Drejtësia, mashë kriminale në duart e pushtetit
Vetë pjesë e krimit dhe korrupsionit kaq të madh duket se është bërë edhe drejtësia, e cila me zvarritjen e lëndëve sikur ka qëllim parësor për të amnistuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, apo personat të cilët janë të lidhur me politikën, me nivelin e lartë qeveritar.
Qytetarët mbeten në mëshirë të fatit,shkruan gazeta Kosova Sot.
Vetë pjesë e krimit dhe korrupsionit kaq të madh duket se është bërë edhe drejtësia, e cila me zvarritjen e lëndëve sikur ka qëllim parësor për të amnistuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, apo personat të cilët janë të lidhur me politikën, me nivelin e lartë qeveritar. Kështu të paktën kanë hedhur dyshimet e tyre analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, të cilët kanë thënë se kjo tregon edhe anën e keqe të gjendjes së sistemit të drejtësisë përgjithësisht.
Sipas tyre, pa pavarësimin e tij nga ndikimet politike dhe të tjera nuk mund të ketë asnjëherë sistem drejtësie funksional, me integritet dhe të mirë- filltë. Ndaj së këndejmi është shtuar dilema se a po i amniston drejtësia kosovare korrupsionin dhe krimin e organizuar, ngase thuajse askush nuk gjykohet për krime nëse është i lidhur me pushtetarët, ku kësisoj gjyqë- sori gjen vjetërsimin e lëndës apo ndonjë arsye tjetër për të amnistuar ata që kryen krime e që janë të lidhur me pushtetarët? Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se ata që janë të lidhur me pushtetin dhe pushtetarët fatkeqësisht janë të amnistuar edhe nga drejtësia.
Sistem pa integritet
Sipas Kelmendit, të inkriminuarit apo kryesit e veprave penale, të korrupsionit e të tjera, janë të amnistuarit nga drejtësia, mbase lëndët e tyre për veprat e kryera sigurisht se lihen nga gjyqësori për t’u vjetërsuar, e më vonë edhe harrohen fare. “Pra, kështu kjo tregon anën e keqe të gjendjes së sistemit të drejtësisë përgjithësisht, e që pa pavarësimin e tij nga ndikimet politike dhe të tjera nuk mund të ketë asnjëherë sistem drejtësie funksional, me integritet dhe të mirëfilltë. Prandaj, derisa të mos gjykohen krimi i organizuar dhe korrupsioni nga vetë sistemi i drejtësisë, pavarësisht ndikimeve dhe interesave të politikës, nuk mund të kemi as drejtësi të përgjegjshme e as sistem drejtësie me integritet, por për rrjedhojë as fuqizim të shtetit të së drejtës e sundim të ligjit në vendin tonë”, është shprehur analisti Naim Kelmendi.
Analisti tjetër, Shefqet Dibrani, thotë se me sa duket pjesë e krimit dhe korrupsionit kaq të madh është bërë drejtësia, e cila me zvarritjen e lëndëve sikur ka qëllim parësor për të amnistuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Së këndejmi, Dibrani ka thënë se sa e sa lëndë dyshohet se janë të fshehura dhe të vjetruara qëllimisht nëpër drejtësinë e Kosovës, që nga niveli qendror e deri në nivelin lokal.”Me një fjalë drejtësia duke i neglizhuar lëndët është duke vepruar në kundërshtim me ligjet dhe kompetencat që ka, përndryshe ne nuk do ta kishim këtë gjendje kaq të rëndë, nuk do ta kishim këtë korrupsion dhe këtë krim kaq të lartë, po sikur drejtësia të vepronte në përputhje me ligjin dhe kompetencat që ka”, ka vijuar ai.
Krimi politik i ka shtrirë rrënjët
Tutje, Dibrani ka konsideruar se në asnjë vend të botës krimi e korrupsioni nuk mund të jenë kaq të lartë pa u lidhur me pushtetarët, pa qenë pjesë e institucioneve shtetërore, derisa, sipas tij, për fat të keq, kjo i ka ndodhur Kosovës, e cila po i vuan pasojat, pasi në planin e drejtësisë, siç tha, pothuajse ka bankrotuar. “Kjo ngase tashmë askush nuk po merret me ‘peshqit e mëdhenj’, madje tashmë nuk flasin as mediet, pasi thuajse të gjithë janë bindur se janë të pafuqishëm karshi oligarkëve politikë dhe strukturave mafiozekriminale që me sa duket e kanë mbërthyer edhe tërë sistemin e drejtësisë në vend”, ka shtuar ai. Ndërsa, sa u përket dyshimeve se gjyqësori në vazhdimësi ka bërë vjetërsimin e lëndëve dhe rrjedhimisht edhe amnistimin e personave të lidhur me pushtetarët, Dibrani thotë se natyrisht metodë e rehabilitimit, amnistimit është shtyrja e lëndëve derisa ato të vjetërsohen që pastaj të mos ketë bazë ligjore për t’u gjykuar. “Prandaj, sistemi i drejtësisë mban pjesën e vet të përgjegjësisë për gjendjen e tanishme në Kosovë, e cila ka mundësi nga dita në ditë të eskalojë, sepse kjo gjendje është e papranueshme. Krimi politik dhe oligarkët e këtij sistemi i kanë futur duart thellë në drejtësi ku përmes saj ata vazhdojnë punën e tyre në zhvatje të shtetit dhe pasurisë që ka Kosova, por pyetja dhe dilema më e shpeshtë dhe në vijimësi e të gjithëve mbase mund të jetë edhe kjo se cila është përgjegjësia e gjyqë- sorit dhe sistemit të drejtësisë dhe kush një ditë do t’i gjykojë ata?”, ka theksuar Dibrani./kosova sot/

