajturi kryeministër Bujar Bukoshi dhe ministër i Financave Isa Mustafa, ushtronin veprimtari në shtete ku kishim emigracion. Atë veprimtari ato struktura e kanë legalizuar juridikisht si veprimtari humanitare. Juridikisht kompetente kanë qenë vetëm institucionet e atyre shteteve, ku po harxhohen ato mjete financiare. Por, ato na kanë toleruar, pa na kontrolluar, nëse po shpenzohen ato mjete për qëllimin që grumbulloheshin. Fondi “Vendlindja thërret” ishte i legalizuar si fond që e menaxhonte OJQja Bashkësia Demokratike e Shqiptarëve në Gjermani (akronimi zyrtar në gjermanisht: DVAD e.V.). Atij fondi i qe njohur edhe statusi i bamirësisë. Që do të thotë mjetet financiare që i jepnin individët ose bizneset mund t’i deklaroheshin para institucionit për tatime, si shpenzime dhe pranoheshin kur bëhej barazimi vjetor i tatimeve.

Vetëm rreth dy muaj para se të përfundonte lufta, institucionet tatimore të Komunës së Bonn-it, ku i kishte zyrat qendrore fondi, na e anuloi statusin e bamirësisë. Pak ditë pasi përfundoi lufta, Shërbimi Federativ për Kriminalistikë bastisi zyrat dhe dhjetëra veprimtarë të fondit, për arsyetim se mjetet janë mbledhur për çështje humanitare, por janë shpenzuar për qëllime luftarake në Kosovë. Sipas informacionit që kanë dhënë institucionet hetimore dhe tatimore, duhet t’i kenë konfiskuar rreth 2,6 milionë DM që i kanë gjetur në xhirollogari bankare dhe në zyra. Kështu, fondi në Gjermani është lehtë të hetohet, nëse ai shërbim do t’ia dorëzonte atë dokumentacion ta zëmë Prokurorisë së Kosovës. Aty janë të gjitha evidencat konkrete. Mjetet financiare që i gjetën në xhirollogari dhe në zyra ose në banesa të veprimtarëve i kanë konfiskuar dhe nuk i kanë kthyer më, me arsyetim se në emër të ndihmave bizneset dhe individët që kanë paguar ndihma në fond kanë paguar më pak tatim sesa ishin të detyruara. Kur ka ndodhur bastisja nuk isha më përgjegjës faktik, meqë “ministri i financave”, Adem Grabovci, e kishte bërë puçin edhe ndaj Bonn-it në Gjermani, duke e emëruar Kushtrim Hadergjonajn në vendin tim. Por në aspektin juridik vazhdoja të isha përgjegjës, para hetuesisë gjermane. Por, pas rreth dy viteve të hetime, e mbyllën lëndën, me arsyetim se nuk kanë ndodhur shpërdorime. Megjithatë, institucionet në Kosovë mund të hetojnë origjinën e pasurisë së atyre që kanë i kanë administruar ato fonde dhe njerëzve pranë tyre dhe gjatë hetimi mund të bënin hetim edhe për ato fonde. Por institucionet e Kosovës duket se janë të kapura dhe nuk hetojnë po hetojnë asnjërin. Ta zëmë, sa lehtë e kishin të hetonin Xhavit Halitin, Azem Sylën, Adem Grabovcin, Hashim Thaçin, që kanë deklaruar zyrtarisht se një pjesë e kanë nga kursimet në Zvicër. Do të mjaftonte t’u kërkohej dëshmia bankare nga Zvicra, sa mjete i kishin, kur i kanë tërhequr. Po të kisha pasuri unë në Kosovë dhe të mashtroja se i kam kursime nga puna ose biznesi në Gjermani, do të mund të vërtetohej vetëm po të më kërkoheshin dëshmi bankare përkatëse”, theksoi Ibrahim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Cili prokuror guxon ta hetojë Hashim Thaçin?

Kelmendi ka edhe një dyshim të vetin për faktin pse nuk po merret Prokuroria e Shtetit të Kosovës, edhe ajo speciale, me këtë çështje. “Duket se prokurorët janë të kapur ose të frikësuar. Cili prokuror guxon të hetojë Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin, me cilat mjete u blenë vilat në Prishtinë? Përndryshe, po t’i procedonin si lëndë për t’i hetuar, do të gjenin edhe mundësinë për të hetuar. Unë pata ofruar një të dhënë, që ishte më tepër se skandaloze, për 500 milionë DM të fondit të “3- përqindëshit”, të cilat gjatë kohës kur po bombardohej Serbia nga NATO-ja Bukoshi e Mustafa i kanë dërguar në Beograd. Asnjë hetuesi, as në Kosovë as në Gjermani nuk më mori në pyetje, cili funksionar gjerman ma kishte thënë dhe të verifikohej ajo plaçkë aq kriminale”, potencoi Ibrahim Kelmendi. Tani në këtë gjendje, edhe sipas tij, mbetet pak e besueshme nëse do të hetohen ndonjëherë ato fonde apo do të mbeten në pluhurin e harresës, sado që ai insiston të hetohen. “Por unë do të dëshiroja të hetoheshin, qoftë vetëm për hir të atyre emigrantëve që kanë dhënë ndihma financiare dhe për hir të pjesëtarëve të UÇK-së, të dinë përse ndonjë luftëtar nuk kishte armë e municion gjatë lufte dhe është martirizuar pa qenë në gjendje të shpaguante më shumë veten e tij”, theksoi Ibrahim Kelmendi. Duke folur për mostrajtimin e problemit në Kuvend, ai thotë se nuk mund të tematizohet kjo çështje derisa aty janë vetë abuzuesit e këtyre fondeve.

