Drejtësia nën thundrën kriminale të mafio-oligarkëve

Një nga elementët e funksionimit skajshmërisht të dobët, por edhe të dirigjuar e të kontrolluar nga politika, të sistemit të drejtësisë, njohësit e kësaj fushe theksojnë se ka të bëjë me mënyrën më skandaloze të kapjes së këtij sistemi, sepse pothuajse është bërë traditë që të bëhen PAZARE edhe në avancimet në gjyqësor, nga Gjykata e Apelit në Supreme, si dhe prej Themelores në Apel, nga nëntoka kriminale, nga mafio-oligarkët, parapolitika dhe pushtetarët e nivelit të lartë, që bëjnë me gjyqtarët, duke ua kushtëzuar se si të vendosin edhe për lëndët që i kanë në shqyrtim.
KAPITI: Sistemi i drejtësisë është kapur nga korrupsioni, hajnia dhe krimi banditesk mafio-oligarkik
“Ka raste kur gjyqtarët dhe prokurorët e kanë shfrytëzuar X rastin dhe qëllimisht e kanë dështuar, vetëm për t’u hyrë në qejf Hashimave, Isave e Ramushave, duke falur bashkëpunëtorë të politikanëve, dhe janë avancuar në pozita të larta gjyqësore. Sa ma servilë dhe bashkëpunues me krimin e organizuar politik, aq ma lart arrin zyrtari i korruptuar në detyrë”, thotë analisti Naim Miftari për “Kosova Sot
Një nga elementët e funksionimit skajshmërisht të dobët, por edhe të dirigjuar e të kontrolluar nga politika, të sistemit të drejtësisë, njohësit e kësaj fushe theksojnë se ka të bëjë me mënyrën më skandaloze të kapjes së këtij sistemi, sepse pothuajse është bërë traditë që të bëhen PAZARE edhe në avancimet në gjyqësor, nga Gjykata e Apelit në Supreme, si dhe prej Themelores në Apel, nga nëntoka kriminale, nga mafio-oligarkët, parapolitika dhe pushtetarët e nivelit të lartë, që bëjnë me gjyqtarët, duke ua kushtëzuar se si të vendosin edhe për lëndët që i kanë në shqyrtim.
Madje, analistët thonë se në këtë bashkëjetesë të politikës me drejtësinë e inkriminuar, që më parë po njoftohen gjyqtarët se si janë avancuar në pozita ende pa marrë asnjë vendim dhe pa e diskutuar KGJK-ja. Kjo praktikë e tillë zbatohet, sipas tyre, pasi që politikanët i kushtëzojnë dhe shantazhojnë të zgjedhurit, emëruarit dhe graduarit në gjyqësor, sepse ata janë të varur nga nëntoka kriminale dhe pushtetarët e inkriminuar, për të vendosur në kundërshtim me ligjin lëndët që i kanë në procedurë, vetëm e vetëm për t`ua dhuruar postin e gjyqtarit në një shkallë më lartë, pra në Gjykatën Supreme apo atë të Apelit. Kjo,sipas analistëve, flet më së miri se KGJK-ja është vetëm një trup “kukull” dhe se shefat e politikës, parapolitikës dhe nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, vendosin se cilët gjyqtarë duhet avancuar në pozita, duke bërë PAZAR lëndët që gjyqtarët i kanë në tavolinë, duke shkelur kështu ligjet në fuqi, e duke bërë VEPRA PENALE edhe të dënueshme, por që nuk ka se kush të merret me ta. Preteni: Pluhur i madh është mbi emrat dhe lëvizjet e gjyqtarëve! Një fakt të tillë e pohon edhe ishkreu i AKK-së, Hasan Preteni. “Është e vërtetë se lëvizjet, avancimet dhe informata tjera për gjyqtarët nuk janë publike. Po të bëhet një anketë me qytetarët, jam i sigurt se më shumë se 95% e qytetarëve do të përgjigjeshin se nuk e njohin asnjë gjyqtar e as edhe emrat e kupolës së gjyqësorit. Këta 5% do të njihnin dikë sepse i kanë miq, profesorë në fakultete apo familjarë. Emrat e tyre janë të panjohur edhe për faktin se nuk janë dëshmuar me asnjë gjykim të veçantë, për të cilin do të mbaheshin mend. Pluhur i madh është mbi emrat dhe lëvizjet e gjyqtarëve. Mendoj se KGJK-ja duhet t’i bëjë publike të gjitha vendimet për lëvizjen e tyre, e në anën tjetër mendoj se të gjithë gjyqtarët duhet të fillojnë karrierën profesionale në Gjykatën Themelore e të vazhdojnë sipas meritave në atë të Apelit dhe të përfundojnë në Supremen. Kemi nevojë për më shumë transparencë në të gjitha veprimet e KGJK-së. Pa rritje të besimit nuk mund të kemi as rritje të besueshmërisë”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.
