17shkurt

Drita pëson nga i fundit në tabelë

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Shënues: Rashica ‘19, ‘75, Jetullahu ’60 dhe Maxhuni ’80. Drita – Llamkos Kosova 0:4 (0:1).

Stadiumi i qytetin në Gjilan: Shikues 1500. Gjyqtarë: P.Hasani, S.Berisha, L.Muhadri, M.Baliu . Kartonë të verdhë: Jakupi (Drita) – Gërxhaliu, Mulliqi (Llamkos Kosova).
Drita: Latifi, Morina (Jakupi), Ahmeti, Caka, Ramadani (Bejtullahu), Xhika (Isufi), Sermaxhaj, Aliu, Ramushi, Rama, Shabani.

Llamkos Kosova: Beqiri, Gërxhaliu, Kera, Dragusha (Istrefi) , Berisha, Zeneli, Prekopuca, Jetullahu, Rashica, Maxhuni, Mulliqi.

Futbollistët e Dritës pas disa ndeshjeve të mira në fushën e tyre, kanë pësuar humbje të thellë ndaj skuadrës që gjendej në fund të tabelës së klasifikimit. Vendasit sot nuk e patën ditën e tyre dhe për 90 minuta lojë përveç disa gjysmërasteve nuk kanë arritur së paku të shënojnë golin e nderit.

Në anën tjetër mysafirët me lojë të mençur kanë shfrytëzuar të gjitha rastet që i patën dhe me plotë meritë fituan tri pikë që i largon nga pozita e fundit ku gjendeshin para kësaj ndeshjeje.

Takimi i sotëm ka filluar me dominim të futbollistëve të Dritës, të cilët kishin iniciativën në fushë, por që nuk arritën ndonjëherë të rrezikojnë seriozisht portën mysafire. Në minutën e 37, mesfushori Rashica ka gjuajtur fuqishëm në drejtim të portës nga 20 metra dhe topi ka devijuar rrugën nga një mbrojtës vendas, për aq sa portieri Latifi të mos mundet të reagoj për të pritur këtë top dhe mysafirët për të shënuar golin e parë në këtë ndeshje.

ARKATANA

Në pjesën e dytë pritej që vendasit të rrisin tempin e lojës dhe të mundoheshin që së paku të barazojnë rezultatin, por ngjau e kundërta. Në minutën e 60, Jetullahu ka dal i vetmuar para portierit Latifi, të cilin e ka mposhtur me lehtësi, pas pasimit si me dorë nga bashkëlojtari i tij Rashica.

Në shënimin e golit të tretë për mysafirët, akteret ishin të njëjtë, por tash ndërruan rolet. Ishte Jetullahu që ka asistuar për Rashicën dhe ky me gjuajtje të saktë dhe precize ka shënuar golin e tretë për Llamkos Kosovën.

Vendasit pas pësimit të golit të tretë me të gjitha forcat janë sulur në drejtim të portës mysafire, që së paku të shënojnë golin e nderit në këtë ndeshje, por në vend të shënojnë kanë pësuar edhe një gol. Në minutën e 80, një kundërsulm i organizuar nga mbrojtja mysafire, gjendet Jetullahu që kalon mbrojtjen e Dritës sikur të mos ekzistonte fare dhe del i vetmuar përballë Latifit, por nuk gjuan në portë, por në anën tjetër në pozitë më të mirë e kishte Maxhunin, i cili nuk e kishte të vështirë të shënojë golin e katërt për mysafirët.

Thanë pas ndeshjes:

Arbnor Morina, trajner i Dritës: Kishim mungesa të disa lojtarëve nga përbërja e parë, por në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet loja e dobët dhe humbja aq e thellë. Mungesa e një fondi të mjaftueshëm ka ndikuar që kjo ndeshje të humbet pasi rezervistët nuk po munden të zëvendësojnë në mënyrë të duhur mungesat. Kërkoj falje nga shikuesit që i dëshpëruam me lojën e treguar në këtë ndeshje.

Luan Prekazi, kryetrajner i Kosovës: Luajtëm lojë të mirë dhe me këtë treguam se ne nuk e meritojmë të gjendemi në fund të tabelës. Nuk lejuam që vendasit të krijojnë raste për shënim, pasi futbollistët e mi kanë kryer detyrat ashtu siç ishim marrë vesh para ndeshjes. Ne dominuam në çdo aspekt të lojën dhe fitorja jonë ishte plotësisht e merituar. I uroj vendasit për lojë fer dhe mikpritje./rajonipress/