Mobi Casa

Drejtorët komunalë të Gjilanit prezantojnë punën 3-mujore janar – mars 2023

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Drejtorët e drejtorive komunale të Gjilanit, kanë prezantuar të enjten në një konference për media punën 3-mujore janar mars – 2023, organizuar nga Zyra e Kryetarit.

Drejtoresha për Administratë të Përgjithshme, Doruntina Hasani, gjatë adresimit para gazetarëve, ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe kjo Drejtori ka pranuar mbi 32 mijë lëndë, ndërkaq janë kryer me suksese 93.6 për qind e tyre.

Drejtori për Shërbime Publike, Mentor Mihovci, pohoi se janë pranuar 252 kërkesa nga qytetarët, ku janë shqyrtuar dhe miratuar që të gjitha, është realizuar projekti i mirëmbajtjes së rrugëve, ka filluar projekti “Banja”, sikurse edhe ndërtim të rrugëve, shtrirje të rrjetit të kanalizimit e ujësjellësit në disa lagje e fshatra.

Drejtori për Buxhet dhe Financa, Riad Rashiti, ka thënë se me sukses është realizuar plani i punës për periudhën janar-mars 2023, me një aplikim të një disipline të lartë buxhetore, derisa ka njoftuar se Komuna ka paguar mbi 7.2 milionë euro borxhe të trashëguara.

Drejtori për Urbanizëm Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ali Arifi, u shpreh se gjatë kësaj periudhe kanë pranuar 157 lëndë, ku 114 janë kompletuar, derisa 43 janë në proces, ndërsa informoi se akte të përfunduara në këtë 3-mujor janë 425.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Aurorë Osmani, gjatë adresimit para mediave, ka thënë se janë realizuar kontrollat sistematike të nxënësve, fillimi i kontrollave për pensionistët një herë në javë e projekte tjera të rëndësishme.

Drejtoresha për Arsim, Albana Demiri, ka theksuar se gjatë kësaj periudhe është miratuar Plani i Zhvillimit të Arsimit për katër vitet e ardhshme, janë miratuar aktet nënligjore për sektorin e arsimit, është bërë sistemimi i psikologëve dhe pedagogëve, sikurse edhe realizimi i projektit të dollapëve për nxënësit e shkollave fillore nga klasat 1-5.

Drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Bekim Salihu, tha se gjatë 3-mujorit të vitit 2023, janë paguar mbi 640 mijë euro borxhe për shpronësime apo 25 për qind e mjeteve të planifikuara, derisa ka njoftuar se kjo Drejtori në sektorin e kadastrit, gjeodezisë dhe pronës ka trajtuar afro 2 mijë lëndë.

Fundamenti

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani, ka thënë se është bërë intervenimi në pastrimin e lumit Stanishorka, derisa Komuna me dy ekipe të zjarrfikësve ka mbështetur Mitrovicën për përballimin e vërshimeve.

Ai theksoi se për herë të parë Komuna ka ndarë 100 mijë euro për pastrimin dhe mirëmbajtjen e lumenjve, sikurse që edhe 100 mijë euro për aneks-garazhën e zjarrfikësve në bashkëpunim me AME.

Drejtoresha për Inspekcion, Entela Hyseni, u shpreh se gjatë periudhës janar – mars 2023 ka më pak gjoba e më shumë leje ndërtimi në komunën e Gjilanit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Enver Shabani, pohoi se janë bërë 18 projekte të reja zhvillimore të cilat do të realizohen në bashkëfinancim me donatorët, ku Komuna do të ndajë 2.7 milionë euro, ndërkaq donatorët 3.6 milionë euro, ndërkaq ka bërë të ditur se Komuna ka filluar përgatitjet për Fondin për Ndërmarrësit për subvencionim të bizneseve ekzistuese.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, në këtë konferencë, tha se Komuna ka realizuar pesë memorandume me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për bashkëfinancimin e Flakës së Janarit, Festivalit të teatrove të shkollave të mesme, xhepat e gjelbër, skulpturat monumentale e renovimin e palestrës së sporteve “Bashkim Selishta-Petriti”, ndërkaq me Ministrinë Zhvillimit Rajonal është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit për objektin e Kult Qendrës.

Zeqiri, po ashtu, njoftoi se përmes Kuvendit Komunal, janë mbështetur organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, shoqata kulturore “Ditët e Agimit”, klubi i boksit “Drita” e klubi i volejbollit “Drita” (f), në total prej 74 mijë e 445 euro.

Kurse, drejtori për Bujqësi dhe Pylltari, Bajram Isufi, ka thënë se është bërë rritja e buxhetit për 100 për qind për subvencione, shërbime dhe mallra, ndërkaq ka informuar se 885 fermerë kanë aplikuar në Drejtori për pagesa direkte nga niveli qendror.

Në fund, në emër të kryetarit Alban Hyseni, Isufi ka uruar të gjithë qytetarët për festën e Fitër Bajramit./rajonipress/