Drejtësia me para nëpërkëmb qytetarët
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, por edhe profesorët universitarë kanë thënë se mitmarrja apo ndryshe ryshfeti në këmbim të kryerjes së ndonjë shërbimi në drejtësi, prek rëndë imazhin e institucioneve të drejtësisë, dhe jo vetëm kaq, por ky fenomen antiligjor dhe i dënueshëm me ligj duhet të luftohet me çdo kusht nga drejtësia kosovare.
Sipas tyre, mund të thuhet se në një sistem drejtësie, derisa lejohet mitmarrja apo ryshfeti për të kryer shërbimet juridike etj., për ndarjen e drejtësisë atëherë kjo është ” zgjidhja më kriminale” në ndarjen e drejtësisë.
Ata po ashtu kanë thënë se korrupsioni në drejtësi nuk është vetëm çështje perceptimi, por realitet thuajse i përditshëm për të gjitha palët e dëmtuara pa ligj, që po e shkatërron për çdo ditë këtë shoqëri dhe bashkë me ndikimet e fuqishme të politikës në këtë sistem e kanë bërë drejtësinë të heshtur dhe të trafikuar përballë paligjshmërive të përditshme në vend. Se a janë institucionet e drejtësisë më të prekurat nga mitmarrja dhe si e shohim këtë fenomen njohësit e kësaj fushe, flet shkrimi në vijim.
Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se mitmarrja apo ndryshe ryshfeti në këmbim të kryerjes së ndonjë shërbimi në drejtësi, prek rëndë imazhin e institucioneve të drejtësisë, dhe jo vetëm kaq por siç tha ky fenomen antiligjor dhe i dënueshëm me ligj duhet të luftohet me çdo kusht nga drejtësia kosovare.
Korrupsioni e gërryen sistemin
Sipas Kelmendit, realisht mund të thuhet se në një sistem drejtësie derisa lejohet mitmarrja apo ryshfeti për të kryer shërbimet juridike etj., për ndarjen e drejtësisë, atëherë kjo është “zgjidhja me kriminale” në ndarjen e drejtësisë. “Derisa korrupsioni është mëtuar në të shumtën të paraqitet më shumë si çështje e perceptimit sesa në realitet ai është rëndom i pranishëm, kjo mbetet një farse e atyre që s’kanë bërë asgjë për ta luftuar në institucionet e drejtësisë korrupsionin”, tha ai. “Ndërsa në anën tjetër korrupsioni në institucionet e drejtësisë sikur është bërë realitet i përditshëm për të gjitha palët e dëmtuara pa ligj, e që po ia shkatërron në vazhdimësi perspektivën shoqërisë dhe vendit, duke qenë të ndërlidhur fuqishëm me politikën dhe ndikuar nga ajo, në fakt e kanë bërë drejtësinë të heshtur dhe të trafikuar për të mos thënë inekzistente përballë ligjshmërisë dhe fuqishmërisë së ligjit e drejtësisë”, u shpreh analisti Naim Kelmendi.
Hasan Preteni nga ‘Qendra për etikë, transparencë dhe integritet’ thotë se pushtetet janë të ndara dhe Ministria e Drejtësisë duhet të kujdeset, që në Kuvend të dërgon ligje të mirëfillta dhe të sigurojë mbarëvajtjen e mekanizmave shtetërorë të drejtësisë. “Por, kjo nuk po ndodh, si shembull Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është në procedurë që nga viti 2013. Shërbimi korrektues funksionon gati gjithmonë me ushtrues detyre, ligjet që e rregullojnë punën e gjyqësorit gjithashtu nuk janë efikase, andaj definitivisht Qeveria është e korruptuar në masën sa nuk i mundë- son gjyqësorit punë efikase dhe buxhet meritor në të njëjtën masë nuk ka llogaridhënie dhe transparencë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” Hasan Preteni nga ‘Qendra për etikë, transparencë dhe integritet’./kosova sot/