FIDANISHTJA

Zeqa: Prokurorët u bënë suporti më i madh i pushteteve kriminale në Kosovën e pasluftës

Sipas analistit dhe veprimtarit në diasporë, Florim Zeqa, derisa nuk zbardhet fati i këtyre fondeve, diaspora dhe mërgimtarët shqiptarë kurrë nuk do të mund ta kenë besimin e duhur në shtetin dhe drejtuesit e tij politik që i ka në krye.”Pa zbardhjen e së vërtetës rreth fondeve të luftës, qoftë ai ‘Vendlindja thërret’ i udhëhequr nga treshja Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi dhe ai i 3-përqindëshit, që e udhëhiqnin binomi Bukoshi e Mustafa, nuk do të ketë qetësi në shpirtrat e mërgimtarëve dhe as kthim të besimit, pasi u janë plaçkitur mundi e djersa e shumë viteve, duke përvetësuar e keqpërdorur miliona euro të gjakut të pastër kombë- tar”, është shprehur ai.

Tutje ka shtuar: “Bartësit e fondeve të sipërpërmendura, në mënyrë të turpshme, vodhën qindra milionë euro të bashkatdhetarëve, duke mos raportuar asnjëherë aspektet financiare të grumbullimit dhe shpërndarjes së mjeteve të grumbulluara në emër të luftës çlirimtare”. Zeqa është shprehur se Prokuroria Speciale në Kosovë për afro dy dekada as që ka marrë mundin dhe guximin të hetojë e të zbardhë se çka ka ndodhur dhe ku kanë përfunduar paratë që ua vodhën qytetarëve (mërgimtarëve), e që nuk ishin pak, por qindra miliona euro, prej së cilave para na dolën të gjithë politikanët milionerë e multimilionerë të pasluftës në Kosovën e rraskapitur nga pasojat shkatërrimtare të barbarisë serbe.”Ndonëse kanë kaluar mbi 20 vjet, nuk doli as edhe një prokuror, qoftë vendor apo ndërkombëtar, të hapë rastin për qindra milionë euro të fondeve të luftës,të vjedhura nga personat e dyshimtë, edhe pse dihen me emër e mbiemër! Ndodhi pikërisht kështu, sepse prokurorët u bënë suporti më i madh i pushteteve kriminale në Kosovën e pasluftës. Pa dhënien e llogarisë për këto vjedhje kriminale të djersës së mërgimtarëve, jo vetëm se ky krim nuk do të harrohet, nuk do të kthehet as besimi në mesin e mërgimtarëve që e duan me shpirt e zemër atdheun e tyre – Republikën e Kosovës. Arsyeja pse në 6 legjislaturat e deritanishme të Kuvendit asnjëherë nuk u kërkua që të krijohet komision hetimor për këto dy fonde të famshme keqpërdoruese të parasë së popullit (mërgatës tonë), është se të zgjedhurit e popullit (deputetët) në vend të mbrojtjes së interesave të popullit u shndërruan në instrument të pushtetarëve, duke mos qarë asnjëherë hallin e qytetarëve, fatin e parasë publike dhe as të ardhmen e shtetit të tyre. Si pasojë e kësaj situate, e kemi këtë gjendje tejet dëshpëruese dhe të pashpresë në vendin tonë. Kështu pra, jo vetëm nga “çlirimtarët”, por edhe nga “institucionalistët”, për afro 20 vjet, shteti i Kosovës u trajtua si plaçkë lufte e jo si atdhe i tyre. T’u thuash turp është gjëja më e vogël për ta! I zëntë mallkimi i popullit dhe i Zotit”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.

