KKVITI

Drama e shqiptarit, viktimë e përjetshme e mjekësisë zvicerane

/ 29 minuta lexim
Uji Dea

Në këtë intervistë të gazetës Shekulli, Ismajl Qerimi nga Vushtria e Kosovës flet për dramën e shumëfishtë që po përjeton që prej afro një dekade, ku pas një aksidenti në punë, u operua në mënyrë joprofesionale dhe për më tepër pa praninë e specialistit anestezist.

Kjo ndërhyrje kirurgjikale rezultoi e pafalshme sipas specialistëve që e vizituan më vonë. Kushdo që e ka lexuar romanin “Rrethi i kujtesës” të Diana Culit, do t’i dukej më normale eksperimentimi me medikamente që i bëhej në një klinikë naziste një partizaneje shqiptareje në vitet e Luftës së Dytë Botërore në raport me kalvarin dhe privimeve që ka hequr dhe vazhdon të vuajë Ismajli në vitet ‘2000. Sepse, si për ironi të fatit, Ismajli nuk jeton as në Ruanda, as në regjimin e Mugabesë dhe as në ndonjë republikë të humbur bananesh por në zemër të Europës. Në një shtet që po i afrohet 800-vjetorit të formimit të tij dhe konsiderohet si model në funksionimin e demokracisë në shkallë botërore. Pikërisht në Konfederatë n e Zvicrës.

Zhgënjimi i tij më i madh do të vinte më pas si pasojë e diskriminimit, antihumanizmit dhe presioneve që ka përjetuar për të mbyllur gojën dhe për të mos ta publikuar këtë skandal. Historia e tij e dhimbshme është e vështirë të përshkruhet nëpërmjet një interviste sepse ai po vuan familjarisht pasojat e papërgjegjshmërisë së bluzave të bardha si dhe të përfshirjes së tyre indirekte në presione me qëllim për të heshtur për këtë skandal. Me një gjendje shëndetësore tashmë të cunguar përgjithmonë, ai rrëfen me një kujtesë të admirueshme fakte dhe detaje, të cilat vërtetohen nga dokumentet origjinale që ai posedon dhe i vë në dispozicion.

Duke pasur në dispozicion mjaft dokumente të cilat provojnë vërtetësinë e thënieve të tij dhe me to mund të shkruhet fare mirë edhe një roman, arrita që të bindesha plotësisht se këtu kemi të bëjmë me një skandal, pavarësisht faktit se me të komunikoj ende në përmjet internetit on-line dhe ende jo dorë për dorë. Në kushtet e një dëshpërimi dhe ankthi të tejskajshëm që ai ndien çdo ditë jo aq për vete se sa për pasigurinë e familjes së tij, Qerimi i është drejtuar tashmë Gjykatës Europiane të Strasbourgut ku edhe ka depozituar dosjen e çështjes së tij me të gjitha provat, pas zvarritjeve përtej afateve ligjore të parashikuara nga Gjykata e Kantonit të Vaudit. I dëshpëruar për nëpërkëmbjen që po i bëhet në një shtet që pretendon të jetë model i demokracisë, Qerimi thotë se në rast se e drejta e tij nuk do të shkojë në vend shumë shpejt ai do të fillojë familjarisht një grevë të pakthyeshme urie përpara një prej institucioneve kryesore të shtetit ose atyre ndërkombëtare të instaluara prej shumë kohësh në Zvicër.

Ndërkohë, gjatë bisedave të shumta me të, Qerimi shprehet i gatshëm që të përballet me cdo gjykatë në lidhje me pohimet dhe akuzat e rënda që ai ngre në këtë intervistë, madje duke u vënë në dispozicion që t’i nënshtrohet edhe provës së makinës së të vërtetës, ashtu si në SHBA.Dhe, në mbyllje të këtij prononcimi, duke konsideruar si më efikase dhe më me peshë në arenën ndërkombëtare institucionet e shtetit shqiptar në raport me ato të Kosovës, ai i bën thirrje për ndërhyrje në përmjet autoritetit shtetë ror dhe kanaleve diplomatike edhe Kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha.

Fillimisht ju lutem diçka për veten tuaj për audiencën e gazetës “Shekulli”. Kush është Ismajl Qerimi, kur erdhët në Zvicër, për ç’arsye dhe si u integruat?

Në radhë të parë ju falënderoj për mundësinë që po më jepni për të komunikuar me publikun nëpërmjet kësaj interviste. Quhem Ismail Qerimaj dhe jam nga Dumnica e Vushtrisë në Kosovë ku edhe kam lindur më 1975. Lashë Kosovën në vitin 1992 për arsye politike si pasojë e shtypjes dhe e represionit të atëhershëm dhe në vitin 1993 kam ardhur në Zvicër ku më priste vëllai im i cili kishte emigruar më parë. Pas një viti fitova statusin e refugjatit politik dhe u vendosa në kantonin e Vaudit. Gjatë këtij viti u integrova mjaft mirë profesionalisht dhe u vendosa këtu përfundimisht. Në vitin 1997 u njoha më Isabela Pereira, një vajzë e mrekullueshme me nënshtetësi franceze dhe origjinë portugeze, me të cilën edhe u martova në vitin 2000 dhe kemi një djalë 8-vjeçar. Unë fillova punë në postën zvicerane ndërsa bashkëshortja ime ka punuar menaxhere biznesi në lavanderi.

