Durrës, Bujar Dedej: Ish-gruan e vrava për imoralitet

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Durres – Klienti im nuk e ka vrarë me dashje ish-gruan e tij Lime Dedej. Çifti kishte probleme imoraliteti. Ditën e vrasjes, djali 8-vjeçar i viktimës i ka thënë të atit se nëna e tij kryente veprime të turpshme në lokal.

Kështu ka deklaruar dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit, Flamur Gjuzi, avokati i 48-vjeçarit Bujar Dedej, i cili të premten që shkoi i theu kafkën me çekiç nënës së dy fëmijëve të tij. Pas paraqitjes së provave materiale nga organi i akuzës dhe argumenteve të dhëna nga mbrojtja, dje togat e zeza të Durrësit vendosën masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj autorit të ngjarjes së rëndë të ndodhur në lagjen nr. 8 të qytetit bregdetar.

GJYQI

Bujar Dedej, lindur në fshatin Rrustel të Rrogo-zhinës, me profesion hidraulik, ka hyrë dje në sallën e gjyqit krejt i qetë, pa asnjë ndjenjë keqardhje apo pendimi. Në seancën gjyqësore për vendosjen e masës së sigurisë nuk ishte i pranishëm asnjë prej të afërmve të 48-vjeçarit dhe të ish-gruas së tij. Prokurori i çështjes, Kujtim Basha, ka paraqitur para trupit gjykues të gjitha provat e grumbulluara në vendngjarje dhe dëshmitë e fqinjëve të familjes Dedej. “Nga këqyrja e vendngjarjes dhe sekuestrimi i armës së krimit, kemi të bëjmë me një vrasje me paramendim ndaj 41-vjeçares Lime Dedej, lindur në Mat e banuese në Durrës. Vrasja është kryer me paramendim. I pandehuri ka marrë nga puna çekiçin dhe pasi ka shkuar në banesë, u ka kërkuar dy fëmijëve të mitur të qëndrojnë në dhomën e ndenjes. Më pas ai ka hyrë në dhomën ku rrinte gruaja dhe e ka gjetur në momentin kur ajo ishte shtrirë.

Bujari e ka goditur disa herë me çekiç në kokë. Si rezultat i goditjes, ai i ka çarë kafkën viktimës”, ka deklaruar Basha. Ndërkaq, prokurori i çështjes ka sqaruar se pas krimit, i pandehuri iu ka dhënë fëmijëve (Kejsit 9 vjeç dhe Xhemalit 8 vjeç dhurata dhe u ka kërkuar të lajmërojnë komshinjtë se babi ka vrarë mamin. “Pasi ka vrarë ish-gruan, autori ka lajmëruar vëllain e tij në telefon për krimin, si dhe drejtoreshën e kopshtit ku punonte si roje natën që të gjente një zëvendësues, sepse kishte vrarë ish-bashkëshorten. Pas telefonatave, ai është drejtuar në polici ku ka treguar për krimin e kryer dhe ka pranuar autorësinë”, është shprehur prokurori i çështjes. Gjithashtu, përfaqësuesi i akuzës ka thënë se grupi hetimor ka pyetur 10 dëshmitarë, kryesisht komshinjtë e tij, të cilët kanë pranuar se çifti ka pasur për më shumë se dy vjet sherre dhe debate të vazhdueshme.

RCCOLA

Kujtim Basha ka deklaruar se të dy personat në fjalë, fillimisht Bujar Dedej dhe më pas Lime Dedej kanë pasur urdhra mbrojtje ndaj njëri-tjetrit. Prokurori ka argumentuar se janë sqaruar rrethanat e vrasjes jo vetëm nga dëshmitarët dhe nga provat e gjetura në vendngjarje, por vetë i akuzuari (rrezikon dënimin nga 15 deri në 25 vjet burg) ka pranuar krimin.

MBROJTJA

Gjatë fjalës së tij, avokati Flamur Gjuzi kontestoi akuzën e atashuar nga prokuroria për “Vrasje me paramendim”. “Çifti ka patur probleme me imoralitetin e gruas. Atë ditë që ndodhi vrasja, ka qënë djali i tyre që i ka treguar të atit se nëna e tij, Lime, kryente veprime të turpshme me persona të tjerë në një lokal. I pandehuri punon ditën si hidraulik, në ndërmarrjen e “Ujësjellës Kanalizimeve” dhe natën si roje në një kopsht publik në lagjen nr. 18. Në këto rrethana vrasja nuk ka qënë e paramenduar”, pohoi Gjuzi. Në fund të seancës gjyqësore, gjyqtarja Arjana Lico dha masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj Bujar Dedejt, duke e konsideruar të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë nga policia.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)