KAPITI: GJYKATAT NË KOSOVË JANË TË KAPURA NGA POLITIKA
Njohësi tjetër i kësaj fushe, Skënder Kapiti, thotë se gjykatat në Kosovë janë model për të keq, të kapura nga politika, ashtu sikurse në Shqipëri. “Janë mjete dhe armë kundërligjshmërie dhe padrejtësie. Kjo sepse shteti nuk është dhe nuk funksionon si shtet ligjor, por sillet e vepron si një shtet antishtet dhe antiligj, si një shtet padrejtësie. Shtetin e bën të tillë drejtësia e kriminalizuar, e korruptuar dhe injorante, e cila është ashtu siç janë edhe politika edhe pushteti e keqqeverisjet e tyre. Gjyqësori, sistemi i drejtësisë, është kapur nga korrupsioni, hajnia dhe krimi banditesk mafio-oligarkik. Gjyqësori në Kosovë nuk është transparent dhe as llogaridhënës për njëanshmërinë, spekulimin dhe për trafikimin që ai i bën ligjit dhe drejtësisë me vendimmarrjet antiligjore e korruptive dhe për kundër proceduralizmin juridik të tij. Drejtësia është edhe si një institucion terri, tmerri e terrori psikologjik për qytetarët, të cilët kërkojnë drejtësi. Kjo pasi ky sistem drejtësie është një sistem apriori vetëgjyqësie, ku vendos politika dhe akrabaja politikonepotike, korrupsioni dhe trafikimi, shitblerja e ligjit; një sistem papërgjegjshmërie dhe joprofesional, ku nuk bëhet fjalë që të ketë as etikë moraliteti, as patriotizmi dhe as humaniteti. Prandaj, vetëm VETTING-u do ta pastronte sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonte ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.
MIFTARI: PA LIDHJE ME “LART” AS QË MUND TË PRANOHESH NË PUNË SI GJYQTAR!
Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se nuk është fare sekret se pa lidhje me “lart” as që mund të pranohesh në punë si gjyqtar, e të mos flasim për prokuror e hetues, dhe madje vetë avancimet në ndonjë shkallë më lartë nuk bëhen pa qenë kukull e shefave të nëntokës politike të Kosovës. “Prandaj çdo vendim në rastet e gjyqësorit me karakter të ndjekjes penale kundër individit apo grup kriminal, të nivelit të lartë nuk vendoset në gjykatë, por rasti i tyre vendoset jashtë, përmes dallavereve gjyqësore, ku ‘peshku i madh’, edhe pse mund të jetë super kriminel, nuk dënohet fare dhe nuk ka frikë nga ligji, pa marrë para sysh veprën penale, pasi është i mbrojtur nga politika e korruptuar”, u shpreh ai. Ka rast kur gjyqtarët dhe prokurorët e kanë shfrytëzuar X rastin, ku qëllimisht e kanë dështuar vetëm për t’u hyrë në qejf Hashimave, Isave e Ramushave, duke falur bashkëpunëtorë të politikanëve dhe janë avancuar në pozita të larta gjyqësore. Sa ma servil dhe bashkëpunues me krimin e organizuar politik, aq ma lart arrin zyrtari i korruptuar në detyrë. Por nëse ndodh “aksidentalisht” që një prokuror e prek krimin e organizuar të politikanëve të korruptuar, ose largohet nga rasti dhe zbret nga detyra ose i vjen puna sikur i ndodhi prokurorit special, Elez Blakajt, i cili për ta shpëtuar veten dhe familjen e vet detyrohet të largohen nga puna dhe nga vendi. Kjo çështje nuk do koment, ose kur prokurori është servil kukull i politikanëve të korruptuar, ai arrin lart e më lart, si kryeprokurori Lumezi, Reshat Millaku, Sylë Hoxha, Drita Hajdari, Kalludra etj., etj., sepse me këso lloj kukullash e servilë janë të mbushura plot edhe gjykatat dhe prokuroritë tona”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.
Kjo sipas tij ka bërë që besimi të bjerë në pikën zero.”Prandaj sot gjykatësit, prokurorët dhe hetuesit janë njerëzit më të pabesueshëm pas politikanëve tanë dhe kjo nuk do më shumë koment as arsyetim, pasi që Kosova është shndërruar në çerdhe të mafive të ndryshme, parajsë për hajni institucionale, parajsë për pastrimin e parave të pista ku edhe bankat janë shndërruar, disa sosh, si pjesë e mafisë të fajdexhinjve…etj. Prandaj Kosova nuk ka fije shprese për drejtësi me gjithë këta hajna politikë, vendorë e ndërkombëtarë, me gjithë këta armiq përreth nesh ne nuk kemi shpresë më për shtet të së drejtës. E them se përfundimisht, pa u pastruar organet e zbatimit të ligjit nga dora e mafisë politike të krimit të organizuar, ne nuk kemi as një shans të mbijetojmë si vend i drejtësisë për qytetarin, vend të pavarur dhe shtet tamam në kuptimin e shtetit ligjor juridik”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)