Drejtësia e kapur, e varur nga lëmoshat qeveritare
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se politika asnjëherë nuk premton dhe nuk realizon rritje të buxhetit për gjyqtarë dhe prokurorë, për faktin se ka dëshirë ta mbajë nën kontroll sistemin e drejtësisë, pra gjykatat dhe prokuroritë përmes buxhetit dhe të ketë ndikim politik, si dhe të ketë interferim në mënyrën e vendimmarrjes së verdikteve të ndryshme në procedura të caktuara gjyqësore.
Ndaj është shtruar edhe çështja se si mundohet politika që mbase t’i dirigjojë gjykatat dhe prokuroritë, duke mbajtur kompetenca në emërime, në buxhet etj., derisa në anën tjetër gjendja e tanishme në sistemin e drejtësisë flet për një dorëzim krejtësisht të sistemit të drejtësisë përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, të cilët po riciklohen për të mbajtur drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre të inkriminuar. Pra, a po ia rrënon ardhmërinë vendit një drejtësi e tillë, duke mos e lënë Kosovën që të ecë para në asnjë aspekt, pa zhvillim ekonomik dhe pa mirëqenie për qytetarët?
Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se nëse politika nuk heq dorë nga ndikimet e saj në sistemin e drejtë- sisë, e që drejtësinë e shikon si levë për të mbrojtur interesat e saj, atëherë edhe për sa kohë, siç tha, nuk do të mund të kemi një sistem drejtësie të pavarur dhe një drejtësi të paanshme dhe në shërbim të qytetarëve pa dallim dhe duke i shërbyer ligjit dhe të drejtës.
Interesat inkriminuese dominojnë sistemin
Sipas Kelmendit, në anën tjetër, mbetet fatkeqësisht tregues jo i mirë fakti se një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dyshohet sikur janë pasuruar dukshëm, dhe krejt kjo pa pasur ndonjë veprimtari fitimprurëse, pra kështu duke e vënë në pikëpyetje pasurinë e tyre. “Por, mbase përmes ndonjë reforme apo ‘Vettingu’ ky pasurim marramendës i tyre vështirë se do të mund të dilte i justifikueshëm, e që dyshohet se në të vërtetë është pasurim i kundërligjshëm dhe sistemi i drejtë- sisë do të duhej nënshtruar patjetër një vetëpastrimi apo ‘Vettingu’ në mënyrë që gjyqtarë e prokurorë të inkriminuar do të jepnin llogaridhënie për pasurim të kundërligjshëm”, theksoi ai. Tash për tash edhe gjendja në sistemin e drejtësisë e argumenton faktin e “dorëzimit” do të thosha në njëfarë mënyre përballë politikës dhe pushtetarëve të inkriminuar, që fatkeqësisht po e mbajnë drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre inkriminuese. “Njerëzit e politikës e kanë dominuar gjithmonë drejtësinë dhe vazhdojnë ta dominojnë, duke qëndruar mbi ligjin fatkeqësisht, prandaj me një drejtësi të këtillë po lëndohet rëndë imazhi i vendit dhe kështu pashmangshëm edhe perspektiva e zhvillimit ekonomik, si dhe mirëqenia e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh analisti Naim Kelmendi.
“Privatizimi” i drejtësisë
Analisti tjetër, Skender Kapiti, thotë se politika në Kosovë as nuk premton dhe as nuk rrit pagat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, pasi ata kanë “autorizimin” dhe lejen nga politika e krimit dhe e korrupsionit për shërbimin që ata u kryejnë. Pra, siç tha kanë të “drejtën” si gjyqtarët dhe prokurorët për të bërë korrupsionin, për të marrë ryshfete dhe për ta nxjerrë në shitje të drejtën, kanë të drejtën për t’i trajtuar palët ndërgjyqëse si klientë të tyre. Kjo do të thotë se prokurorët dhe gjyqtarët e kanë drejtësinë si pronë private të tyre, dhe fitimi nga ky realitet është i jashtëzakonshëm. Pra, ky fitim që dyshohet se u vjen atyre prej ryshfeteve, korrupsionit dhe trafikimit të së drejtës civile dhe të asaj shtetërore është i jashtëzakonshëm. Kështu që buxheti “personal” i gjyqtarëve i fituar në këtë mënyrë, që është tepër i lartë, nuk ka nevojë që të paguhet edhe nga buxheti i shtetit, dhe sado të rriten pagat e tyre, ato janë të papërfillshme në krahasim me atë se çfarë dyshohet që fitojnë prokurorët dhe gjyqtarët nga korrupsioni dhe matrapazllëku që ata bëjnë me drejtësinë”, theksoi ai. “Andaj, kjo lloj drejtësie e ka asfiksuar apo atrofizuar shtetin dhe aktivitetin ekonomik në Kosovë, si dhe ia ka mbyllur rrugën çdo perspektive të zhvillimit, prosperitetit dhe rritjes së mirëqenies së përgjithshme. Ndërsa kjo gjendje shpjegohet kështu: fillimisht politika kaparon, i blen gjyqtarët duke i emëruar ata, pastaj, gjyqtarët i shërbejnë politikës dhe politikanëve, duke i mbrojtur ata për krimin, vjedhjet dhe abuzimin e rëndë që ata bëjnë me postin e politikanit, pushtetarit dhe detyrës e vulës. Me këtë veprim më pastaj, gjykatësit dhe prokurorët kapin dhe e mbajnë peng politikën, e cila është e detyruar që t’ia kthejnë ” kusurin” prokurorëve dhe gjyqtarëve duke bërë mbrojtjen dhe avokatinë politike ndaj tyre për gjithçka çfarë abuzojnë dhe matrapazojnë ata me ligjin dhe me drejtësinë”, potencoi Kapiti./kosova sot/


