Duka thërret për unitet
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas heshtjes së pazakontë pas ndeshjeve të kombëtares, ka reaguar zyrtarisht, me një deklaratë publike, mbi situatën e krijuar në kampin kuqezi.
PAKËNAQËSITË E FUNDIT NË KOMBËTAREN SHQIPTARE
Kombëtarja i bashkon dhe nuk i ndan
Armand Duka ka thënë se në këto momente të vështira është koha që të gjithë të jenë të bashkuar dhe jo të ndarë. Ai ka folur edhe për situatën e fundit Xhaka-De Biasi, si dhe tifozët
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas heshtjes së pazakontë pas ndeshjeve të kombëtares, ka reaguar zyrtarisht, me një deklaratë publike, mbi situatën e krijuar në kampin kuqezi. Kjo, për shkak të rezultateve negative, të përplasjeve trajner-lojtar (De Biasi-Xhaka). Kreu i futbollit shqiptar nuk shpall fajtorë, u jep të drejtë të gjithëve, duke tentuar një ribashkim forcash, një “besëlidhje” të re kuqezi.”Kualifikimi i Shqipërisë në ‘Euro 2016’ ishte një arritje historike, jo vetëm për futbollin, por për të gjithë shqiptarët. Entuziazmi dhe sjellja e tifozëve shqiptarë në Francë i dha suksesit sportiv një imazh të shkëlqyer në mbarë botën. ‘Euro 2016’ do të mbetet, jo vetëm një kulm në rezultatet e kombëtares, por edhe një pikë kthese dhe shprese për të ardhmen e futbollit”, është shprehur Duka.
U rritën pritshmëritë për Shqipërinë
Ai ka shtuar se pas Evropianit edhe pritshmëritë ndaj Kombëtares shqiptare u rritën. “Por, ndërkaq, duhet ta pranojmë që pritshmëria dhe ndjeshmëria ndaj rezultateve të kombëtares pas Evropianit u rrit si kurrë më parë. Futbolli është një lojë që humbet dhe fitohet. Mund të humbasësh duke luajtur mirë dhe e kundërta. Rezultatet e fundit të kombëtares, natyrisht nuk janë të kënaqshme. Jo thjesht për shkak të pozicionit në klasifikim. Mund të ishte bërë më mirë, mund të ishte bërë më shumë. Por, gjithsesi, kjo nuk justifikon kurrsesi një frymë negative dhe disa kritika të pamerituara për skuadrën, trajnerin dhe ndonjë lojtar të veçantë. I njëjti grup lojtarësh, që na bëri krenarë një vit më parë, nuk mund të denigrohet dhe të hidhet poshtë brenda natës. Kritikat konstruktive natyrisht na bëjnë mirë, por shpifjet dhe intrigat na dëmtojnë të gjithëve. Nuk kemi kohë dhe luksin të merremi me debate boshe dhe “zhurmues”, që mezi presin të humbasim. Në këtë situatë, kombëtarja ka më shumë nevojë se kurrë për mbështetje. Ne kemi një grup lojtarësh të talentuar, që luajnë me pasion dhe dëshirë për vendin e tyre. Edhe nëse ndonjëri prej tyre nuk luan mirë në një ose dy ndeshje, ose dhe nxitohet në ndonjë deklaratë, nuk ka pse të sulmohet dhe të cilësohet si ‘armik’. Nuk ka të drejtë askush të ‘përjashtojë’ lojtarët nga studiot e televizioneve. Kjo është kompetencë ekskluzive e trajnerit. Ne duhet t’i ofrojmë gjithsecilit dorën e bashkëpunimit, jo vetëm për hir të kontributit të tyre, por edhe për të ardhmen e futbollit”, ka shtuar presidenti i Federatës Shqiptare.
Tifozët, të rëndësishëm për ekipin
Ai ka folur edhe për trajnerin De Biasi. “Nga ana tjetër, edhe vetë skuadra, me në krye De Biasi-n, duhet të gjejnë forcë për të tejkaluar problemet, për të rikthyer besimin te rezultatet pozitive. Të gjithë duhet të kuptojmë se çdo lojtar është i vlefshëm për ekipin edhe kur luan, edhe kur nuk luan. Vendimet e trajnerit duhen respektuar, por edhe ndonjë reagim i ‘nxituar’ duhet mirëkuptuar. Është momenti për një ribashkim të forcave të gjithsecilit, duke vënë mbi të gjitha interesin e kombëtares. Ata tifozë, të cilët në Francë na bënë të gjithë krenarë, nuk mund të dalin kundër vetvetes, dhe në dëm të interesave të futbollit. Ajo që ndodhi në Palermo nuk ndihmon askënd. Përkundrazi: Ka dëmtuar rëndë imazhin e ngritur me aq mund të futbollit tonë. Tifozët duhet të kthehen në stadium me dinjitet për të mbështetur kombëtaren e tyre. Kombëtarja ka nevojë për tifozët. Kombëtarja është e të gjithëve. FSHF-ja është e hapur për çdo vërejtje dhe çdo kritikë. FSHF-ja do të vazhdojë të luajë rolin e saj për mbështetjen e kombëtares dhe të trajnerit. Ne do të vazhdojmë komunikimin me grupet e tifozëve, sepse kemi një qëllim të përbashkët: Kombëtarja duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë. Kjo kombëtare meriton të respektohet më shumë, edhe në këto ditë jo të mira”, ka përfunduar Armand Duka.
(Kosova Sot)

