RCCOLA

Drejtësia fjalë boshe, politika sundon gjykatat dhe prokuroritë

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Njohësit e fushës së sundimit si dhe analistët konsiderojnë se mungesa e drejtësisë së pavarur dhe efektive në këto dy dekada shtetndërtimi, sidomos në dekadën e parë pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, po bën që të humbin thellësisht kuptimi dhe besimi se ka një drejtësi funksionale në Kosovë. Duke qenë kështu, njohësit e kësaj fushe e shohin me shqetësim se si u bë Kosova një vend që para se të bëhej shtet i së drejtës u shndërrua në një xhungël, ku të fortët, njerëzit e pushtetshëm, ishin dhe vazhdojnë të jenë të paprekshëm fare!

Aliu: Drejtësia në Kosovën tonë e ka humbur totalisht kuptimin e saj

“Faktikisht pas luftës politikanët e fuqishëm i privatizuan drejtësinë, prokurorinë, policinë, inteligjencën, të gjitha institucionet, dhe sot edhe kur bëhet ndonjë proces dihet shumë mirë që lirimi apo dënimi nuk u varet as nga veprat, as nga faktet, as nga drejtësia, por varet nga të njohshmit dhe lidhjet politike apo të biznesit”, thotë analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit si dhe analistët konsiderojnë se mungesa e drejtësisë së pavarur dhe efektive në këto dy dekada shtetndërtimi, sidomos në dekadën e parë pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, po bën që të humbin thellësisht kuptimi dhe besimi se ka një drejtësi funksionale në Kosovë. Duke qenë kështu, njohësit e kësaj fushe e shohin me shqetësim se si u bë Kosova një vend që para se të bëhej shtet i së drejtës u shndërrua në një xhungël, ku të fortët, njerëzit e pushtetshëm, ishin dhe vazhdojnë të jenë të paprekshëm fare!

Kjo gjendje mbetet kështu pasi sipas analistëve përgjegjësia kryesore është tek njerëzit që po vazhdojnë ta sundojnë Kosovën që prej vitit 1999. Kështu e sheh situatën analisti Bislim Aliu.”Me të vërtetë drejtësia në Kosovën tonë e ka humbur totalisht kuptimin e saj”, potencoi ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, të fortët e politikës janë mbi ligjin.

Qeverisje e muskujve Sipas njohësit të kësaj fushe, Hasan Preteni, në këtë situatë të vlerësimit dhe monitorimit të sistemit të sundimit të ligjit vlen të rikujtohet ajo thënia popullore se “kajta e korit burrin”, e që në rastin konkret flet mjaftueshëm se si zyrtarët kosovarë nuk i rezistuan pangopësisë.”Të gjithë njësoj. Pas largimit të frikës e larguan devotshmërinë, besimin te shteti dhe kombi. Thotë edhe ajo fjala popullore: “Bora nuk bie me mbuluar tokën, por që secilës gjallesë me ju pa gjurmët”.

Edhe këta patriotët tanë i zbuluan gjurmët dhe filluan të tregojnë veten në fakt se çfarë janë. U harruan të gjitha zotimet për sakrificë, të gjithë në gjuajtje të pakontrolluar për gjah. Gëzimi për liri zgjati pak. Në fillim u shfrytëzua anarkia, nxini…zaptoni…thyeni e shkatërroni gjithçka çka mundeni. Përdorën muskujt… armët dhe uniformen e shenjtë për të vepruar keq për interesa private. Më vonë nën administrimin ndërkombëtar vazhduan të keqpërdorin menaxhimin e dobët të atyre që nuk kishin fare përvojë në drejtim. Nën petkun e UNMIK-ut vazhduan privatizimet me dhunë dhe pa kontroll”, u shpreh ai.”E bëmë edhe shtetin, tani filloi legjitimimi i keqpërdorimeve, tani të veshur me petkun e pushtetit vazhduan me avazin e vjetër në mënyrë më të sofistikuar. Nuk e dinim se çka është prokurimi, nuk e dinin se çka është transparenca, nuk e dinin se çka është llogaridhënia, nuk dinim se çka është vota e lirë. Në fakt e dinim dhe mund ta dinim se kishte kush të na shpjegojë, por u bënim kinse nuk po dimë”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”. Për fat të keq, ai thotë se ky mentalitet po vazhdon edhe tani kur jemi shtet i pavarur. “Fatkeqësitë nuk kanë të ndalur, qasja është e njëjtë edhe tani në fundin e dekadës së dytë në liri. Etja dhe uria për të pasur shumë nuk ka të ndalur. Qëllimi i njëjtë me metoda të ndryshme.

