ARKATANA

Drita Bajrami Kajtazi – gruaja që rrezatonte profesionalizëm, urtësi dhe njerëzi

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Mëngjesi i së enjtes, më 24 tetor 2024, solli një nga lajmet më të rënda dhe më tronditëse për familjarët, miqtë, kolegët dhe gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër Drita Bajrami Kajtazin. Ishte një lajm i papritur, i dhimbshëm dhe pothuajse i paimagjinueshëm, lajmi për ndarjen nga jeta të një gruaje që me personalitetin, profesionalizmin dhe njerëzinë e saj kishte lënë gjurmë të pashlyeshme kudo ku kishte vepruar.

Drita Bajrami Kajtazi nuk ishte vetëm një inxhiniere e përgatitur dhe një profesioniste shembullore. Ajo ishte një grua me kulturë, një nënë e përkushtuar, një bashkëshorte e respektuar dhe një kolege që dinte të fitonte respektin e të gjithëve me qetësinë, komunikimin racional dhe sjelljen e saj fisnike.

Për kolegët me të cilët punoi ndër vite, Drita mbetet sinonim i përgjegjësisë dhe korrektësisë profesionale. Ata që ndanë ambientin e punës me të kujtojnë një grua të përgatitur, të palodhur dhe largpamëse, e cila çdo detyrë e kryente me përkushtim të jashtëzakonshëm. Humbja e saj konsiderohet e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet ku ajo kontribuoi me vite të tëra pune dhe përvojë.

Dhimbja bëhet edhe më e rëndë kur kujtohet periudha e vështirë që ajo dhe shumë profesionistë të tjerë përjetuan pas largimit nga puna në kuadër të proceseve të suspendimeve shumëvjeçare në sektorin publik.

Për më shumë se shtatë vite, Drita, së bashku me kolegë të tjerë, mbeti larg profesionit të saj, ndonëse njihej si një kuadër me integritet dhe kompetencë të lartë profesionale. Rikthimi i saj në punë u prit me gëzim nga kolegët dhe miqtë, por fati deshi që ajo të mos qëndronte gjatë mes tyre.

Vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta, kolegët e kishin vizituar në zyrën ku ishte rikthyer të punonte sërish. Si gjithmonë, ajo kishte pritur me buzëqeshje, respekt dhe ngrohtësi njerëzore, duke reflektuar optimizëm dhe dashuri për jetën e profesionin.

ARKATANA

Sot, kujtimi për Drita Bajrami Kajtazin mbetet i gjallë te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën. Ajo do të kujtohet si një grua që rrezatonte dritë njerëzore, urtësi dhe fisnikëri, një emër që i dha kuptim vetë emrit që mbante.

Ndarja e saj nga jeta është një humbje e madhe dhe e pakompensueshme, por kujtimi për të do të mbetet i përhershëm në zemrat e atyre që patën privilegjin ta njohin dhe të punojnë pranë saj.

Drita Bajrami-Kajtazi kujtohet nga miqtë, kolegët dhe bashkudhëtarët e saj si një grua e urtë, e dashur, e sinqertë dhe me vlera të rralla njerëzore. Ata që ecën dhe vepruan pranë saj e përshkruan si një personalitet të qetë, mirëkuptues dhe jashtëzakonisht komunikues, që dinte të afronte njerëzit me butësinë dhe respektin e saj.

Për bjeshkatarët e Shoqatës “MAJA”, ajo mbeti simbol i dashurisë për natyrën, një udhërrëfyese e ecjeve malore dhe një shoqe besnike me të cilën mund të ndaje çdo shqetësim e gëzim.

Shpresa Rama e cilësoi Dritën si “dritë për Majën”, duke kujtuar se me të kishin ngjitur shumë maja dhe kishin ndarë kujtime të paharrueshme, ndërsa të tjerë vlerësuan profesionalizmin, devotshmërinë dhe kujdesin që ajo tregonte ndaj secilit, qoftë në përditshmëri apo gjatë ekspeditave. Për të gjithë ata që e njohën, Drita mbeti një grua fisnike, e mençur dhe me zemër të madhe, kujtimi i së cilës vazhdon të jetojë përmes respektit dhe dashurisë që la pas./rajonipress/