UBT

Drejtësia të hetojë zhvatjen qindra-milionëshe të fondeve të luftës

/ 12 minuta lexim
ARKATANA

Shtetit të varfër të Kosovës, bazuar edhe në deklarimet e fundit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në AKK, po shihet që dita-ditës po shtohen e i zbulohen milionerët e politikës, madje edhe duke qenë veteranë në politikë, me pasurim të pandalshëm dhe tejet të dyshimtë.

KU PËRFUNDUAN PARATË QË U DHANË PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS?

Institucionet e reja ta bëjnë transparencën e munguar që 18 vjet

“Më të dhimbshëm e bën faktin, që legjislativi i vendit asnjëherë deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë për formim të ndonjë komisioni hetues, për pasurimin brenda natës të personave kyçë të këtyre fondeve, apo të bëjnë presion tek drejtësia për zbardhje të këtyre keqpërdorimeve të mëdha të djersës së popullit”, tha Albrim Badallaj

Shtetit të varfër të Kosovës, bazuar edhe në deklarimet e fundit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në AKK, po shihet që dita-ditës po shtohen e i zbulohen milionerët e politikës, madje edhe duke qenë veteranë në politikë, me pasurim të pandalshëm dhe tejet të dyshimtë. Duke qenë se Kosova është një shtet i ri i dalë nga lufta, për të cilën në vitet 90-ta u krijuan dy fonde në mbështetje të luftës, njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë, me të drejtë ngjallin dyshimin, për të mos thënë konstatim të palëkundshëm, se shumica e milionave të pasurisë së gjoja “të trashëguar”, edhe të krerëve të politikës, por edhe të deputetëve në Kuvendin e Kosovës e kanë bazën pikërisht tek dy fondet e famshme: fondi ‘VENDLINDJA THËRRET’ dhe fondi i 3%, që janë abuzuar në forma të ndryshme dhe në kohën e luftës. Ky dyshim vjen e forcohet ngase ka pasur akuza për shuma miliardëshe se si janë keqpërdorur, të gjitha ato para të popullit dhe asnjëherë deri më tani nuk është hapur ndonjë rast nga prokuroria, përkundër faktit se që nga viti 1999 ka mundur të bëhet një gjë e tillë. Nga menaxherët e këtyre dy fondeve asnjëherë nuk janë bërë publike se si janë shpenzuar qindra miliona euro e deri miliarda. Madje nuk ka pasur asnjë tentativë për të bërë auditim për këto para të popullit.

Institucionet të mos heshtin

Edhe pse dihet mirë se kush kanë qenë përgjegjësit për këto fonde, prokuroria heziton të merret me dy nga vjedhjet më të mëdha në 20 vitet e fundit, për shkak se po kjo politikë hajdutësh vazhdon të ketë ndikimin e vet edhe në telekomandimin e institucioneve të drejtësisë. Shpresa mbetet tani që mbase institucionet e reja, që do të dalin pas këtyre zgjedhjeve, nëse arrijnë të bëhet, të lëvizin ndonjë gurë edhe në këtë drejtim.

Prof. i së drejtës, Riza Smaka, thotë se është fakt brengosës heshtja e institucioneve publike. “Heshtja e tyre implicite është stimulim specifik i keqbërësve që eventualisht të vijojnë aktivitetin e inkriminuar në fusha dhe natyra të njëjta si dhe të ndryshme. Në shtetet e së drejtës kurdoherë dhe rregullisht, e së paku, katër herë në vit, jepen raporte financiare, të njëjtat vlerësohen dhe, në rast të konstatimeve të abuzimeve të mjeteve të caktuara, menjëherë , pa hezitime dhe energjikisht ndërmerren masa ligjore kundër keqbërësve, manipuluesve, abuzuesve apo spekuluesve të të njëjtave”, është shprehur ai. “Kur është fjala te mjetet financiare të mëdha të grumbulluara për destinime fisnike e humaniste e mbi të gjitha kombëtare, në një anë si dhe për dyshimet e bazuara të abuzimeve të pamëshirshme të tyre, rezulton se institucionet publike kompetente të vendit tonë , së paku jo deri sot, nuk ishin as për së afërmi në nivelin e funksioneve të besuara. Gjithsesi, qytetarët tanë janë tejet të brengosur e të shqetësuar për nebulozen e trajtës së menaxhimeve dhe të përdorimeve të mjeteve të destinuara për Çështjen e Kosovës, për së paku faktin se asnjëherë për të njëjtat nuk është dhënë raport as nuk ka pas mundësi për t’u vlerë- suar (i)legaliteti i destinimeve të tyre”, vijoi më tutje Smaka. “Le të presim se pas konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë së re të Kosovës, kjo temë të trajtohet me seriozitetin më të zellshëm e të madh. Gjithsesi ekziston dyshimi i bazuar se jo pak persona janë të involvuar në përdorimin e mjeteve në fjalë, që kanë bërë keqpërdorime të shumta e të mëdha gjithnjë në demin e paguesve të atyre mjeteve, të cilët nga kafshata e gojës kanë ndarë dhe dhënë kontribute për të mirën e Kosovës”, tha Smaka.

