Duka: Jemi të zhgënjyer me vendimin e Apelit, nuk do të ndalemi

Armand Duka, numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit, është i zhgënjyer me vendimin e Komisionit të Apelit. Ai paralajmëron se do ta kërkoj drejtësinë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS).
Vendimi i Komisionit të Apelit në UEFA ka lënë të pakënaqur delegacionin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Vetë presidenti i FSHF-s, Armand Duka, par arritjes në Rinas ka lënë të kuptohet zhgënjimin nga ky komision si dhe vazhdimin e çështjes në Gjykatën Sportive të Luzanës.
“Jemi të zhgënjyer nga vendimi i komisionit të apelit. Realisht prisnim diçka ndryshe duke parë interesimin për zbërthimin e kësaj çështjeje. Gjyqtari, delegati dhe shefi i sigurisë ishin konfuzë në deklaratat e tyre dhe kjo na dha shumë shpresa. Por në fund mbetëm të zhgënjyer nga vendimi i komisionit. Do të vijojmë deri në fund luftën tonë, në gjykatën e Luzanës.”, ka deklaruar Duka.
Kurse, numri një i federatës Shqiptare të Futbollit zbulon dhe paktin e ofruar nga homologët serbë pak minuta përpara fillimit të seancës dëgjimore, një ofertë e refuzuar.
“Pala serbe kërkoi të shtyhej 30 minuta fillimi i procesit dhe na kërkuan që të biem dakord të riluajmë takimin me dyer të mbyllura dhe Serbia ti rimarë 3 pikët e penalitetit. Por ne nuk hoqëm dorë nga qëndrimi ynë për të marë fitoren në tavolinë.”, theksoi ai.
Lufta për të marrë fitoren në tavolinë për sfidën e 14 tetorit mund të rrezikojë objektivin e kombëtares kuqezi për të shkuar në Euro 2016. Presidenti Duka bën të ditur se për skuadrën beteja më e rëndësishme është fitorja me Armeninë dhe jo vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.
“Për kombëtaren është e rëndësishme ndeshja me Armeninë, pasi nëse nuk fitojmë me ta atëherë është e kotë që të marrim edhe tre pikët në tavolinë. Nëse fitojmë në gjykatën sportive do të jetë një bonos për ne, por që nuk vlen pa fitoren ndaj Armenisë.”, ka përfunduar Duka /SuperSport/