Drejtësia e gozhduar nga politika e korruptuar

Republika nuk garanton shtetin e së drejtës. Gjykatat dhe prokuroritë, peng i Ekzekutivit
“Gjyqësori ende mbetet peng i politikës, për fat të keq, dhe është i varur në mendësi nga ajo se çfarë i ofron politika. Si shembull, buxheti i Kosovës për prokurorët specialë ka qenë 899,085 euro, ndërsa krejt përkrahja e sistemit gjyqësor vjetor është rreth 2.52% nga buxheti i përgjithshëm. Kjo tregon se nuk ka pasur gatishmëri as Qeveria, as Kuvendi i Kosovës të përkrahin zhvillimin e një sektori të pavarur gjyqësor”, tha Ariana Qosaj- Mustafa për “Kosova Sot”
Kosova si shtet i ri, ende po vazhdon të marrë nota negative në të gjitha raportet ndërkombëtare, sa i takon funksionimit të rendit dhe të ligjit.
Analistët dhe ekspertët e fushës së drejtësisë në vend konsiderojnë se ky defekt ka qenë që nga fillimi i procesit të shtetndërtimit dhe deri më sot, plaga më e madhe në Kosovë, që nuk po arrin të shërohet.
Sipas tyre, në njëfarë mënyre, fitohet përshtypja se e gjithë shoqëria kosovare ndjehet e sëmurë dhe e goditur rëndë, pa shpresa të shërimit të shpejtë nga mosefikasiteti i gjyqësorit, një shoqëri që sikur po “pajtohet” në heshtje me mosfunksionimin e ligjit, me mossundim të ligjit dhe me mosluftim të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, i kontaktuar nga gazeta, tha se, duke iu referuar përvojë së tij në dy mandate në krye të institucionit që drejton, lirisht mund të thuhet se Kosova ende ka një sistem të brishtë të drejtë- sisë dhe fare pak funksional në luftimin e dukurive negative. “Pa pretenduar që të ndërhyj në pavarësinë e gjyqësorit, vlerësimi dhe përvoja e Agjencisë janë në të njëjtin pozicion si ai vlerësimi i Raportit të Progresit. Te gjyqësori mbetet shumë për të dëshiruar, thekson ai./kosova sot/