Drejtoria e arsimit po tregon paaftësi dhe pafuqi për të menaxhuar me arsimin

Gjilan – Leonora Morina Bunjaku këshilltare komunale nga radhët e PDK-së dhe pjesë e komitetit të arsimit tha për rajonipress se janë dy tri skandale që po e përshkruajnë gjendjen në arsimin gjilanas dhe Nazmi Musa si drejtor i arsimit po heshtë. Kjo tregon paaftësi dhe padituri në menaxhim dhe vendosje të rendit në këtë fushë thotë Morina.
Mos mbajtja e mësimit për dy javë në shkollën e artit pamor, problemet dhe akuzat e nxënësve për skandale seksuale, rrahja e profesorëve në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, promovimi i një bunari me paratë e nxënësve dhe zhvillime tjera negative në fushën e arsimit e kanë shqetësuar tej mase taborin opozitar, raporton rajonipress.
Leonora Morina Bunjaku këshilltare komunale nga radhët e PDK-së dhe anëtare e komitetit të arsimit tha për rajonipress se drejtoria e arsimit është e paaftë për të menaxhuar me problemet që po ndodhin kohëve të fundit.”Unë edhe në komitetin e arsimit kam kërkuar njoftim dhe raport me shkrim nga Nazmi Musa, se çka po ndodhë me nxënësit e artit pamor të cilët ka dy javë që nuk mbajnë mësim. Përkundër këtij shqetësimi Musa nuk po ndërmerr kurrfarë hapa apo masa” tha Morina.
Morina tha se heshtja e drejtorisë së arsimit tregon se është e paaftë të vendos rend e rregull në fushën e arsimit.”Nuk mund të pritet diçka pozitive nga kjo strukturë kur kryetarin e komunës tërë kohën e kemi jashtë vendit kurse drejtori i arsimit Nazmi Musa nuk po vepron, po ka frikë dhe po tregon pafuqi dhe paaftësi, dhe po tregon edhe sjellje të pahijshme në komitetin e arsimit” tha Morina.
Morina tha se drejtori i arsimit duhet të konsultohet edhe me ekspertët e opozitës sepse realisht ai është pa vizion dhe nuk e ka të qartë peshën që ka sektori i arsimit./rajonipress/