Drejtësia me rreth gjysmë milioni lëndë të pazgjidhura është anarki
Marrja e shpeshtë e vendimeve të padrejta dhe të kundërligjshme e kundërkushtetuese nga një numër gjykatash në nivel vendi, sipas vlerësimit të ekspertëve të së drejtës, janë duke i dëmtuar seriozisht jo vetëm qytetarët, palët e interesit, por edhe drejtësinë kosovare, ngase gjykatat me vendimet e tyre korruptive e trafikuese dhe në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit po dalin të jenë institucione të telekomanduara nga politika dhe krejtë- sisht jashtë zbatimit të mirëfilltë të të drejtave kushtetuese.
SISTEMI GJYQËSOR E PROKURORIAL, NË KRIZË TË THELLË
Pushteti e ka rrënuar të drejtën e qytetarëve dhe barazinë para ligjit
“Drejtësia selektive dhe e dirigjuar nga politika ka krijuar një gjendje anarkie, e cila çdo ditë më shumë po ngulfat jetën institucionale, politike e sociale”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti
Marrja e shpeshtë e vendimeve të padrejta dhe të kundërligjshme e kundërkushtetuese nga një numër gjykatash në nivel vendi, sipas vlerësimit të ekspertëve të së drejtës, janë duke i dëmtuar seriozisht jo vetëm qytetarët, palët e interesit, por edhe drejtësinë kosovare, ngase gjykatat me vendimet e tyre korruptive e trafikuese dhe në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit po dalin të jenë institucione të telekomanduara nga politika dhe krejtë- sisht jashtë zbatimit të mirëfilltë të të drejtave kushtetuese.
Është një vlerësim i përgjithshëm se nuk mund të ketë drejtësi në Kosovë me rreth 400 mijë lëndë të pazgjidhura, që është sa çereku i popullatës dhe të cilat po rriten në vazhdimësi dhe nuk po zvogëlohen, nuk mund të ketë drejtësi në Kosovë, kur lëndët janë edhe objekt i shitblerjes dhe kur Gjyqësori dhe prokuroria dirigjohen nga politika.
Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se derisa nuk vihet rregull i plotë në sistemin gjyqësor, në gjykata, shpresa për një drejtësi të mirëfilltë nuk ekziston më shumë sesa vetëm si nocion që nuk zbatohet. “Natyrisht se gjykatat janë shkaktare të shumë problemeve dhe të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Nuk do fakte më të forta se vetë e dhëna se mbi 400 mijë lëndë janë të pazgjidhura. Lëndët janë të fushës penale, civile, sociale, të pronës dhe të posedimit, të punës, të krimit dhe të korrupsionit… etj.”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. “Së pari, kemi nënshtrimin e Gjyqësorit ndaj politikës dhe oligarkëve financiarë dhe ekonomikë, të cilët e kanë nën kontrollim të ashpër Gjyqësorin. Së dyti, kemi të bëjmë me gjyqtarë që janë korruptuar dhe që tërësisht veprojnë në bazë të pagesave dhe ryshfeteve. Së treti, kemi mungesë të madhe të gjyqtarëve dhe të të punësuarve nëpër gjykata dhe Së katërti, mospërgatitja dhe mosspastrimi i gjyqtarëve mbi bazën e fakteve penale”, potencoi Kelmendi.
Përfitimi, prioriteti kryesor
Edhe sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe Blerim Burjanit, kryesisht është numri i madh i lëndëve të pazgjidhura, që tregon për neglizhencën, pavullnetshmërinë dhe mosinteresimin për të zgjidhur shumë çështje dhe konteste të qytetarit. “Pra, përparësia e lëndëve që tregojnë fenomenin e korrupsionit, kontratat e dyfishta që mbajnë gjyqtarët dhe prokurorët, kjo as që quhet ndonjë drejtësi, sepse në këtë shtet ku mbretëron anarkia gjithçka shndërrohet në përfitim. Sistemi përfitues mbretëron edhe në këtë sistem të drejtësisë, dhe për këtë arsye ka shumë lëndë të pazgjidhura, s’ka organizim të mirëfilltë, s’ka vullnet për zgjidhje të kontesteve, por gjyqtarët dhe prokurorët në kundërshtim me pavarësinë e drejtësisë dhe në kundërshtim me Kushtetutën lejohen nga KPKKGj-ja madje edhe në mbajtjen e shumë pozitave, me honorarë apo me kontrata të dyfishta dhe shumë fusha, si në sistemin e edukimit”, u shpreh ai. “Gjendja është e mjerë, me përplot lëndë, me qindra mijëra duke pritur në sirtar. Edhe pse kanë angazhuar përmbarues privatë, ndërmjetësues gjoja që të zgjidhen lëndët, prapë mbetet e njëjta situatë. Kjo tregon më së miri së këtu diçka s’po shkon edhe kjo tash po dihet”, potencoi ai për “Kosova Sot”.
