Dreshaj për tollovinë tek “1 Tetori”: Nëse dikush ka qenë i infektuar, pas dy javësh mund të kemi fluks të rasteve të reja

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, njëherësh infektolog ka thënë që frika nga koronavirusi është e madhe në vend. Ai në emisionin “Frontal” në T7 ka thënë se gjithçka është duke çaluar në shëndetësi, shkruan Gazeta Express.

“Kam përshtypjen që gjithçka është duke çaluar në aspektin e shëndetësisë. Jemi në një situatë kur këto skena që po paraqiten, janë skena që shumëkujt i kujtojnë shumë skena që i kemi pasur para 20 vitesh. Njerëzit janë duke kërkuar që të mbrohemi. Frika nga koronavirusi është e madhe. Është me ne rreth, nesh dhe çdo ditë po merr jetë njerëzish”, deklaroi ai.

Dreshaj tha se ka gjasa që pas dy javësh të ketë fluks të rasteve me koronavirus. Kjo pasi sipas tij distanca mes të moshuarve sot ka qenë shumë e vogël.

“Unë thashë që grupet më të rrezikuara kanë qenë në afërsi të madhe. Nëse dikush aty ka qenë i infektuar dhe nuk ka pasur distancë, atëherë pas 14 ditësh mund të kemi edhe fluks të rritjes së rasteve. Nuk mund të them se kush është përgjegjësi kryesor sepse janë disa segmente të informimit për marrje të vaksinës. Këtu diku mundet me pas çalime që kanë ardhur deri tek këto pritje të gjata”, deklaroi më tutje ai.

Deputeti i AAK-së ka thënë se hapja e vetëm një qendre për vaksinim është shumë pak.

“Edhe vetëm një pikë për vaksinim është pak për 300 mijë banorë të kryeqytetit. Është për çdo kritikë. Një gjë e tillë nuk ka guxuar që të ndodh dhe nuk kemi guxuar që t’i rrezikojmë këta njerëz”, ka thënë më tutje Dreshaj në T7.

Më tutje ai foli edhe për publikimin e një fotografie të ministrit Arben Vitia duke pirë kafe diku në kryeqytet.

“Nuk e arsyetoj kafen e ministrit, ose qëndrimin e tij të gjatë në kafe. Sidomos nëse i njëjti ka qenë aty gjatë kohës sa kishte radhë të gjata tek qendra”, tha ai.

“Po kam informacione që shumë qytetarë qofshin të kombësisë shqiptare ose serbe, janë duke u vaksinuar në pjesë të ndryshme të Serbisë. Njëjtë është duke ndodhur edhe në shtetin amë”, tha Dreshaj. /Express/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS