Drita me dy mendje

Skuadra gjilanase, Drita është futur në garë për titull, pas fitores në Gjakovë ndaj Lirisë, dhe barazimit të kampionit aktual Prishtinës në kryeqytet ndaj Besës, tani diferenca është vetëm në gjashtë pikë.
Trajneri i ‘bardhekaltërve’, Arbnor Morina, në një prononcim për gazetën Tribuna, ka theksuar se skuadra që ai e udhëheq nuk e ka presionin që ta ndjekë titullin.
Por, sipas Morinës synimi i tyre kryesor është që të mbajë këtë grup të lojtarëve dhe të zhvillojnë një lojë të bukur për sy dhe ta mbajnë edhe më tej në shkallët e stadiumit publikun e saj që i ka përkrahur, si në shtëpi, ashtu edhe në ndeshjet në udhëtim.
“Qëllimi i skuadrës tonë nuk ka qenë titulli që prej fillimit të kampionatit, por që ta ndërtojmë një skuadër me futbollistë të rinj që luajnë një futboll të bukur për sy. Kur kam ardhur këtu, pothuajse komplet lojtarët e vitit të kaluar ishin larguar dhe për këtë arsye kam pasur kërkesë nga kryesia e klubit që të formojë në grup futbollistësh që të dhurojnë spektakël në fushë dhe me lojë të bukur për sy, të jemi afër kreut të tabelës”, u shpreh Morina.
Trajneri prishtinas ka theksuar se skuadra e tij duhet që të vazhdojë në këtë ritëm që t’i mbajë edhe më tej tifozët e saj në shkallët e stadiumit.
“Duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe t’i mbajmë edhe më tej tifozët tanë në shkallët e stadiumit, të cilët asnjëherë nuk na lanë vetë si në ndeshjet në Gjilan, ashtu edhe jashtë qytetit, gjithmonë na kanë përkrahur dhe shpresojmë që t’i kënaqim me lojë të bukur”, vazhdon tutje ish-trajneri i Prishtinës.
Më tej Morina nuk e ka përjashtuar që skuadra e tij mund ta rrëmbejë titullin nëse i jepet mundësia, por nuk e kanë presionin e quajtur ‘titull’.
“Ne do të vazhdojmë t’i qasemi të gjitha ndeshjeve në mënyrë profesionale për të fituar pikë, ndërsa në fund do ta shohim se ku jemi. Nuk kemi presion nga kryesia që ta ndjekim titullin, mirëpo nëse na jepet mundësi atëherë pse jo, pasi nuk është sportive të heqim dorë nga titulli”, përfundoi ish-trajneri i Hysit.