Eko Higjiena

Drejtësia qelbet nga koka, ligjin e kontrollon nëntoka

/ 9 minuta lexim

Analistët theksojnë se këtu e vërteta nuk mund të fshihet, sepse është realisht partia së cilës i takon Tahiri, PDK-ja, kapësja e interferuesja më e madhe në drejtësinë kosovare, ndërkaq që dhe vetë Tahiri është kundër Vetting-ut në sistemin e drejtësisë. Sipas analistëve, nëse është për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar, shtrohet pyetja se pse Tahiri dhe partia e tij nuk iniciojnë Vetting-un në drejtësi?

Kapiti: Në Kosovë, drejtësia është thellësisht politike dhe e kapur nga politika, krimi e korrupsioni!

“Edhe më tutje KGJK-ja dhe KPK-ja po hezitojnë të bëjnë një pastrim të parë, para VETTING-ut, të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë profesionalizëm dhe nuk kanë pasur performancë dhe po u shërbejnë politikës dhe nëntokës kriminale. Prokurorët qëllimisht i neglizhojnë rastet e caktuara kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar të lidhur me mafio-politikanë me pozita të larta të pushtetit, edhe përkundër faktit se ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t’i hetuar apo edhe ngritur aktakuza penale për krim të organizuar ‘menjëherë’”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Pas vërejtjeve të mëdha të ambasadorit britanik në Kosovë, për mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, për mungesën e efikasitetit në luftën kundër krimit e korrupsionit, nuk ka zgjatur shumë dhe në mënyrë të butë i ka pranuar këto kritika, por me shumë hipokrizi, edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili thotë se në institucionet e shtetit ka korrupsion endemik dhe gjoja është i shqetësuar që nuk po ndëshkohen korrupsioni dhe krimi. Analistët e fushës së sundimit të ligjit e shohin përpjekjen e shfajësimit të ministrit vetëm një lojë, edhe pse Tahiri kinse ka kërkuar nga gjyqtarët dhe prokurorët që të mos bien pre e politikës e grupeve të ndryshme kriminale, por të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm.

Analistët theksojnë se këtu e vërteta nuk mund të fshihet, sepse është realisht partia së cilës i takon Tahiri, PDK-ja, kapësja e interferuesja më e madhe në drejtësinë kosovare, ndërkaq që dhe vetë Tahiri është kundër Vetting-ut në sistemin e drejtësisë. Sipas analistëve, nëse është për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar, shtrohet pyetja se pse Tahiri dhe partia e tij nuk iniciojnë Vetting-un në drejtësi?

Përgjigjja del se nuk mund të ketë sundim të mirëfilltë të ligjit derisa politikanët e korruptuar, ushtrojnë ndikim të fortë në procesin e emërimeve në gjykata dhe prokurori, duke i futur e mbajtur nën kontroll të plotë krerët e sistemit gjyqësor e prokurorial në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye është dështimi në luftën anti- korrupsion dhe fare nuk është i befasishëm, duke e pasur parasysh se sa thellë e gjerë është kapur drejtësia në Kosovë nga vetë ministri dhe partia e tij, PDK-ja.

Haziri: Të korruptuarit në pozita kyçe

“Nuk ishte i rastësishëm deklarimi i ambasadorit anglez gjatë ditës së hënë për çështjen e korrupsionit, sikur që s’janë krejt pa bazë thirrjet e institucioneve të Evropës e bashkësisë ndërkombëtare për luftimin e fenomeneve negative. Mirëpo, gjitha thirrjet dhe kërkesat e ndërkombëtarëve kanë hasur në vesh të shurdhër, madje për më keq përqindja e shkeljeve, si dhe dukurive më të njëjtat përmbajtje, gjithnjë e më shumë ka shënuar rritje. Sistemi i rendit, nuk mund të prodhojë efikasitet ose të zhbëjë konsiderueshëm fenomenet negative, duke qenë disa nga të korruptuarit te pozitat kyçe”, u shpreh analisti Arsim Haziri.

“Vendi në situatën që është, duke u ballafaquar me rritje të lëndëve të patrajtuara, si dhe me rritjen e kriminalitetit, nuk është për shkak të pasivitetit qytetar, por nga ai gjyqësor e prokurorial, që besa janë faktorët kyçë pse vendi përcillet me mosperspektivë.

Sistemi i Vetting-ut, siç e zbatoi Shqipëria dhe që solli rezultate të prekshme, do duhej të veprojë edhe në Kosovë, në arsyetimin për një reformim të thellë të sektorit të drejtësisë e sigurisë, duke i përjashtuar ndikimet familjare e politike dhe përfundimisht duke ia dhënë funksionin siç iu përcaktohet vetëm me kushtetutë”, vijoi më tutje Haziri për “Kosova Sot”.

Burjani: PDK-ja, kapësja kryesore

Sipas analistit Blerim Burjani, është e qartë se një parti politike, në këtë rast PDK-ja, akuzohet me vite për kapje të drejtësisë, sepse kjo parti i ka rritur edhe rrogat tri herë në këtë sistem, duke qenë në qeverisje dhe më së shumti ka njerëz që ndiqen edhe nga drejtësia, prandaj bëhet lojë me ndryshim ligjesh e kodesh.

Hidromorava

“Tanimë është e papranueshme që tërë kohën të ndryshojnë kode dhe kurrë të mos ketë zbatim të kodeve, edhe më absurd është të flasësh tërë kohën si ministri i drejtësisë aktuale se ka korrupsion dhe s’ka luftim të korrupsionit. Shtrohet pyetja se në cilin shtet demokratik një ministër i tillë do të jepte dorëheqje për shkak të absurdeve kontroverse, sidomos kur flet në emër të drejtësisë dhe ka konstatime se ka korrupsion dhe në anën tjetër është edhe kundër Vetting-ut.

