Drita po mundohet t’i ik barazhit
Gjilan – Drita – Trepça 2:0 (0:0). Shënues: Shaqiri 50’, Kelmendi 63’. Drita ka shënuar fitore në ballafaqim me Trepçën nga Mitrovica, e cila kaherë i ka thënë lamtumirë Superligës së Kosovës në futboll. Në rrugëtimin e saj drejt shmangies së ndeshjes së barazhit, Drita që në nismë të ndeshjes ka filluar me sulme të pareshtura, por përkundër dominimit të madh në fushë, vendasit nuk ia dolën që asnjë herë të shënojnë në pjesën e parë.
Lojë krejt ndryshe është zhvilluar në pjesën e dytë të ndeshjes, kur gjilanasit më me ngulm e kanë kërkuar fitoren dhe këtë e kanë arritur.
Sapo ka nisur pjesa e dytë, në minutën 50 Kelmendi ka shpërthyer nga e djathta dhe ka harkuar në brendi, kurse aty afër është gjetur Shaqiri, i cili me urti e ka futur topin në rrjetë.
Vendasit kanë shënuar edhe një herë në minutën 63, kur Kelmendi krejt punën e kreu vet dhe nga vija e zonës së rreptësisë ka dhënë një gjuajtje të furishme dhe e ka dërguar topin në këndin e epërm të djathtë të portës.
Mbizotërimi i vendasve ka vazhduar edhe në vazhdim, kurse rast që duhet veçuar ishte ai i zëvendësuesit Shala, i cili gjuajti fort, por e qëlloi vetëm shtyllën.
Thanë pas ndeshjes:
Afrim Shahini (Drita): “Po vazhdojmë me lojëra të mira dhe po mundohemi që t’i shmangemi ndeshjes së barazhit. Ne nuk do të dorëzohemi deri në fund dhe besojmë që deri në fund të arrijmë numrin maksimal të pikëve”.
Fidaim Haxhiu (Trepça): “Ne kaherë e dimë cili është fati i ynë, por edhe kësaj radhe patëm paraqitje të mirë. Na ka humbur motivi, por do të vazhdojmë të luajmë deri në fund”, ka thënë Haxhiu.
Drita – Trepça 2:0 (0:0)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 100. Gjyqtarë: Nuza, Musolli, Sekiraqa, Maloku. Shënues: Shaqiri 50’, Kelmendi 63’. Kartoni i verdhë: Ramushi, Kastrati – Voca.
Drita: Latifi, Osmani, Ramushi, A. Limani, Kelmendi, Kastrati (Shala), Ajdari (Rashiti), Haliti, Shaqiri, Murati, Syla. Trajner: Afrim Shahini.
Trepca: Imeri, Latifi, Voca (Krasniqi), Arii, Kutllovci, Llapashtica, Avdyli, Balija (Cimili), Rama (Selmoni), Idrizi, Babaj. Trajner: Fidaim Haxhiu. /rajonipress/.


