Fundamenti

Drejtësia e devijuar, ligjin po e bëjnë mafio-oligarkët

/ 10 minuta lexim

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët e pavarur po e shohin me shqetësim të madh se si në sistemin e drejtësisë kosovare, veçmas nëpër gjykata, si po luhet skenari i zhvlerësimit të rasteve serioze ku bëhet fjalë për të fortët e politikës dhe të krimit të organizuar, ose për njerëzit e thjeshtë që nuk janë të lidhur me krimin dhe u shkelen të drejtat e tyre.

Ahmeti: Vetting-u është imperativ i kohës për të pastruar sistemin e drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë, të cilët kanë lidhje kriminale me politikanët e kriminalizuar

“Gjyqësori në Kosovë vepron e sillet apriori dhe me guxim të madh për të dhënë padrejtësinë dhe për të bërë papërgjegjshmërinë, pasi ata nuk kanë frikë nga ligji e drejtësia, sepse ato janë dhe funksionojnë si prona private të tyre. Profesionalizmi, meritokracia dhe moraliteti i gjyqtarëve e prokurorëve në Kosovë janë politizimi partizan, kriminalizimi, korrupsioni, ryshfeti, klientelizmi nepotiko-politik, familjarizimi, paaftësia dhe papërgjegjshmëria institucionale e ligjore. Korporata politiko-juridike ka instaluar mafio-oligarkinë, e cila është bërë sunduese e shtetit, ligjit dhe shoqërisë, pra që kanë kapur të gjithë sistemin”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët e pavarur po e shohin me shqetësim të madh se si në sistemin e drejtësisë kosovare, veçmas nëpër gjykata, si po luhet skenari i zhvlerësimit të rasteve serioze ku bëhet fjalë për të fortët e politikës dhe të krimit të organizuar, ose për njerëzit e thjeshtë që nuk janë të lidhur me krimin dhe u shkelen të drejtat e tyre.

Është shumë shqetësues fakti,thonë analistët, se si po i mbyllin dhe zvarrisin lëndët gjyqësore ankimimet e ndryshme, gjatë kalimit nëpër tri shkallët e gjykatës, e që sipas njohësve të kësaj fushe në një vend funksional ku drejtësia është profesionale dhe e pandikuar politikisht, ankimimet do të bënin punë, por kështu siç po funksionon tek ne, ankimimet zvarriten për të mos pasur kurrë një gjykim të drejtë dhe për t’u kaluar afati lëndëve. Ka një mal rastesh që kur njerëzit ankohen nga një shkallë në tjetrën rrezikojnë për të mos pasur kurrë drejtësi për shkak të zvarritjes e bllokadave të qëllimshme, me qëllimin e vetëm që të mos zgjidhet rasti, por të sillet në rreth vicioz dhe pa epilog. Ekspertët e kësaj fushe theksojnë se ky është edhe një tregues shtesë se Kosova është shtet ku sundon nëntoka kriminale e instaluar në (pa)drejtësinë kosovare dhe jo ligji e ligjshmëria