Ky ministër nuk është përgjegjës për politizim dhe kapje, por partia e tij është përgjegjësja kryesore pse ka kapje, është partia e tij, andaj plotësisht ka të drejtë në kritikat edhe ambasadori britanik, në deklarimet e tij për drejtësinë”, theksoi Burjani.

Shantazhimi me dosje

Analisti dhe publicist Naim Kelmendi tha për “Kosova Sot” se tanimë edhe de fakto po shihet dhe vërtetohet që nëntoka kriminale dhe politikanet e inkriminuar e përdorin sistemin e drejtësisë në të gjitha nivelet dhe dosjet e ndryshme edhe të kurdisura, për rivalët, për shantazhe pushteti, e jo që në të vërtetë për ta zbardhur drejtësinë, prandaj me të drejtë kemi kritika të mosfunksionimit dhe mospërmirësimit të vazhdueshëm, por vetëm degradim të drejtësisë kosovare.

“Siç po duket, në këtë drejtim janë tepër të kapur edhe prokurorët e gjyqtarët nga politika e inkriminuar, e cila de fakto po i shantazhon ata edhe me dosje, po qe se vetëm pak ngre krye në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar që po e udhëheqin politikanët e inkriminuar bashkë me mafio-oligarkët e kriminalizuar… pra këta prokurore e gjyqtare edhe shantazhohen, prandaj shantazhi kështu është bërë mjet i punës si në drejtësi ashtu edhe në politikë gjithandej në institucionet e kapura në fakt kriminalisht nga krimi i organizuar”, vlerësoi ai. “Prokurorët qëllimisht i neglizhojnë rastet e caktuara kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar të lidhur me mafio-politikanë me pozita të larta të pushtetit, edhe përkundër faktit se ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t’i hetuar apo edhe ngritur aktakuza penale për krim të organizuar “menjëherë”.

Kështu pra vjen pyetja se çfarë drejtësie mund të pritet në shtetin tonë derisa prokurorët e gjyqtarët shantazhohen, frikohen, kërcënohen dhe bien pre e ndikimeve të caktuara kriminale, duke u bërë e mbetur për interesa të tyre pjesë e krimit të organizuar”, potencoi Kelmendi.

“Si rrjedhojë e gjendjes kësisoj në drejtësinë kosovare mund të themi se mbase do të duhet që të ashpërsohen masat ndëshkimore, por edhe ato suspenduese e përjashtuese, qoftë apo edhe me largim krejtësisht nga puna të prokurorëve të nënshtruar ndaj krimit e të dëgjueshëm përmes blerjes nga mafio- politikanët dhe mafio-oligarkët, në mënyrë që të njëjtit të zëvendësohen sa më parë me kuadro (prokurorë) të tjerë të aftë, të ndershëm e të përgjegjshëm, me etikë e integritet profesional, dhe që punojnë vetëm sipas ligjit dhe jo në bazë të interferimeve të politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale”, ka thënë ai për “Kosova Sot”.

Kapiti: Shteti është i kapur nga krimi dhe korrupsioni!

Sipas ekspertit të kësaj fushe, Skënder Kapiti, kjo situatë vetëm sa dëshmon akoma më shumë se edhe në Kosovë drejtësia është thellësisht politike dhe e kapur nga politika, krimi e korrupsioni. “Si është drejtësia ashtu është dhe funksionon edhe shteti. Kjo njihet botërisht praktikisht dhe e pranuar dhe studiuar edhe akademikisht dhe filozofikisht, përderisa shteti identifikohet me drejtësinë. Pra, si është, si sillet dhe si funksionon drejtësia, ashtu ngrihet dhe funksionon edhe shteti. Kur sundojnë korrupsioni dhe krimi në një shtet, atëherë edhe shteti është i kapur nga krimi dhe korrupsioni, që do të thotë se kemi të bëjmë me një shtet kriminal dhe të korruptuar”, u shpreh ai.

“Ky sistem drejtësie në Kosovë e pengon dhe e bllokon ndërtimin e shtetit ligjor, pasi de fakto nuk ka pasur dhe as nuk ka funksionuar ndonjëherë as në Shqipëri dhe as në Kosovë shteti i mirëfilltë ligjor, por shtete të cilat ligjin e kanë bërë dhe e kanë sunduar politika, ideologjia, krimi, korrupsioni dhe interesi personal dhe paraja e pushteti”, theksoi Kapiti.“Drejtësia shqiptare është partiake dhe ashtu si politika dhe pushteti është edhe drejtësia, e cila u shërben interesave partizane dhe të pushtetit të partisë që ka pushtetin.

Prandaj, politika dhe drejtësia në Kosovë janë edhe armiqtë e mëdhenj të shtetit ligjor, të konsolidimit të ligjit e të demokracisë dhe janë kundër VETTING-ut”, vijoi më tej ai për “Kosova Sot”. Sipas Kapitit, të jesh kundër VETTING-ut do të thotë se je kundër ngritjes dhe sundimit të ligjit dhe të shtetit ligjor, kundër luftimit të korrupsionit dhe kundër dekriminalizimit të politikës, të institucioneve shtetërore dhe shoqërore dhe kundër konsolidimit të demokracisë, zhvillimit të progresit dhe integrimit.

(Kosova Sot)