Të merren masa ndaj keqpërdoruesve

Eco Higjiena

Edhe prof. Muhamet Kelmendi, një dëshmitar besnik i kohës, kur janë vjelë këto fonde në diasporë, pohon se abuzimi i tyre është realitet, por që nuk po hetohet nga institucionet e shtetit, në emër të të cilit edhe janë vjelë ato fonde në kohën e luftës. “Në kuadër të dy fondeve që kanë vepruar brenda dhe jashtë, atij të 3% dhe të ‘Vendlindjes thërret’, është shkruar dhe diskutuar shumë, por nuk janë marre masa konkrete juridike dhe as penale. Çështja ka mbetur sikundër ka qenë pa asnjë masë. Nuk kemi as analiza të organeve dhe as hapje të procedurës hetimore kundër kompetenteve të këtyre dy fondeve. Ka mendime se keqpërdorimet shkojnë në qindra e miliona euro, si të fondit 3% , ashtu edhe te fondi ‘Vendlindja thërret’, sepse mjete financiare të futura nga populli në vitet e para luftës kanë qenë të mëdha”, tha Muhamet Kelmendi.

Ai ka rikujtuar se fondi 3% është krijuar në vitin 1991/2 dhe ka funksionuar deri në vitin 2000. Se tërë populli në diasporë ka dhënë nga 3% prej të ardhurave bruto të krijuara, pavarësisht shtetit. “Në këtë fond janë futur në vitin 1991/92 edhe mjetet e mbledhura financiare në lartësinë e një arme prej 1000 DM ose 1000 frangave ose 1000 dollarëve. Dhënia ka qenë shumë e lartë. Ato kanë hyrë në këtë fond. Udhëheqës të këtij fondi kanë qenë Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa. Këta edhe duhet të japin llogari financiare, politike dhe penale për këtë fond”, tha prof. Muhamet Kelmendi.

Abuzimet, sipas tij, kanë ndodhur edhe me fondin ‘VENDLINDJA THËRRET’, por ato kanë qenë në një periudhë më të shkurtër kohore. “Fondi ‘Vendlindja thërret’ është krijuar nga ana e Kryesisë së LPK në vitin 1994/95 dhe kryetar ka pasur Jashar Salihun. Në çdo shtet ka funksionuar ky fond. Kudo kanë qenë udhëheqësit e këtij fondi nëpër shtete. Njerëzit njihen dhe janë të ditur për organet e shtetit në Kosovë. Këto dy fonde duhet të hetohen dhe të merren masa. Mendoj se Kuvendi i Kosovës duhet domosdo të krijojë dy komisione për hetimin e këtyre dy fondeve dhe ato të dalin para kuvendarëve me raporte mbi të hyrat dhe të dalat e tyre. Po kështu dhe për interes të qytetarëve është që edhe organet e hetuesisë të merren me hyrjet dhe daljet e këtyre fondeve. Kjo për faktin se njerëzit e këtyre dy fondeve janë bërë shumë të pasur dhe me siguri kanë keqpërdorur mjete financiare nga ana e këtyre fondeve. Për hetim mjafton një indicie, thashetheme ose element i dyshimtë, ku domosdo prokuroria duhet të hetojë”, tha prof. Muhamet Kelmendi.

