Hidromorava

Drita përmbyll stinorin vjeshtor me fitore

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Shënues: Foniqi ’24, ’65, Ramushi ’81 – Guci ’75. Drita – Vëllaznimi 3:1 (1:0). Stadiumi i qytetit në Gjilan: Shikues 800. Gjyqtarë:G. Shala, B. Sejdiu, M. Baliu, Z. Berisha. Kartonë të verdhë: Ramushi, Ahmeti, B. Shabani, Caka, Xhika (Drita) – Morina, Myrta, Rogova, Duraku (Vëllaznimi).

Drita: Latifi, Rama,(Aliu) Caka, Syla, B.Shabani, Sermaxhaj, Abazi, Ramushi, Foniqi (Xhika), Xh. Shabani (Jakupi).

Vëllaznimi: Statovci, Yll. Myrta, Xheraj, Duraku, Kasapi, Tetrica (Nikoliqi), Ylb. Myrta, Morina (Guci), Gashi, Bushaj, Rogova.

Futbollistët e Dritës kanë shënuar fitore në përmbyllje të stinorit vjeshtor, duke mundur futbollistët e Vëllaznimit nga Gjakova dhe duke ndërprerë serinë prej tri humbjeve radhazi. Fitorja e Dritës ishte plotësisht e merituar, pasi gjatë tërë ndeshjen ishte skuadër më e mirë dhe po të ishin sulmuesit më të vëmendshëm në çastet vendimtare, do të kishin mundur të shënojnë së paku edhe po aq gola.

Deri në minutën e 15, Drita kishte iniciativë, por nuk arriti të shënoj gol. Rasti i parë është paraqitur për mbrojtësin Syla që nga një pozitë ballore ka gjuajtur fuqishëm, por topi ka kaluar pranë pingules së Statovcit.

Goli i parë për Dritën është shënuar në minutën e 24, ndërsa golashënues ishte Ruhan Foniqi, që nga afërsia ka shënuar pas pasimit milimetrik të Ramushit.

Të vetmin rast për mysafirët e pati kapiteni Atdhe Gashi që nga gjuajtja e lirë ka tentuar për të shënuar, por gjuajtja e tij e fuqishme ka kaluar pranë portës.

Hidromorava

Drita golin e dytë e ka shënuar në minutën e 65, ndërsa shënues ishte përsëri sulmuesi Foniqi që është gjendur mirë në harkimin e Xhevdet Shabanit, për të ngritur rezultatin në 2:0.

Mysafirët kanë arritur të ngushtojnë epërsinë dhe mundësinë më pastaj për të barazuar rezultatin në minutën e 75, ndërsa golin për mysafirët e ka shënuar nga gjuajtja e lirë Alban Guci, që në ndeshje është inkuadruar disa çaste më herët. Goditja e lirë është bërë në mënyrë mjeshtërore edhe pse ishte një pozitë e vështirë për të gjuajtur në portë, topi kalon tërë mbrojtjen vendase, pastaj edhe portierin Latifi që nuk ka perceptuar topin si duhet.

Mysafirët me të gjitha forcat orientohen në sulm për të shënuar golin e barazimit, por ndodh e kundërta, ata pësojnë golin e tretë dhe të fundit në këtë ndeshje. Në minutën e 81, Genc Sermaxhaj niset i vetmuar në kundërsulm, kalon dy futbollistë mysafirë, del i vetmuar para Statovcit dhe kur bëhej gati për të gjuajtur në drejtim të portës, Yll Myrtaj ndërhynë nga mbrapa dhe gjyqtarit Shala nuk i mbeti tjetër vetëm se të akordoj penallti, e që në gol e shndërron Ramushi me përvojën e tij dhe të vulos rezultatin përfundimtar në 3:1.

Thanë pas ndeshjes:

Arbnor Morina, trajner i Dritës: E përmbyllëm stinorin vjeshtor me fitore dhe arritëm që të fitojmë pas një serie të humbjeve. Futbollistët për ndeshjen e sotme meritojnë çdo lëvdatë për angazhim. Po ashtu i falënderoj shikuesit që na përkrahën në çdo lojë.

Malsor Xhonbalaj, trajner i Vëllaznimit: Skuadra jonë shumicën e futbollistëve i ka të ri dhe nuk arritën t’i bëjnë ballë presionit të vendasve. Drita ka ekip më të kompletuar se ne për momentin dhe fitorja e tyre ishte plotësisht e merituar./rajonipress/