RCCOLA

Duka: “Euro 2024” sfidë e vështirë, por e bukur – uroj të bëjmë një turne të mirë dhe ta shijojmë

/ 5 minuta lexim

Rrugëtimi i Shqipërisë në “Euro 2024”, kanali “Euronews Albania” i ka kushtuar një dokumentar kualifikimit të ekipit Kombëtar në “Gjermani 2024”. Si nisi gjithçka, që nga prezantimi i trajnerit Sylvinho, ndeshja e parë kualifikuese ndaj Polonisë, dy triumfet e qershorit, barazimi në Pragë, fitoret bindëse ndaj kundërshtarëve më të fortë të grupit, Polonia dhe Çekia, sigurimi i kualifikimit në Moldavi dhe vendi i parë në Grupin E.

Pjesë e dokumentarit, Rrugëtimi i Shqipërisë në “Euro 2024”, ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka duke treguar edhe njëherë punën fantastike të bërë në këtë edicion kualifikues. Kreu i futbollit shqiptar tregoi edhe se çfarë e pret ekipin Kombëtar në Europian, teksa është ndalur edhe te kundërshtarët e grupit dhe mbështetja e madhe që pritet nga tifozët në Gjermani.

Debutimi me Poloninë & fitoret e qershorit – “Ndeshjen e parë luajtëm mirë, i gjithë opinioni ishte i lumtur dhe i kënaqur. I vetmi kritik i Silvinjos në atë kohë pas ndeshjes kam qenë unë, duke thënë që nuk na mjaftojnë më humbjet dinjitoze, ne duhet të fitojmë, ne kemi një skuadër që pretendojmë për të shkuar në Europian dhe duhet ta bëjmë këtë.

Silvinjo në një lloj mënyre u ambientua akoma dhe më shumë me skuadrën dhe skuadra njohu dhe implementoi më mirë taktikat, apo vendosjet e tij, njohën njëri-tjetrin dhe erdhën rezultatet”.

Barazimi në Pragë & fitoret ndaj Poloninë & Çekinë – “Ndeshja që vërtetë ishim me më shumë emocion dhe ngarkesë. Më pas ajo që na gëzoi akoma më shumë ishte fitorja në shtëpi ndaj Çekisë me një rezultat të thellë 3-0, por jo më pak ajo ndaj Polonisë një muaj më parë po në Tiranë. Kanë qenë ndeshje të dominuara nga skuadra, që kanë dhuruar spektakël dhe të luajtura vërtetë mirë”.

Kualifikimi në ndeshjen ndaj Moldavisë – “Pati shumë pak për të thënë nëse flitet për çastet direkt pas ndeshjes sepse kemi qenë në festë, të gjithë të gëzuar në momente feste.

Objektiv që u arrit vetëm në ndeshjen e fundit në Kishinjau, në të cilën kemi festuar deri në nivelin e çmendurisë, por ky edicion ka qenë akoma më bindës. Silvinjo me të vërtetë ka bërë një punë të mirë, ka marrë vlerësime maksimale nga opinioni, ka vlerësimet maksimale dhe nga FSHF, ka krijuar një atmosferë shumë të mirë në skuadër, ka implementuar dhe teknikisht gjëra të reja dhe ka ofruar edhe futbollistë të rinj.

Pra në total ka bërë një punë vërtetë për t’u vlerësuar me nota maksimale. Duke qenë që arritëm dhe objektivin, në fakt më shumë se objektivin, pasi objektivi jonë ishte të shkonim në Europian dhe ne jo vetëm që shkuam në Europian, por shkuam si vendi i parë, pra arriti objektivin maksimal që mund të merrte nga ky edicion”.

Hidromorava

Kundërshtarët në Europianin “Gjermani 2024” – “Tashmë jemi në një kompeticion akoma më të vështirë, akoma me ekipe më të forta dhe është shumë e rëndësishme të përgatitemi mirë deri në 15 qershor kur ne luajmë me Italinë. Uroj që t’i kemi të gjithë futbollistët mirë dhe të bëjmë sa më mirë, të kënaqim të gjithë ato që do të vijnë në shkallët e stadiumit në Gjermani dhe të gjithë ato që do të na ndjekin nëpërmjet ekranit.

Jemi vërtetë një skuadër interesante që shumë presin për të parë se çfarë do të bëjë Shqipëria në Europian. Uroj që mos ta përfundojmë Europianin në grup, por të shkojmë më tej, edhe pse jemi në një grup me emra të mëdhenj. Është një sfidë e vështirë, por e bukur. E bukur sepse luajmë kundër skuadrave më me emër në Europë mbase dhe në botë. Le t’i shijojmë sfidat dhe të mundohemi t’i sfidojmë ato”.

Mbështetja nga tifozët në Gjermani – “Jam i sigurt se do kemi shumë mbështetje në Gjermani, shumë shqiptarë janë të interesuar për ta mbështetur ekipin Kombëtar në Gjermani. 25% e biletave janë në dispozicion në portalin online të UEFA-s për t’u blerë nga mbështetësit e skuadrës dhe 25% për ekipet tona kundërshtare. 50% e biletave janë në shitje të lirë.

Kështu që, tifozët do të kenë mundësi për të shfrytëzuar këtë kontingjent që është në dispozicionin e tyre, por jam shumë i sigurt që do marrin edhe nga ato që janë në shitje të lirë dhe nuk do na mungojë mbështetja. Jam shumë i sigurt që do jemi nga Kombëtaret me më shumë tifozë në Gjermani”.

Lista me lojtarët e Europianit – “Se kush do të zgjidhet për Europian, në fakt ky është një hall, por është një hall luksi, pasi ka shumë mundësi për të zgjedhur. Sa më shumë të ketë alternativa aq më mirë do të jetë për futbollin. Të gjithë janë profesionist dhe i kuptojnë rregullat e lojës.

Në ekipin Kombëtar duhet të zgjidhet ai që është më i miri i momentit, kështu që jam shumë i sigurt dhe i bindur që Silvinjo dhe stafi i tij do të zgjedhin në ditët e para të qershorit kur ne do të grumbullohemi për t’u përgatitur, ato që do të jenë më të mirët në atë moment.

Unë uroj që të jenë në formën e duhur dhe në shëndet të mirë, të gatshëm për të kontribuar, por gjashtë muaj nuk janë pak. Kështu që mund të vijë dhe dikush që nuk ishte gjatë këtyre eliminatoreve, por që mund të zhvillohet shumë dhe mund të ndihmojë skuadrën në Gjermani”.