Fundamenti

Drejtues të UBT-së në takimin përmbyllës të projektit në kuadër të AEP-it

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Tetovë – Drejtues të UBT-së, rektori Edmond Hajrizi dhe dekani i Fakultetit për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Muzafer Shala morën pjesë në takimin përmbyllës të projektit në kuadër të AEP (Academic Exchange for Progress), që u mbajt në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ky program ka përfshirë partneritetin mes Universitetit Gjøvik në Norvegji, UBT-së, Universitetit të Tiranës, Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

Programi ka përfshirë mobilitetin e profesorëve dhe studentëve, si dhe bashkëpunim në projekte të përbashkëta. Në kuadër të këtij programi, pesë studentë të UBT-së kanë qëndruar nga një semestër në Universitetin Gjøvik në Norvegji, ndërsa në po këtë universitet po i kryen studimet e doktoratës një student, që ka mbaruar studimet themelore dhe ato master në UBT, dhe që është staf akademik i tij.

RCCOLA

Në takimin e mbajtur në Tetovë u bë një rekapitullim i bashkëpunimit të deritashëm dhe i rezultateve të këtij bashkëpunimi, të cilat janë të shënuara dhe kanë hapur rrugë për bashkëpunim të mëtejmë edhe në projekte të tjera të përbashkëta.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi e vlerësoi lart bashkëpunimin në kuadër të këtij programi. Gjatë këtij programi, UBT ka realizuar suksese të shumta, si në fushën e sigurisë së informacionit, konferenca, punësim të studentëve dhe bashkëpunim më të afërt me industrinë, bashkëpunim me universitetet rajonale, posaçërisht me Universitetin e Tiranës dhe Departamentin për Siguri të Informacionit dhe shkencë, ku janë zhvilluar edhe shumë projekte të përbashkëta.

Përfaqësues të universiteteve, pjesëmarrës në takim, shtruan edhe një varg projektesh për bashkëpunimin në të ardhmen, në kuadër të programeve “Erasmus +”, “Horizon 2020” e programe të tjera./rajonipress/