Drejtësia të pastrohet nga gjyqtarët dhe prokurorët e kapur nga politika dhe korrupsioni
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se pushteti dhe politika e ardhshme parlamentare pas formimit të qeverisë duhet të votojnë për një reformë radikale në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që drejtësia t’i shërbejë popullit.
Sipas tyre, është imperativ i kohës që më në fund monopoli i drejtësisë t’i hiqet oligarkisë së mafisë së politikës, derisa kërkohet që sistemi i drejtësisë të riorganizohet me themel dhe të rifunksionalizohet e të vihet në funksion të zbatimit konsekuent dhe konsistent të ligjit të aplikuar. Ndaj ata këmbëngulin se ky është momenti apo çasti i fundit, sepse në të kundërtën nuk mund të justifikohet ekzistimi i prokurorive dhe gjykatave kur shumë raste janë haptazi korruptive, abuzive, spekulative, dhe nuk persekutohen juridikisht. Së këndejmi ata e shtrojnë edhe çështjen se sa janë gjasat që pas formimit të qeverisë dhe institucioneve tjera të reja të ndryshojë gjendja e brishtë dhe e pa shpresë në sistemin e drejtësisë, e cila tani është selektive dhe në vazhdimësi e mban anën e atyre që udhëheqin me shtetin, pa e qarë kokën fare për qytetarët dhe as fuqizimin e shtetit. Për këtë dhe atë se deri kur drejtësia kosovare do të heshtë para rasteve të mëdha, ku janë të përfshirë mafio-oligarkët, flet shkrimi në vijim.
Ndëshkimi qytetar
Analisti Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se votuesi kosovar tashmë foli dhe ai me votë e ndëshkoi ashpër status-quonë e “elitës” politike në Kosovë, duke ndëshkuar bashkëqeverisjen e pamoralshme LDK-PDK, derisa sipas tij kjo do të thotë se populli votoi për t’i hapur rrugën drejtë- sisë dhe luftës kundër krimit e korrupsionit, gjersa siç tha gjithçka e keqe shoqërisë i vjen nga politika dhe nga pushteti i keq dhe i korruptuar. “Tashmë le të presim se si do të konfigurohet qeveria e re, në përbërje të së cilës nuk duhet të përfshihen individë me rekorde krimi dhe korrupsioni. Tashmë si pushteti dhe politika parlamentare duhet ta marrin në konsideratë vullnetin e popullit, i cili i zgjodhi dhe politika parlamentare duhet të votojë për një reformë radikale në sistemin e drejtësisë në mënyrë që drejtësia t’i shërbejë popullit, pra monopoli i drejtësisë t’i hiqet oligarkisë së mafisë së politikës”, potencoi ai. “Pra, politika e pastruar deri diku nga vota popullore, tashmë duhet të zgjedhë edhe një qeverisje të pastër, si dhe ta miratojë reformën VETTING edhe për sistemin e drejtë- sisë duke e pastruar kështu edhe drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e kapur nga politika, korrupsioni, krimi dhe nga injorantët, ndërsa fitorja popullore në demokraci nuk është fitore në qoftë se nuk triumfon drejtësia në shtet, por fitore e drejtësisë është ajo e cila mbron të drejtat e të dobëtëve dhe jo padrejtësitë, krimin, vjedhjet dhe korrupsionin e më të fortëve, pra të oligarkisë”, ka vijuar më tej Kapiti, derisa ka shtuar se vullneti politik duhet t’i nënshtrohet, t’i bindet dhe t’i shërbejë vullnetit dhe interesit publik dhe lirive e të drejtave të njeriut, si dhe sidomos ligjit dhe moralit
Degradimi i sistemit
Analisti tjetër, Naim Kelmendi, thotë se mungesa e ndjenjës së qytetarëve se po jetojnë në një vend të bazuar në shtetin e së drejtës është evidente dhe e pamohueshme, derisa kjo veç shumë arsyeve dhe faktorëve të ndryshëm, edhe për atë që sistemi i drejtësisë ka degraduar në përmbushjen e misionit të drejtësisë pikërisht me gjyqtarë e prokurorë pa integritet profesional dhe pa etikë.
Sipas tij në gjykata e prokurori janë instaluar njerëz të politikës apo të afërt dhe në ndërlidhje me politiken për t’u shërbyer kësisoj interesave të politikës dhe jo atyre qytetare, ndërkaq siç tha kjo e ka lënduar shumë sistemin e drejtësisë në detyrat e përgjegjësitë juridike në ndarjen e drejtësisë dhe për rrjedhojë edhe ka humbur besimi i qytetarit në këtë sistem. “Pra, gjendja është stagnuese dhe pa rezultate konkrete, dhe fatkeqësisht drejtësia tani për tani nuk është e pavarur nga ndikimet politike shumë të dëmshme për vetë funksionimin e saj dhe sa herë që atakohen apo preken njerëzit e mafio-politikës drejtësia kështu bëhet levë e saj, duke iu shërbyer interesave të mafio- politikës. Andaj është koha e fundit që drejtësia kosovare ta ndërpres këtë neglizhencë dhe mos punë dhe të mos heshtë por të veproj në të gjitha rastet njësoj, edhe ndaj atyre rasteve të mëdha ku janë të përfshirë mafio-oligarkët”, potencoi ai. “Pra thënë troç duhet qysh në fillim pas formimit të qeverisë dhe institucioneve tjera të reja të punohet me një dinamizëm shumë më të madh në mënyrë që të ndryshojë kjo gjendje e brishtë dhe e pa shpresë në sistemin e drejtësisë, dhe që drejtësia të mos vazhdojë të jetë selektive”, është shprehur Kelmendi./kosova sot/