Anarki e pashembullt në sistemin e drejtësisë

Insistues në zbardhjen e plotë të fatit të fondeve të luftës, sado që provat mund të jenë zbehur shumë, është edhe veprimtari Muhamet Kelmendi, tani edhe prof. universitar në Republikën e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. “Natyrisht se tash, pas 18 vjetësh, është shumë vështirë të nxirren provat. Por, një gjë është e domosdoshme, fakti se kanë qenë dy fonde, të cilat kanë tubuar mjete të shumta dhe kurrë nuk është dhënë raporti për të hyrat dhe të dalat. Fondi i “3 përqindëshit” ishte krijuar nga Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa. Këta kanë mbledhur nga çdo punë- tor në botën e jashtme nga 3% të të ardhurave bruto. Mendohet se kanë hyrë në atë fond mbi një miliard DM. Ku janë ato mjete nuk dihet. Këta e patën krijuar edhe bankën në Tiranë me emrin “Dardania Bank”, ku mblodhën mjete dhe këtë bankë e shitën. E tash ku janë mjetet? Këtë e dinë Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa. Mjetet nuk gjinden. Fondi “Vendlindja thërret” është krijuar më vonë nga LPK-ja. Mjetet janë tubuar dhe me ato mjete janë blerë mjaft armë. Por llogari nuk ka dhënë as ky fond. Kryetari i fondit, Jashar Salihi, ka vdekur. Për mjetet kanë mundësi të raportojnë Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi dhe shumë kryetarë të fondit të tillë nëpër shtetet e ndryshme”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”.

Ai propozon dy rrugë për zbardhjen e fatit të këtyre fondeve. “Për të dy këto fonde ka dy rrugë: 1. Krijimi i një komisioni parlamentar për të shqyrtuar fondet e tilla dhe për të raportuar në kuadër të Kuvendit dhe 2. Hapjen e hetimeve nga Prokuroria Speciale kundër bartëseve të fondeve. Me këtë do të shikohej mbetja e fondeve dhe pozita e Qeverisë së Përkohshme menjëherë pas luftës. Është e domosdoshme kjo mënyrë e shqyrtimit dhe natyrisht mbi të të ndërtohet edhe përgjegjësia financiare e politike, deri edhe ajo penale. Këtë ia kanë borxh popullit të Kosovës”, theksoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Analisti politik Hidajet Ahmeti thotë se për të ndryshuar krejt ky lloj mentaliteti i politikës së kapur dhe të lidhur me krimin, që po e qeveris vendin dhe nuk ka gatishmëri për transparencë dhe llogaridhënie, edhe për fondet e luftës, është domosdoshmëri e kohës të ndodhë një “revolucion” demokratik dhe si pasojë e këtij “revolucioni” do të jetë një mundësi që gjeneratat me mendësi të ngushtë e të vjetër politike të largohen nga skena.”Nga paslufta, kemi një anarki të pashembullt në sistemin e drejtësisë, fillimisht nga misionet ndërkombëtare për rend dhe ligj, e mbi të gjitha nga logjika e mbrapshtë e instaluar në sistemin e drejtësisë, e pikërisht nga njerëzit e pushtetshëm të pasluftës që kanë dizajnuar hierarkinë kriminale në institucionet publike, e mbi të gjitha kanë dizajnuar klientelën servile në sistemin e drejtësisë. Si mund të luftohen krimi, korrupsioni e kontrabanda nga mekanizmi i instaluar nga këta njerëz në sistemin e drejtësisë? Logjikisht i bie se këta njerëz nuk mund ta luftojnë veten, pasi që një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të instaluar nga njerëzit e sojit Grabovci, Veseli, Thaçi, Mustafa, Beqiri e Hamiti.

Posaçërisht lufta e pakompromis e tyre për pushtet, nuk është pse e duan aq shumë pushtetin, por në momentin kur sistemi i drejtësisë çlirohet nga ndërhyrjet politike dhe transformohet në një drejtësi të pavarur dhe profesionale, një pjesë njerëzve të fuqishëm të politikës që kanë qenë në pozitat kyçe dhe kanë udhëhequr më institucione të rëndësishme, përfundojnë prapa grilave. Është imperativ i kohës që të shkatërrohet kjo perandori kriminale, i cili çlirim do të përkthehet në dobi të qytetarëve dhe në interes të shtetit. Çlirimi i sistemi të drejtësisë nga politika e më theks të veçantë nga politikanët e fuqishëm të pasluftës përkthehet në rend, ligj, profesionalizim, ndërtim, konsolidim dhe instalim të një sistemi të pavarur të drejtësisë të munguar në Kosovë. Fondi ‘Vendlindja thërret’ dhe fondi i 3- përqindëshit janë anomali që e ka përshkuar rrugën e Kosovës për liri dhe pavarësi. Prandaj, ka ardhur koha që të kemi një hetim të pavarur, e milionerët e pasluftës ta justifikojnë pasurinë e tyre milionëshe dhe përmes rrugëve ligjore t’u konfiskohet pasuria e paligjshme dhe aktorët që kanë bërë vepra kriminale të përfundojnë prapa grilave”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti.

Gazeta i ka dërguar pyetje edhe nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, emri i të cilit apostrofohet nga Ibrahim Kelmendi, por nuk ka kthyer përgjigje. Po ashtu, pyetja u është adresuar edhe dy niveleve të prokurorive, Prokurorisë së Shtetit edhe asaj Speciale, të cilat po ashtu nuk kanë kthyer përgjigje nëse dikush po hetohet për abuzimet me këto fonde, pas denoncimit publik të Ibrahim Kelmendit.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.