Fundamenti

“Duelet” kosovare-serbe para pakos së marrëveshjeve

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Kosova dhe Serbia do të nisin të premten përballjet përfundimtare para përmbylljes së një pako të marrëveshjeve që mendohet se do ta qojnë normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve në një fazë tjetër.

Ministrat e jashtëm, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq do të marrin pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kur diskutohet raporti i sekretarit Ban Ki Moon.

Aty Kosova do të kritikohet për vonesë në krijimin e Gjykatës Speciale gjë që është konstatuar në raportin e Ban Ki Moon por shtetet anëtare pritet që të dy ministrave të jashtëm t`ua bëjnë të qartë se marrëveshja për Asociacionin duhet të bëhet hiq më larg se me datë 24 të këtij muaji.

Liderët e të dyja vendeve do të takohen në Bruksel me 24 dhe prej aty me marrëveshje të arritura do ia mësyjnë Vjenës, ku me 27 gusht mbahet samiti i radhës nën patronatin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Serbia duhet të heq dorë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës, por Qeveria e Kosovës duhet të pranojë një formacion ekzekutiv në kuadër të Asociacionit të Komunave Serbe që do të jetë një lloj qeverie në kuadër të federatave.

Siç ka raportuar më herët RTV Dukagjini, plani për Asociacionin që ka marrë mbështetjen ndërkombëtare është hartuar në bazë të modelit të komunitetit gjerman në Belgjikë – ata janë njësi sovrane në kuadër të federatës belge.

Asociacioni do të ketë deri në njëmijë shërbyes civilë në sektorë të ndryshëm, shërbime që ofrohen nga shteti.

Mobi Casa

Do të ketë një trup ekzekutive dhe pritet që me anë të fuqisë politike që do ta marrin në zgjedhje të bëhen adresë e dytë e pushtetit në Kosovë.

Analistë dhe njohës të pushtetit lokal druajnë se në këtë mënyrë Kosova do të bllokohet nga ana e Serbisë në çfarëdo vendimmarrje, pasi që Asociacioni do të jetë nën kontrollin e Beogradit.

Opozita ka paralajmëruar bllokim të jetës publike nëpërmjet protestave kundër marrëveshjes që krijon këtë Asociacion.

Derisa partitë opozitare do të jenë duke u përballur me policinë nëse dalin në protesta me policinë, ministri i jashtëm kosovar Hashim Thaçi do të jetë duke u përballur me BE-në në një sfidë qejfi.

Në kuadër të samitit të do të organizohet një ndeshje futbolli ku Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Serbisë, Vuçiq, si dhe disa zyrtarë nga Mali i Zi do të ndeshen me një ekip nga kryeministra dhe ministra të shteteve anëtare të BE-së.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa do të udhëheq delegacionin në Bruksel e Vjenë por nuk do të luaj futboll. /Telegrafi/