Drita ju kthehet fitoreve, fitorja e parë si mysafire
Në javën e 9-të, të Ipko Superligës së Kosovës në futboll, futbollistët e Dritës nga stadiumi “Bajram Aliu” në Skenderaj, në ballafaqim me Drenicën kanë arritur fitore duke ngadhënjyer me rezultat 1-2.
Njeherit pas 9 javëve, futbollistët e Dritës arrin fitoren e parë si mysafire, duke ju rikthyer fitoreve të cilat ka kohë që ju kishin munguar.
Pas një ndeshje tejet interesante, futbollistët e Dritës arritën që në minutat e fundit të ndeshjes të arrijnë gjerë te fitorja shumë e kërkuar.
Në minutën e 7-të, kapiteni Ardian Limani i vetmuar nuk arrin ta mposht portierin e Drenicës, Arjon Ymerin.
Rast të mirë pati edhe Haxhineziraj në minutën e 54-të, i cili i vetmuar gjuan furishëm por godet pingulen e Ymerit.
Një gjë të tillë e bën edhe Taulant Dajaku kapiteni i Drenicës në minutën e 72-të, godet pingulen e Edvin Bakajt të Dritës.
Golin e epërsisë futbollistët e Dritës e arrin në minutën e 65-të, Xh.Shabani harkon nga këndi e me kokë Bujar Shabani nga 13 metra gjen rrjetën e Ymerit
Në minutën e 85-të, nga pika e bardhë vendasit barazojnë nëpërmjet kapitenit të tyre Dajakut.
Në shkallët e stadiumit “Bajram Aliu” të gjithë menduan se kjo ndeshje do të ketë epilogun e barabartë, por në skenë del Xhevdet Shabani i cili nga 16 metra mposht Ymerin, duke i siguruar tri pikë të vlefshme skuadrës së tij.
Pas ndeshjes trajneri nga Shqipëria në radhët e Dritës, Shpëtim Duro ka theksuar
“Janë këto tri pikë shumë të rëndësishme për skuadrën për të rikthyer besimin në skuadër, jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve sidomos në pjesën e dytë”.
Në javën e 10-të, Drita do të jetë nikoqire e Ballkanit të Suharekës./rajonipress/


