Drejtësia të nisë pastrimin nga radhët e veta
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, por edhe opozitarët e vendit kanë thënë se fillimisht duhet të pastrohet politika dhe përmes saj pastaj të kalohet edhe në institucionet e drejtësisë, të cilat janë të kapura nga politika, derisa, sipas tyre, në këtë drejtim kërkohet një reformë rrënjësore, gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale, e cila brenda saj do të përfshinte gjithsesi edhe mënyrën e vlerësimit, procedurat e përzgjedhjes së strukturave përkatëse në institucionet e drejtësisë, por edhe në institucionet e tjera.
REPUBLIKA E KOSOVËS, VEND I PADREJTËSIVE
Dekriminalizimi, emergjencë për sistemin
“Nuk duhet të ketë amnisti nga ana e drejtësisë, por as vonesa dhe, mbi të gjitha, as drejtësi selektive derisa kjo është e vetmja mënyrë dhe indikatori i vetëm që tregon se me të vërtetë ka vullnet për ta dekriminalizuar dhe për ta ngritur integritetin në sistemin e drejtësisë”, ka spikatur për gazetën “Kosova Sot” Visar Sutaj, nga KDI-ja
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, por edhe opozitarët e vendit kanë thënë se fillimisht duhet të pastrohet politika dhe përmes saj pastaj të kalohet edhe në institucionet e drejtësisë, të cilat janë të kapura nga politika, derisa, sipas tyre, në këtë drejtim kërkohet një reformë rrënjësore, gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale, e cila brenda saj do të përfshinte gjithsesi edhe mënyrën e vlerësimit, procedurat e përzgjedhjes së strukturave përkatëse në institucionet e drejtësisë, por edhe në institucionet e tjera.
Prandaj, në këtë drejtim, veç të tjerash, ata thonë se vetëm një Prokurori e pastër nga të inkriminuarit dhe e fortë mund të pastronte e të largonte më pastaj të inkriminuarit e tjerë në institucionet e tjera të shtetit, madje edhe në gjykatat e Kosovës. Ndaj është ngritur edhe pyetja se a mund të ketë drejtësi të mirëfilltë dhe sundim të ligjit e rendit pa pastrimin e sistemit të drejtësisë përmes një “Vettingu” serioz, që do t’i hapte rrugë kësisoj edhe perspektivës së qytetarëve të pashpresë në Kosovën e kapur, të ngulfatur e të nëpërkëmbur nga mafio- politikanë e mafio- oligarkë të bizneseve të kundërligjshme, të cilët janë bërë së bashku për të zhvatur e për të plaçkitur edhe atë pak pasuri që ka mbetur akoma?
Profesori universitar Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se në radhë të parë do të duhej një reformë rrënjësore në kuptimin gjithëdimensional jo vetëm në Gjyqësor, por në gjitha segmentet e drejtësisë dhe hallkat institucionale të shtetit, shkruan gazeta Kosova Sot.
Reforma gjithëpërfshirëse, e domosdoshme
Sipas Baraliut, reforma duhet të shtrihet në të gjitha hallkat e tjera, edhe të shoqërisë civile, dhe në shoqëri përgjithësisht. “Një reformë gjithëshoqërore në kuptimin e respektimit të kulturës së të bërit punë e të bërit shtet, por edhe të bërit biznes. Pra, në të gjitha fushat, aspektet dhe dimensionet neve na duhet reformë, derisa “Vettingu” gjithsesi është i rëndësishëm, siç ishte në Shqipëri, por është i pamjaftueshëm për arsye se nuk mjafton që të kemi ndërmarrje, të bëjmë hapa reformues dhe rrënjësorë në kuptimin e transformimit shtetëror dhe institucional vetëm në drejtësi e gjyqësi, sepse është pak dhe e pamjaftueshme, pasi do të duhej në të gjitha hallkat institucionale dhe shoqërore deri tek vetëdija e qytetarit, pra ngritja e vetëdijes së tij dhe veprimi e edukimi i shëndoshë, pozitiv, që duhet çmuar vlerat dhe vetëm atë që është e jotja dhe jo të pretendosh e të lakmosh atë që nuk është e jotja, por e huaja”, potencoi ai. “Pra, me një fjalë, do të duhej një reformë rrënjësore, gjithëpërfshirëse e shumëdimensionale, e cila brenda saj do të përfshinte gjithsesi edhe mënyrën e vlerësimit, procedurat e përzgjedhjes së strukturave përkatëse në institucionet e drejtësisë, por edhe në institucionet e tjera. Po them edhe një herë gjithëpërfshirëse, të Qeverisë dhe punë vepruese, pra edhe në shoqërinë civile, edhe në sistemin e edukimit, arsimimit, shëndetësisë, të kulturës dhe kudo qoftë”, është shprehur Baraliu.
Të korruptuarit të dënohen
Visar Sutaj, nga KDI-ja, thotë se dekriminalizimi i sistemit të drejtësisë duhet të konsiderohet me prioritet, gjersa, sipas tij, kjo bëhet duke e promovuar integritetin brenda sistemit të drejtësisë, në kuptimin që gjyqtarët dhe prokurorët të kenë sa më shumë integritet, po ashtu sa më të pastër, dhe të cilët i përmbahen kodit të etikës, por edhe në mënyrë të barabartë servojnë drejtësi. Por, sipas tij, kjo më së miri matet derisa në sistemin e drejtësisë nuk ka vonesa, nuk ka drejtësi selektive, dhe vërtet, siç tha, ka raste konkrete në luftën kundër korrupsionit.”Pra, ngritja e integritetit të gjyqtarëve e prokurorëve, apo dekriminalizimi i tyre më së miri mund të përkthehet vetëm me vullnetin e tyre, me raste konkrete në dënimin e zyrtarëve të lartë publikë të fuqishëm, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në afera korruptive”, ka potencuar ai. “Meqë po flitet kaq shumë për korrupsion dhe po ashtu ekzistojnë shumë afera të përfolura të rasteve korruptive, dhe shohim se njerëzit, të cilët dyshohen apo vërtet kanë bërë krim ose korrupsion, të njëjtët duhet edhe të marrin dënimin meritor, pra nuk duhet të ketë amnisti nga ana e drejtësisë, por as vonesa dhe, mbi të gjitha, as drejtësi selektive derisa kjo është e vetmja mënyrë dhe indikatori i vetëm që tregon se me të vërtetë ka vullnet për ta dekriminalizuar dhe për ta ngritur integritetin në sistemin e drejtësisë”, ka spikatur për gazetën “Kosova Sot”, Visar Sutaj nga KDI-ja./kosova sot/


