UBT

Dugolli: Ndërkombëtarët e kontestojnë momentin, por jo hapjen e Urës së Ibrit

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po e konteston momentin e hapjes së urës mbi Ibër, por jo hapjen si tërësi.

“Kundërshtimi i miqve tanë për çështjen e urës që ta lëmë për një periudhë tjetër apo të koordinohemi, asnjëherë nuk kanë thënë që të mos hapet. Ata e kanë kontestuar momentumin. Nëse ka ndërruar diçka në qëndrimin e Bashkimit Evropian, është mirë të thuhet sepse me marrëveshjen e 2016-ës ka qenë rasti kur është dashur të hapet ura”, ka thënë Dugolli në “RTK Prime”.

Ai ka thënë se nuk është synimi i Vetëvendosjes largimi i prezencës ndërkombëtare nga ura, duke i quajtur forca mike që synojnë marrëdhënie e koordinim përherë.

“E kemi një situatë pakrahasimisht ndryshe. Të gjitha vërejtjet që i ka marrë Kosova dolën se ishin të padrejta sepse ne nuk kishim synim të nënshtrojmë një popullatë, ashtu siç proklamohej në Serbi; nuk kishim synim t’i ndiqnim qytetarët, kishim synim t’i shkatërronim bandat kriminale”, ka thënë ai për gjendjen në veri.

RCCOLA

Kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se Ura e Ibrit duhet të hapet, duke nënvizuar se kjo masë nuk është kundër askujt, por për përfitimin e të gjithë qytetarëve. Këto deklarata ai i bëri të martën gjatë një vizite në veriun e Kosovës të martën.

Ndërsa, zëdhënësi i KFOR-it, Koloneli Salvatore Mascoli, ka deklaruar sot se hapja e Urës së Ibrit duhet të ndodhë vetëm përmes dialogut dhe në koordinim me ndërkombëtarët.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e kësaj ure prej disa muajsh, megjithëse ideja është kundërshtuar nga ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë që çështja të zgjidhet përmes dialogut. Aktualisht, Ura e Ibrit është e hapur vetëm për këmbësorët.