RCCOLA

KAPITI: GJYKATAT NË KOSOVË JANË BËRË INSTITUCIONE VENDIMMARRJESH SELEKTIVE
Sipas analistit Skënder Kapiti, edhe kjo formë e shpërdorimit të drejtësisë është vetëm një argument tjetër që paraqet nevojën e futjes së shpejtë në funksion të ligjit për VETTING. “Gjykatat në Kosovë janë bërë institucione vendimmarrjesh selektive, vendimmarrje të cilat i paragjykon më parë politika dhe pushteti prej të cilave emërohen dhe zgjidhen gjyqtarët e prokurorët, pra së pari duke vepruar e funksionuar si gjyqtarë e prokurorë politikë të të tria shkallët e gjyqësorit. Dhe së dyti vendimmarrjet përcaktohen nga korrupsioni dhe ryshfeti që duhet të paguajnë qytetarët te drejtësia për të fituar të drejtat e tyre. Kjo e dyta u shërben gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët e kanë sigurinë e moshetimit dhe të guximit për të vepruar si shpërblim e garanci që u jep atyre politika për atë se ky gjyqësor mbron dhe vepron sipas urdhrave politike”, u shpreh ai.”Gjyqësori në Kosovë vepron e sillet apriori dhe me guxim të madh për të dhënë padrejtësinë dhe për të bërë papërgjegjshmërinë, pasi ata nuk kanë frikë nga ligji e drejtësia, sepse ato janë dhe funksionojnë si prona private të tyre. Profesionalizmi, meritokracia dhe moraliteti i gjyqtarëve e prokurorëve në Kosovë janë politizimi partizan, kriminalizimi, korrupsioni, ryshfeti, klientelizmi nepotiko-politik, familjarizimi, paaftësia dhe papërgjegjshmëria institucionale e ligjore. Korporata politiko-juridike ka instaluar mafiooligarkinë, e cila është bërë sunduese e shtetit, ligjit dhe shoqërisë, pra që kanë kapur të gjithë sistemin”, vijoi më tej Kapiti për “Kosova Sot”. “Vetëm një Ligj VETTING-u antikriminal, antikorrupsion, transparent dhe gjithëpërfshirës, do të bënte të mundur ndërtimin e demokracisë dhe vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë, që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.

Zvarritja e qëllimshme e rasteve
VETTING-u si instrument i pastrimit dhe disiplinimit të drejtësisë së kapur nga politika kosovare mbetet zgjidhje e vetme edhe për analistin Bislim Aliu.”Në gjykatat tona, është shumë e vërtetë se nuk ka fare drejtësi. Andaj, vazhdimisht po luhet skenari i zhvlerësimit të rasteve serioze, nëpër gjykatat e Kosovës. Zgjidhjen e vetme e shoh tek një model VETTING-u që po zbatohet tani suksesshëm në Shqipëri. E them këtë sepse kjo drejtësi e kapur nga politika, gjykatat dhe prokuroritë nuk është në funksion dhe në përgjegjësinë ligjore e kushtetuese. Dhe, për këtë, ata po i zvarrisin apo edhe i mbyllin lëndët gjyqësore, ngase janë edhe ato ankimimet e ndryshme, që gjatë kalimit nëpër tri shkallët e gjykatës bëhen histori më vete e dështimit të krejt procesit”, u shpreh ai. “Dihet mirëfilli që në një vend funksional , ku drejtësia është funksionale dhe e pandikuar politikisht, ankimimet do të bënin punë, por kështu si po funksionon te ne, ankimimet zvarriten për të mos pasur kurrë një gjykim të drejtë dhe për t’u kaluar afati lëndëve! Për këtë, njerëzit ankohen nga një shkallë në tjetrën, rrezikojnë për të mos pasur asnjëherë drejtësi, mu për shkak të zvarritjes e bllokadave të qëllimshme, me qëllimin e vet që të mos zgjidhet rasti, por të sillet në rreth vicioz dhe pa epilog! Kjo me siguri është një tregues shtesë, se Kosova është një shtet, ku gjithnjë sundon nëntoka kriminale e instaluar në drejtësinë kosovare, ku nuk sundojnë as ligji dhe as ligjshmëria, prandaj duhet të kërkojmë me ngulëm një ligj VETTING-u edhe për të gjitha instancat e institucioneve dhe të drejtësisë kosovare”, tha Aliu për “Kosova Sot”.