Ndërsa prof. Riza Smaka pohon se ky mosfunksionim i sistemit të drejtësisë është një pasqyrë besnike e mospasjes së një qeverie efikase dhe funksionale, të bazuar në ligje dhe Kushtetutën e shtetit. “Qeveria aktuale gjithnjë lëngon nga insuficienca e veprimeve të bashkërenditura të organeve dhe institucioneve publike në të mirë të aplikimit efikas e efecient të ligjit në fuqi. Së andejmi, numër enorm i rasteve prokuroriale, gjyqësore e administrative të pakryera brenda afateve ligjore, madje, jo pak të tilla, rezultojnë të parashkruara dhe për më keq edhe të zhdukura fizikisht! E përgjegjësia për këtë lloj skandali nuk adresohet as iniciohet nga askush”, tha Smaka për “Kosova Sot”.
Drejtësia, për dikë nënë, për dikë njerkë
Sipas analistit politik, Florim Zeqa, është niveli i lartë korruptiv në gjykatat tona, që përveç krijimit të imazhit negativ të drejtësisë vendore, është duke i dëmtuar më së keqi edhe qytetarët e Kosovës. “Për çfarë drejtësie bëhet fjalë, kur në sirtarët e saj qëndrojnë mbi 400 lëndë të pluhurosura, që janë të barabarta me çerekun e popullatës, të cilat janë në rritje e sipër si pasojë e rritjes së formave korrupsionit dhe kriminalitetit të llojeve të ndryshme, duke filluar nga niveli i ulët (lokal) e deri tek ai më i larti (qeveritar). Në fakt, lëndët në sirtarët e drejtësisë kosovare janë bërë objekt i shitblerjes, gjegjësisht i pasurimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve të dirigjuar nga mafio-oligarkët politikë dhe ata ekonomikë. Koordinimi i shkëlqyer i politikës me prokurorinë dhe gjykatat, policinë dhe avokatët, e kanë shndërruar drejtësinë kosovare në padrejtësi, e cila ndëshkon qytetarët e zakonshëm që nuk janë të lidhur partitë në pushtet dhe oligarkët ekonomik”, tha Zeqa për “Kosova Sot”. “Kështu pra drejtësia e korruptuar kosovare, e kapur dhe dirigjuar nga politika, për dikë është bërë ‘nënë’, e për dikë tjetër ‘njerkë’ “, theksoi Florim Zeqa.
Sipas analistit dhe publicistit, Naim Kelmendi, gjykatat me vendimet e tyre korruptive dhe trafikuese po i dëmtojnë seriozisht qytetarët, njëkohësisht edhe drejtësinë, derisa bëjnë shkelje të ligjeve e Kushtetutës së vendit. “E dëmshme për të ndarë drejtësinë është edhe neglizhenca dhe moszgjidhja e rreth 400 mijë lëndëve, e që dikur këtyre lëndëve edhe u kalojnë afatet ligjore të zgjidhjes. Kjo tregon për një gjendje aspak të përgjegjshme të gjykatave dhe gjyqtarëve në shtjellimin e lëndëve dhe të ndarjes së drejtësisë për qytetarët, e që kështu kjo neglizhencë dhe moszgjidhje e kaq shumë lëndëve i privon ata nga e drejta dhe kjo mbetet edhe shkelje e të drejtave të njeriut. Krejt kjo përgjegjësi bie mbi gjykatat dhe gjyqtarët”, u shpreh Kelmendi për “Kosova Sot”.
Kapja e shtetit lë pasoja në gjykata
Politologu Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, ka pohuar për gazetën se është fakt i pamohueshëm që gjyqësia në Kosovë është një problem serioz. “Andaj do t’i shmangesha fjalës “drejtësi”, sepse një gjë e tillë nuk ndodh në Kosovë. Në Kosovë janë gati gjysmë milion lëndë të pazgjidhura, që çdo kontest qytetarëve ua humb vullnetin të kërkojnë zgjidhje nëpërmjet organeve kompetente. Kemi rastet e vrasjeve dhe rrahjeve të tanishme, që janë duke ndodhur se një pjesë e atyre personave kanë konteste pronësore apo probleme të tjera, dhe gjykata aq shumë është vonuar sa i ka shtyrë ata ta marrin drejtësinë vetë në dorë, apo duke e parë gjendjen e tillë asnjëherë nuk i janë drejtuar gjykatave”, theksoi ai për “Kosova Sot”.
Sipas tij, dëmi tjetër është se gjykatat funksionojnë vetëm për klasën politike, e cila e ka kapur dhe vendimet ku janë të fortit nuk ka barabarësi. “Kjo katrahurë e gjykatave në Kosovë plotësisht e ndalon zhvillimin ekonomik dhe i largon investitorët, sepse këto gjykata funksionojnë vetëm në të mirë të bizneseve të lidhur me politikën në Kosovë dhe jo të ekonomisë, produktivitetit, tregtisë së lirë dhe konkurrencës së barabartë. Pastaj, nga mosfunksionimi i gjykatave ligji ka mbetur në dorën e njerëzve të organizuar në kapjen e shtetit, dhe këtu plotësisht nuk kemi shtet ligjor, e ke paranë, ke gjithçka në Kosovë”, tha Gurakuq Kuqi për “Kosova Sot”


