Dreshaj: Është shkruar për gjëra që nuk ekzistuan kurrë

Duket se sukseset e saj në botën e modelimit tani më shumë se kurrë, kanë marrë rrugën e duhur, duke e renditur atë nëpër pistat më të rëndësishme të botës. Dhe përveç angazhimit suksesshëm në këtë fushë, bukuroshja Afërdita Dreshaj me një përkushtim të madh i është rikthyer edhe angazhimeve muzikore, të cilat thekson se do të vijnë me një kujdes të veçantë e paraqitje ndryshe.
Tribuna: Afërdita, cila është arsyeja e ardhjes në Kosovë?
Afërdita: Në Kosovë kam ardhur për të bërë një këngë të re, të cilën po e regjistroj. Pastaj normal edhe për angazhime tjera e çdoherë takimi me kolegët e mi dhe shoqërinë time këtu.
Një tekst që flet për jetën time
Tribuna: Na flisni pak për bashkëpunëtorët rreth kësaj kënge dhe gjërat ndryshe që do të vijnë bashkë me krijimin e ri?
Afërdita: Faktikisht është një këngë shumë më ndryshe nga ajo që është dëgjuar nga Afërdita më parë. Është një këngë ritmike por ndryshe nga tjerat. Tekstin dhe muzikën i ka bërë Blero, ndërsa videoklipi do të bëhet në Shqipëri me ‘Max Producion’. Shpresoj që të pëlqehet nga publiku. Pastaj kam edhe një bashkëpunim që do të vijë pas këngën solo e që ndoshta më mirë është që tani për tani mos të flas më tepër për të. Nuk kam ardhur ndonjëherë me ndonjë bashkëpunim, kështu që shpresoj se ky do të jetë i pranishëm mirë.
Tribuna: Sa gjatë do të qëndroni në Kosovë?
Afërdita:Për fat të keq nuk mund të rri aq sa kam dëshirë. Mjafton dy javë derisa të mbaroj klipin, këngën dhe kam një tjetër angazhim për të vazhduar disa xhirime me imazhin që kam pas tek birra ‘Tirana’. Do xhirojmë reklamën, këngën e klipin e pastaj më presin punë të tjera në Amerikë.
Tribuna: Kurë mendoni ta lansoni në treg këngën?
Afërdita:Po mendojmë që këngën ta mbarojmë në muajin maj, në mënyrë që të dalë në qershor në televizione e radio. Teksti nuk ka të bëjë me dashuri apo me gjëra tjera. Është një tekst interesant, një tekst që flet për jetën time, angazhimet e mia. Nuk po hyj më në detaje (qeshet).
Tribuna: Sa ia ka dalë Blero që përmes këtij teksti të sjellë në detaje gjërat që flasin për jetën tënde?
Afërdita:E kemi diskutuar dhe kemi vendosur të dy bashkë. Normal që në një tekst apo këngë nuk mund të futen të gjitha gjërat që përkufizojnë jetën time, por është e mjaftueshme.
Tribuna: Kur jemi tek bota e modelimit, na thuaj se si po shkojnë punët në këtë drejtim?
Afërdita: Shumë, shumë mirë! Është një periudhë që vërtet s’kam qenë kurrë më mirë se tash në botën e modelimit. Kam pas kontrata të ndryshme nëpër qytete të ndryshme, duke filluar nga Majami, Nju Jork-u, pastaj Greqia, Gjermania e vende tjera.
Ndjehem e relaksuar gjatë udhëtimeve, flejë gjithë kohës
Tribuna: Po markat më të njohura me të cilat punoni, cilat janë?
Afërdita:Jam me disa agjenci të njohura botërore si për shembull: ‘Nex’ në Majami, ‘One’ në Nju Jork, ‘MGM’ në Gjermani të cilat janë kompani që sjellin gjëra të ndryshme në botën e modës, e që mua më bie të reklamoj duke filluar nga flokët, nga makijazhi, nga rrobat të cilat janë pjesë e botës sonë të përditshme. Ndjehem mirë në këtë drejtim, e më e përqendruar tani sepse pak a shumë e pata lënë anash botën e modelimit sa kam qenë këtu.
Tribuna: Një botë e jetuar në lëvizje e fluturime të shpeshta. I keni frikë udhëtimet në qiell të hapur…aeroplanët?
Afërdita: Jo, në aeroplan ndjehem shumë, shumë e relaksuar. Flejë gjatë gjithë udhëtimeve, dhe ndjehem shumë rehat.
Tribuna: U janë mërzitur udhëtimet e shpeshta?
Afërdita: Vërtet është pak e lodhshme, por është edhe e bukur sepse çdoherë je në një vend tjetër dhe ndryshe, dhe shikon e njoftohesh me gjëra të ndryshme e të bukura.
Tribuna: U dakorduam që mos t’iu pyesim rreth jetës private, ani pse është një kënd që njerëzve ju intereson shumë. Po të paktën na thuaj se si qëndroni përballë thashethemeve që shkruhen për ju?
Afërdita: Nuk kam çfarë të them. Quhen vetë thashetheme dhe kjo e fletë të gjithën. Thjesht më brengos fakti kur gazetarët të cilët janë profesionistë shkruajnë diçka që nuk është e vërtetë apo shkruajnë diçka që ka dalë nga goja e dikujt tjetër, që e dëgjojnë. Kjo është pako profesionale. Thjesht ai njeri që më njeh dhe e di se kush jam, e njeh edhe vetë lajmin se cili është i vërtetë apo jo. Kaq mund të them!
Tribuna: Shpesh kemi parë të shpërndani foto nga koha juaj në palestër, nëpër rrjetet sociale. Sa shumë kohë i kushtoni formësimit të trupit?
Afërdita: Mundohem t’i kushtoj kohë palestrës. Ndjehem shumë mirë. Kam filluar para disa muajve dhe po mundohem ta mbaj çdo ditë.