Drejtësia e kapur, pengesë për zbardhjen e abuzimeve

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, konsideron se një abuzim i tillë, kur nuk do të mund të hetohet e zbardhet, derisa Kosova nuk arrin ta krijojë sistem krejtë- sisht të pavarur të drejtësisë, sepse vetëm aty ku politika distancohet nga ndërhyrjet në sistemin drejtësisë, drejtësia ka sukses dhe avancohet në rrugën lineare duke realizuar shumë objektiva e përfundimisht duke arritur një qëllimi të caktuar. “Si mund të luftohet krimi, korrupsioni e kontrabanda nga mekanizmi i instaluar nga këta njerëz në sistemin e drejtësisë? Logjikisht i bie se këta njerëz nuk mund ta luftojnë veten, pasi që një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të instaluar nga njerëzit e sojit Grabovci, Veseli, Thaçi, Mustafa, Beqiri e Hamiti. Posaçërisht lufta e pakompromis e tyre për pushtet, nuk është pse e duan aq shumë pushtetin, por në momentin kur sistemi i drejtësisë çlirohet nga ndërhyrjet politike dhe transformohet në një drejtësi të pavarur dhe profesionale, një pjesë njerëzve të fuqishëm të politikës që kanë qenë në pozitat kyçe dhe kanë udhëhequr më institucione të rëndë- sishme, përfundojnë prapa grilave”, potencoi ai. “Është imperativ i kohës që të shkatërrohet kjo perandori kriminale, i cili çlirim do të përkthehet në dobi të qytetarëve dhe në interes të shtetit. Çlirimi i sistemi të drejtësisë nga politika e me theks të veçantë nga politikanët e fuqishëm të pasluftës përkthehet në rend, ligj, profesionalizim, ndërtim, konsolidim dhe instalim të një sistemi të pavarur të drejtësisë të munguar në Kosovë”, tha Hidajet Ahmeti. Me këtë sistem të kapur ai thotë se nuk mundë të hetohen as abuzimet me fondet e luftës sepse janë milionerët e krijuar nga këto fonde që pengojnë procesin e tillë. Fondi ‘VENDLINDJA THËRRET’ dhe fondi i 3% janë anomali që e ka përshkuar rrugën e Kosovës për liri dhe pavarësi. Prandaj, ka ardhur koha që të kemi një hetim të pavarur, e milioneret e pasluftës ta justifikojnë pasurinë e tyre milionëshe. Për hir të korrektësisë dhe profesionalizmit, pamarre parasysh spekulimet e vazhdueshme me emra të përveçëm, është mirë që drejtësia e pavarur ta thotë fjalën e vetë dhe përgjithmonë të mbyllen debatet spekulative, dhe keqpërdoruesit të përfundojnë prapa grilave”, u shpreh Ahmeti.

Milionerët e dyshimtë

Politologu Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, pohon se Kosova ka prodhuar milionerë për 17 vjet, më shumë se vendet e pasura për 50 vjet, dhe kjo as nuk dihet se si janë bërë milionerë dhe nuk beson që kjo do të hetohet as në një të ardhme të afërt, pavarësisht se mund të jetë e lidhur me abuzimin e fondeve të luftës. “Të dy fondet, ai i 3% dhe ‘Vendlindja thërret’ janë fonde që ka dëshmi se ka pasur para më se të mjaftueshme, ndërsa në Kosovë dhe vijat e frontit ka munguar gjithçka. Gjithë ato para sigurisht që kanë bërë shumë njerëz milionerë dhe me një hetim të lehtë mund të kuptohet. Por, ja që kjo të paktën tani nuk mund të bëhet, pasi njerëzit që i kanë marrë ato fonde në një mënyrë apo tjetrën janë në pushtet, si në qeveri edhe në kuvend, dhe kanë të kapur edhe gjykatat”, tha Gurakuq Kuqi. “Për të ndodhur një hetim i këtyre fondeve dhe njerëzve që i kanë mbledhur dhe kanë pasur qasje, duhet që kjo garniturë politike të mos jetë në pushtet e as që të kenë fuqi ndikuese. Duhet që të shkapet shteti dhe institucionet të jenë demokratike, të pavarura dhe inkluzive -gjithëpërfshirëse”, ka potencuar Kuqi.

Kuvendi dështoi

Edhe politologu Albrim Badallaj pohon se fondet e Diasporës dhe të të gjithë qytetarëve, për qëllim ndihme ndaj atdheut është e ditur botërisht që janë keqpërdorur, por që vullneti politik dhe ai i drejtësisë, për të zbardhur një fakt të tillë, tani e 18 vite, ka qenë i mangët. “Ne e kemi të akuzuar për këtë keqpërdorim të fondeve edhe ish-kryeministrin (në largim), dhe është e ditur që një person nuk mund të ngrisë çështje, ku edhe vetë është aktor (i akuzuar) për keqpërdorim. Këto dy raste janë mega-skandalet më të mëdha që kanë ndodhur në këtë periudhe, në Kosovë, për vetë faktin se ka qenë edhe situatë lufte, kur Kosova ishte në rrezik nga gjenocidi i egër serb. Mospublikimi i fondeve se si janë shpenzuar dhe pasurimi i menjëhershëm i personave që kanë udhëhequr me këto fonde, tregon qartazi se ka pasur keqpërdorime të mëdha nga personat që akuzohen në opinionin publik, por që nuk ka ende ndonjë aktakuzë”, theksoi ai. “Më të dhimbshëm e bënë faktin, që legjislativi i vendit asnjëherë deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë për formim të ndonjë komisioni hetues, për pasurimin brenda natës të personave kyç të këtyre fondeve, apo të bëjnë presion tek drejtësia për zbardhje të këtyre keqpërdorimeve të mëdha të djersës së popullit”, tha Albrim Badallaj./kosova sot/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.