Drita – Prishtina derbi i madh për “gurmanët” e futbollit
Të dielën në stadiumin e qytetit në Gjilan zhvillohet derbi i javës së 22-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll, në mes Dritës e Prishtinës, dy skuadra të cilat po pretendojnë kreun e tabelës së klasifikimit.
Këto dy skuadra sa herë që janë përballur kanë sjell futboll cilësor, ndërsa fituesi ka qenë enigmë gjerë fund të ndeshjes.
Si gjithmonë këto dy skuadra pretendojnë titullin e kampionit dhe padyshim shkallët e stadiumit do të jenë të vogla për të zënë të gjithë shikuesit të cilët pretendojnë të jenë pjesë e këtij spektakli futbollistik.
Skuadra e Dritës në këtë ballafaqim hyn pas humbes ndaj liderit Ballkanit, ndërsa Prishtina pas fitorës ndaj Ferizaj.
Në radhët e “bardhekaltërve” të Dritës kanë bërë të gjitha përgatitjet për këtë spektakël të futbollit, i cili pritet të sjell futboll cilësorë dhe natyrisht fitoren e Dritës.
“Nuk kemi alternativë tjetër përpos fitores, presim që “Intelektualët” edhe një herë ta stërmbushin stadiumin dhe në fund së bashku me ta të festojmë fitoren ndaj një kundërshtari të fortë siç është Prishtina”, kanë bërë të ditur burimet brenda skuadrës së Dritës.
Siç bëjnë të ditur tifozët “Intelektualët” për këtë derbi kanë paraparë spektakël në shkallët e stadiumit për të dëshmuar edhe një herë se janë futbollisti i 12-të, i skuadrës së tyre të zemrës.
Nga kryeqyteti kanë bërë të ditur se tifozët “Plisat”, do të jenë prezent në këtë ndeshje, andaj stafi i Dritës së bashku me sigurimin privat dhe shërbimin policor të Gjilanit kanë bërë të gjitha përgatitjet që ky derbi i madh i futbollit Kosovar të zhvillohet me siguri të madhe.
“Gurmanët” e futbollit të Anamoravës e Kosovës kanë rastin që të dielën duke filluar në ora 14:00, të kalojnë një pasdite të këndshme futbollistike duke i përjetuar ethet e derbit./rajonipress/


