Drita humb, Morina jep dorëheqje

Gjilan – Shënues: K. Gashi ‘4 dhe Maloku ’88. Gjilan: Drita – Besa 0:2 (0:1).
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 300 Shënues: K. Gashi ‘4 dhe Maloku ’88 . Gjyqtarë: P. Hasani, L. Muhadri, F. Abrashi. Kartoni i verdhë: Ramadani, Sopa, Ramushi, B. Shabani (Drita) – Miftaraj, Maloku(Besa).
Drita: Krasniqi, Ramadani (Morina), Ahmeti, Tusuni, Aliu, (Foniqi), Xh. Shabani, Abazi, Ramushi, Bazhaku, B. Shabani, Sopa (Rama).
Besa: Bytyqi, Iberdemaj, Fi. Papuqi, Fl. Papuqi, Zhara, Miftaraj, K. Gashi (Maloku), F. Gashi, Qorraj (Morina), Vokshi, E. Gashi (Duraku).
Futbollistët e Dritës pas dy barazimeve radhazi para shikuesve të tyre, në ndeshjen me Besën kanë pësuar humbje. Futbollistët e Dritës kanë pasur iniciativën, pastaj rastet e tyre gjatë 90 minutave kanë qenë të shumta, por ishin mysafirët që në portë kishin portierin Bytyqi që në këtë ndeshje pa dyshim ishte lojtari i ndeshjes me pritjet e tij fenomenale.
Që në minutën e 2, vendasit kanë mundur të shënojnë golin e epërsisë përmes sulmuesit Abazi, i cili nga e majta bukur ka depërtuar, është futur brenda zonës së rreptësisë, gjuan drejt portës së Bytyqit, por ishte F. Papuqi që ka intervenuar para vijës së portës kur Bytyqi që veç ishte mposhtur.
Mysafirët në aksionin e radhës kanë arritur të shënojnë përmes Kushtrim Gashit, i cili me një gjuajtje të saktë dhe precize godet këndin e epërm të majtë të portierit Krasniqi nga vija e 16 metërshit.
Drita në 45 minutat e parë ka mundur të shënojë gol dhe barazojë rezultatin, pasi vërtet kishin shumë raste, ndërsa vlen të theksohen ato të minutës 24 dhe 31, ku së pari Xh. Shabani me kokë nga afërsia ka mundur të shënojë pas asistimit të B. Shabanit, por portieri Bytyqi pret me sukses. Edhe në rastin e radhës sulmuesi Ramushi nga mesi i fushës kalon disa mbrojtës mysafirë, futet brenda zonës dhe nga një pozitë ideale ka gjuajtur fuqishëm, por përsëri ishte Bytyqi që pret ketë top.
Në pjesën e dytë Drita ka vazhduar me sulmet e saj drejt portës së Besës dhe vetëm pritej kur Drita do të shënonte gol. Vlen të përmenden sidomos dy nga ato shumë që patën. Në minutën e 65, Abazi i vetmuar ka gjuajtur jashtë portës dhe në minutën e 70, Rama nga 20 metra godet horizontalen, ndërsa në topin e kthyer nga horizontalja, sulmuesi Ramushi godet mbi portë edhe pse ishte i vetmuar.
Kur Drita sulmonte me të gjitha forcat, ashtu siç është zakon i pashkruar në futboll, Drita nga kundërsulmi i mysafirëve ka pësuar edhe golin e dytë, ndërsa golashënues ishte i sapo inkuadruari në lojë Maloku, i cili ka shfrytëzuar gabimin e Ahmetit, i cili ia dhuron topin këtij sulmuesi, i cili del i vetmuar para Krasniqit të cilin e mposht me lehtësi dhe për të shënuar rezultatin përfundimtar 2:0 në të mirë për mysafirët.
Pas përfundimit të lojës pakënaqësia e shikuesve, drejtuar shtabit teknik dhe udhëheqësve së klubit ishte e ashpër, gjë që pas përfundimit të ndeshjes kryetrajneri Arbnor Morina ka dhënë dorëheqje nga ushtrimi i trajnerit në skuadrën e Dritës.
Thanë pas ndeshjes:
Arbnor Morina, kryetrajner i Dritës: Rastet e shumta që patëm nuk i shfrytëzuam, ndërsa skuadra mysafire i patë dy raste dhe dy herat shënoi. Problemet që janë duke na përcjell qe disa javë radhazi i kam paraqitur te kryesia e klubit, por asgjë nuk kanë ndërmarr për t`i evituar këto. Prandaj unë kam paraqitur dorëheqjen time dhe nuk jam më trajner i Dritës.
Miftar Rama, kryetrajner i Besës: Edhe para kësaj ndeshje kam paralajmëruar se do të befasojmë Dritën dhe këtë e arritëm. Lojtarët e mi luajtën mirë, rastet që i patëm i shfrytëzuam. Falënderoj skuadrën e Dritës për lojë fer dhe korrekte./rajonipress/