PRETENI: DREJTËSI E VONUAR ËSHTË REALISHT DREJTËSI E DËSHTUAR
Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, tha për “Kosova Sot” se një lojë e tillë tregon më së miri se sa larg është Kosova nga një drejtësi në interesin e formimit të shtetit dhe respektimit të lirive e të drejtëve të garantua me kushtetutë për qytetarët. “Drejtësi e vonuar është realisht drejtësi e dështuar. Zvarritjet asnjëherë nuk janë të rastësishme. Ne fillim eskivojnë-taktizojnë palët, duke mos i vijuar proceset, shtyhen seancat për mosardhjen e aktorëve kryesorë dhe më pastaj kur shtyhen 2-3 seanca fillojnë taktizimet e tjera. Jemi “mjeshtër” të taktizimeve, vonesa-shtyrje deri në pafundësi. Pastaj në shkallët e tjera të ankimimit prapë sjellje të njëjta, kthim në rigjykim është vendimi më i shpeshtë i apelit. Nuk më kujtohet ndonjë proces të përfunduar e që ka peshë, ndoshta edhe mund të përfundojë ndonjë rast, por pastaj ata të gjykuarit ikin nga vendi. Këto taktizime e kanë vetëm një përfundim ose vetëm një dëshirë e ajo është: Me kalimin e kohës gjithçka do të venitet, publiku i harron rastet, palët avancojnë pa asnjë problem”, vlerësoi Preteni për “Kosova Sot”. “Institucionet e vendit, edhe ato më të rëndësishmet, bartëse të tri pushteteve kryesore, janë plot me zyrtarë të akuzuar, kot akuzohen me pompozitet, shkruhet dy-tri dite dhe gjithçka harrohet. Nga ana tjetër, për të gjitha këto dështime askush nuk po dorëhiqet. Është prezumimi i pafajësisë, thonë ata. Kështu ndodh krejt loja dhe rastet stërzgjaten dhe këtyre të akuzuarve u krijohet hapësirë që të veprojnë heshtazi dhe të ‘sigurojnë pafajësinë'”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

Mjegulla korruptive
VETTING-u është shpresë e vetme e nxjerrjes së sistemit të drejtësisë nga humnera në të cilën e ka zhytur politika edhe sipas analistit Hidajet Ahmeti, ndonëse ai thotë se nuk ka gjasa që diçka e tillë të bëhet me këtë kastë të tanishme politike. “Tanimë ne kemi thënë disa herë që Vetting-u është shpresë e vetme dhe mundësi që në të ardhmen të kemi një drejtësi profesionale dhe të pavarur dhe për më shumë drejtësi efektive. Mirëpo, për fat të keq, unë po dyshoj që kjo strukturë politike mund ta shtyjë këtë proces aq serioz përpara. Po e them këtë pasi që aq shumë është e kriminalizuar skena jonë politike dhe institucionet e ndërtuara prej saj, saqë do të mundohet të përdorë çdo mekanizëm për ta zvarritur në kohë procesin e Vetting-ut”, theksoi ai.”Në këtë funksion është edhe mjegulla e krijuar për shumë vite, që tani po shërben si një terren i përshtatshëm për të vepruar papendueshëm politikanët e kriminalizuar e të korruptuar. E kur jemi te kjo mjegull dhe largimi i kësaj mjegulle do të nxirrte në shesh një mal të tërë të pyllëzuar me të palarat e politikanëve pas luftës, një mal abuzimesh kriminale, të cilët janë bërë në kurriz të qytetarëve gati për dy dekada të plota”, vijoi më tej Ahmeti. “Në megjithatë duhet të insistojmë në Ligjin e VETTING-ut dhe të mos ndalemi, sepse Vetting-u, përveçqë është shpresë dhe mundësi, është imperativ i kohës që të ndodhë duke pastruar gjyqësorin nga gjyqtarë e prokurorë, të cilët kanë lidhje kriminale me politikanët e kriminalizuar e të korruptuar dhe mbajnë gjallë ata nga ndjekja e drejtësisë, është rruga e vetme e fuqizimit të shtetit të së drejtës për të gjithë, e hapjes së perspektivës reale evropiane”, tha analisti Hidajet Ahmeti.

(Kosova Sot)