Gjithçka është politike dhe folk patriotizëm. Një pjesë e madhe e buxhetit po shkon për kinse kategori sociale, më shumë kontribuues në lirimin e vendit se popullatë. Por nëse të gjithë kërkojnë dëmshpërblim nga shteti për kontributin e tyre, atëherë çka po u mbetet atyre. Shteti nuk ka pasur raporte kontraktuale me qytetarët se ata që kontribuojnë do të paguhen, po pse tani gjithë këto kërkesa për kompensim…kërkojnë kompensim edhe ata që kanë shkruar parulla në perëndim, të burgosurit politik, demonstruesit, shkrimtarët ,veteranët bash të gjithë. Nëse kërkon dëmshpërblim për kontributin tënd ti nuk je patriot… ti je mercenar. Nga shteti duhet të paguhen vetëm invalidët e luftës dhe fëmija e dëshmorëve”, ka thënë më tej Preteni për “Kosova Sot”.

UBT

Miftari: Politikanët e fuqishëm e privatizuan drejtësinë, prokurorinë, policinë, inteligjencën…

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, tha për “Kosova Sot” se kur flasim për drejtësi sot në Kosovë shumica e kanë mendjen te njohtësia apo te dhënia e mitës, te korrupsioni, dhe këtë e bëjnë në rastet serioze kur janë në hall të madh me gjyqësi, polici apo prokurori, nëse janë në hall të madh me ligjin apo me ndonjë rast gjyqësor.”Faktikisht, pas luftës politikanët e fuqishëm e privatizuan drejtësinë, prokurorinë, policinë, inteligjencën, të gjitha institucionet dhe sot edhe kur bëhet ndonjë proces dihet shumë mirë që lirimi apo dënimi nuk u varet as nga veprat, as nga faktet, as nga drejtësia, por varet nga njohshmit dhe lidhjet politike apo të biznesit”, u shpreh ai.

“Te shumica e proceseve dihet shumë mirë që në fillim se cili proces do të dështojë e devalvojë, e cili proces do të përfundojë me vendimin që do të dënohen njerëzit, qoftë edhe me dënim të rëndë, por dihet që aty nuk vepron, nuk dënon fakti dhe ligji, por dënojnë politikanët e korruptuar që ligjin dhe zbatuesit e ligjit i kanë bërë lodra që i mbajnë në duar dhe i shkelin me këmbët e tyre”, vijoi më tej Miftari.”Para luftës kishte ligje përafërsisht të njëjta për të gjithë, përjashto proceset politike antishqiptare që i bënte Beogradi, por kishte rend të mirëfilltë juridik, edhe pse ishte sistem komunist, kurse sot në liri, në Kosovë nuk ka rregull, nuk ka rend, edhe pse ligjet e tashme janë të mira, por zbatimi i tyre bëhet shumë më keq, madje në shumë raste edhe më keq sesa në kohën e Milosheviqit”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo mënyrë e manipulimit të ligjit bëhet nga “Miloshat” shqiptarë që sot popullin dhe pasurinë shtetërore e kanë shndërruar në pronë private, ku qytetari është skllav e politikani është një skllavopronar.

Aliu: Nëntoka kontrollon gjithçka

“Në vend se të bëhet shteti i së drejtës, Kosova fatkeqësisht u shndërrua në një xhungël, ku vazhdimisht të fortët, njerëzit e pushtetshëm, ishin dhe vazhdimisht janë të paprekshëm! Dhe, për këtë, përgjegjësia kryesore është te njerëzit që po vazhdojnë të sundojnë Kosovën, që nga viti 1999, si nga nëntoka virtuale dhe si nga nëntoka kriminale. Dhe, që atëherë u futën në kontroll nga nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve dhe pushtetarëve të inkriminuar, të gjithë mekanizmat e drejtësisë, siç janë policia – hetuesia, të gjitha prokuroritë, të gjitha gjykatat, dhe vazhdojnë edhe tani që t’i kenë nën kontroll të gjithë mekanizmat e drejtësisë”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”

Burjani: Shteti i kapur

Sipas prof. Blerim Burjanit, është krejtësisht absurde të kërkohet shkapja e shtetit dhe drejtësisë nga ata që e kanë kapur atë, prandaj duhet që të njëjtit të pastrohen nga institucionet dhe më pastaj të ndërtohet sistem i ri.”Shteti i së drejtës nuk bëhet me kapje të drejtësisë, me drejtësi të kapur vazhdon të mbetet problemi më i madh dhe në këtë gjendje nuk ka se çka të investohet në këtë drejtësi selektive. Po e shohim fare mirë që këto organe funksionojnë shumë mirë për rastet kur janë në mënyrë selektive, për interesa të njerëzve të caktuar, e kur janë në pyetje qytetarët e rëndomtë jo, por kryesisht për milionerë të politikës, të cilët e blejnë drejtësinë duke ia rritur pagat. Kështu është së paku pikëpamja e të gjitha organizatave ndërkombëtare”, theksoi ai. Burjani për “Kosova Sot” vlerëson se nuk varet gjë nga KGJK-ja dhe KPK-ja në këtë situatë, por varet shumë nga shkapja e drejtësisë si tërësi dhe këtë tash për tash s’ka kush ta bëjë, sepse të gjithë kanë mbetur spektatorë dhe po shikojnë çfarë po ndodh.

(Kosova Sot)