Drita shumë afër që të prek finalen
Gjilan – Kupa është e tyre, kurse Klubi i Volejbollit Drita është shumë afër që ta prek edhe finalen e “play offit” në volejboll. Humbjen në fundjavë ndaj Kastriotit në Ferizaj, Drita e ka kompensuar me fitoren e arritur këtë mesjavë. Si në Ferizaj, ku Kastrioti fitoi me rezultat 3:1, njëjtë Drita ka ngadhënjyer në Gjilan, po me rezultat 3:1, kurse tashti pritet të vendos ndeshja e tretë, e cila do të luhet në Ferizaj.
Vendaset, që kryesisht janë lojtare të reja, me ngërç e kanë nisur lojën, andaj këtë e kanë shfrytëzuar mirë lojtaret mysafire, të cilat kanë ngadhënjyer në setin e parë me rezultat 23:25. Vendaset shumë më mirë luajtën në setin e dytë, në të cilin kanë ngadhënjyer me rezultat 25:23, kurse njëjtë e kanë përfunduar edhe setin e tretë. Tërë potencialin, vashat e Dritës e kanë shpalosur në setin e katërt, kur kanë ngadhënjyer bindshëm me rezultat 25:11 dhe kështu edhe njëherë kanë bërë me dije se ato nuk dorëzohen kurrë.
Njëjtë, vashat gjilanase kishin vepruar edhe në ndeshjen finale për kupë. Kur shumëkush i kishte humbur shpresat se ato mund të bëjnë diç, vashat e Dritës u ringjallën dhe e kthyer rezultatin në dobi të vetin. Kryetrajneri, Lorik Iliazi, po dëshmon se ka bërë punë shumë të mirë me këto vasha, të cilat ndonëse të reja, me urti e marrin lojën edhe atëherë kur duket se janë në prag të humbjes.
Kësaj radhe te Drita, pos vendaseve Kadriu, Shabani, Salihu, Jaha e Hyseni janë dalluar edhe bullgaret Goranova dhe Angelova, derisa ndër mysafire, pos Ibrahimit dhe veteranes Jashari janë dalluar edhe ukrainasja Alokhina dhe bullgarja Baleva.
Pas përfundimit të ndeshjes, kryetrajneri Lorik Iliazi, ka pranuar se ekipi i tij po kalon nëpër një formë të mirë dhe se nuk do të dorëzohet deri në momentet e fundit. Ai tha se kishin një kundërshtar të fortë, që ka gërshetuar shumë mirë lojtaret vendase me përvojë, por edh lojtaret e huaja, që shihet se janë shumë cilësore. Ai beson se loja kolektive e Dritës do të ngadhënjejë përballë ferizajasve me përvojë.
Publiku gjilanas që moti kohë nuk është parë në numër të madh në palestër, dëshmoi se di të vlerësoj lojën e bukur dhe është i etshëm për tituj. Kjo më së miri është dëshmuar në mbrëmjen e fitores së Dritës, kur të gjithë si në kor, iu kanë gëzuar kësaj fitoreje edhe atë me anim korrekt.
Klubi i Voljebollit Drita, jep shpresë për një të ardhme më të mirë të sportit tek ne dhe ky klub duhet të merret si shembull se si duhet të organizohet një klub që synon rezultate.
Drita – Kastrioti 3:1 (23:25, 25:23, 25:23, 25:11)
Palestra e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan. Shikues: 700. Gjyqtarë: Lumi, Lajçi.
Drita: B. Kadriu, Abazi, Syla, Goranova, Salihu, Jaha, V. Kadriu, Leka, Mehmeti, Shabani, Angelova, Hyseni. Trajnerë: Lorik Iliazi e Valon Zymberi.
Kastrioti: Mehmeti, Ibrahimi, Jashari, Tahiri, Mustafa, Baleva, Alokhina, Grainca, Ramadani, Mahmuti, Raçi, Idrizi. Trajnere: Vildane Jashari./rajonipress/.


