“Drita” e Gjilanit e pakënaqur me vendimet e fundit të FFK-së

Gjilan – Klubi Futbollistik” Drita” nga Gjilani, po vazhdon të kërkojë vendime të rrepta në futbollin Kosovar. Nënkryetari i Bordit të KF Drita, Besim Ismaili, tregon se ka zhvilluar një takim me kreun e FFK-së Fadil Vokrri dhe përfaqësuesit e klubeve të superligës.
Sipas tij rëndësia e këtij takimi ka qenë rreth problemeve të fundit në kampionat dhe kërkesa e KF”Dritës” që të ketë një përfaqësues në FFK , si anëtar i Superligës që janë.
“Ne kërkuam nga kreu i FFK-se që të merren masa disiplinore ndaj atyre që ja prishin imazhin futbollit kosovar dhe që FFK-ja të mos jetë për dikë nënë e për dikë njerkë. Javëve të fundit kanë ndodhur përleshje apo t`i quajmë arena të gladiatorëve nëpër stadiume, mirëpo ne jemi të pakënaqur me vendimet që janë marrë, si për mos organizim të mirëfilltë, shkëmbime grushtesh, hedhje të gjësendeve në fushë etj . Është dashur të dënohen ashpër iniciuesit e prishjes dhe rendit për mos organizim të mirëfilltë, dhe në qoftëse është e nevojshme me përjashtim nga garat apo marrjen e pikëve, që të vetëdijesohemi dikur” ka thënë Besim Ismaili.
Besim Ismaili u bëri thirrje klubeve që mos të dalin me deklarata dezinformuese, që njollosin opinionin futbolldashës kinse klubet po punojnë kundër njërit apo tjetrit. “Ne i rekomandojmë kreut të FFK-se , Fadil Vokrrit që në asnjë mënyrë mos të bëjë lëshime, si në rastet e fundit me disa vendime qesharake” mendon Ismaili.
Sipas nënkryetarit të Bordit të KF “Drita”, duhet të merren vendime strikte , në qoftëse mendojmë të avancojmë futbollin Kosovar./rajonipress/