Duka: Kjo është kontrata e De Biasit
Armando Duka, ka bërë të ditur se Gianni De Biasi ka kontratë me Kombëtaren shqiptare deri në vitin 2017. Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në një intervistë për emisionin ‘Skaner’ të TV Ora News, ka sqaruar ‘historinë’ e përfolur të kontratës së trajnerit të Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi.
“Më vjen keq shumë që është ngritur ky problem, në një moment të tillë festimi. Marrëdhëniet e FSHF’së me trajnerin De Biasi janë të shkëlqyera dhe ne vazhdojmë të festojmë ende”, ka thënë Duka.
“Trajneri De Biasi ka kontratë me FSHF’në deri në tetor të vitit 2017, me mbarimin e eliminatoreve të Botërorit. Kështu që më duket pa vend diskutimi i kësaj cështjeje të tillë tani”, ka shtuar më tej Duka.
“Është e drejtë e trajnerit De Biasi të vendosë pas përfundimit të finaleve të Francë 2016, nëse do ta vazhdojë kontratën e tij me FSHF’në dhe nëse do të vazhdojë të punojë si trajner i Kombëtares së Shqipërisë. Ne nuk e kemi ndërmend që të marrim trajner tjetër, por as nuk mund ta pengojmë De Biasin, nëse ai kërkon të largohet pas Evropianit, natyrisht duke iu përmbajtur penaliteteve që parashikon kontrata e nënshkruar midis nesh”, ka përfunduar Duka, që la të kuptohet se ndoshta termat financiarë mund të rishikohen midis FSHF’së dhe trajnerit De Biasi. /Express