Tani le te ndalemi në aksidentin që ju ndodhi në punë. Si ndodhi?

Aksidenti ndodhi më 26 nëntor të vitit 2003 kur një pako me peshë afro 30 kilogram më ra në dorën e majtë nga një lartësi prej 4-5 metra. Shefi me dërgoi urgjentisht në Poliklinikën Vidymed në Lozanë. Dy mjekë më kanë kontrolluar, Dr. Moeri dhe Dr. Stuzenegger, të cilët, me anë të radiografisë, gjetën lëndim të damarit të syrit dhe të një kisti palmaire radiale (një lloj palme muskulore). Nga kjo ditë kam ndërprerë punën duke marrë ilaçe kundër dhembjeve. Në mes kohës, gjatë përcjelljeve mjekësore, më është dhënë një injeksion për të m’i ndaluar dhimbjet në dorën e majtë, gjë që më ka mundësuar që ta rifilloj punën në shkurt të vitit 2004. Kështu, pas disa muajve, Dr. Moeri dhe Dr. Stuzeneger, më sugjeruan që t’i shtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila u bë më 22 shtator 2004 në klinikën La Source. 3 ditë para operimit më komunikuan pushimin nga puna…

Gjatë bisedës theksuat disa herë se ky operacion rezultoi fatal për juve. A mund të na shpjegoni në mënyrë më të kuptueshme për lexuesin se çfarë ndodhi me ju?

Në çdo operacion pacientit i mundësohet prania një mjeku anestezist por kjo nuk ndodhi me mua. Unë jam vendosur direkt në sallën e operacionit dhe një infermiere erdhi për të luajtur rolin e anestezistes. Këtë e vërteton edhe deklarata e firmosur nga mjeku i anestezisë Dr. Pierre Ledermann, i cili, në dijeni profesionale të kësaj ndërhyrjeje të papërgjegjshme kirurgjike ndaj meje, pohon se nuk ka qenë i pranishëm në operacionin tim, çka dhe është e vërtetë. Prandaj edhe vendosja e emrit të Dr. Ledermann si i pranishëm në protokollin e hartuar nga ana e Stuzenegger dhe mosvendosja e emrit të infermieres Sabine Noel e cila në të vërtetë e zëvendësoi atë, ka qenë një tentativë e pastër për të falsifikuar dokumentet.

Kjo për arsye se Stuzenegger ka qenë i ndërgjegjshëm se zëvendësimi i një mjeku anestezist me një infermiere në sallën e operacionit përbën një shkelje të rëndë ligjore. Ju keni në dispozicion edhe dokumentin e këtij protokolli që vërteton këto që sapo ju thashë. Vetë mjeku anestezist Pierre Ledermann duke mohuar me anë të një deklarate të firmosur pjesëmarrjen e tij në operacion i lë në dorë dopjogjashtën Dr. Stuzenneger pasi ai nuk kishte përse të mbante përgjegjësinë e paaftësisë së tij, për më tepër që dihet se si u përkeqësua gjendja ime shëndetësore pas operacionit. Ndërkohë mjeku kirurg Dr. Michael Stuzenegger filloi menjëherë operacionin. Kur pare se anestezia antervenoze nuk e ka patur efektin e vet sepse aj vetum kishte filluar operaqionin dh nuke kishte mundesi te kthehet mbrapa dhe ka kerkuar te aplikoi infermeres anestezinë lokale nën sqetull.e vetmja zgjidhje per te vazhduar operacionin,pore qe të ishte aj mjeke I sinqerte dhe korekte nuke u dufte ta vazhdon operacionin në kushte te tilla pa prezencën e anesezonit .Kam ndjerë një dhimbje të padurueshme, dora më ishte mpirë fare. Ishte një torturë e vërtetë dhe e mbaj mend mirë se kam ulëritur nga dhimbja. Kirurgu ishte në panik dhe i bërtiste infermieres në një kohë që në vend të saj duhej të ishte anestezisti. Ai vazhdoi operacionin në dorën time dhe kjo shënoi fillimin e një makthi të gjatë për mua. Pas operacionit jo vetëm ndjeja dhimbje të konsiderueshme dhe reduktim të ndjeshëm të forcës në parakrahun e majtë.

Si rodhën ngjarjet pas këtij operacioni?

Që nga ky operacion shëndeti dhe jeta ime pësuan një traumë fizike dhe psikike. Nga dhembjet u detyrova menjëherë pas operimit që të kërkoj ndihmë mjekësore në urgjencë, ku për të dytën herë, më kanë aplikuar morfinë kundër dhembjeve, dhe aty mjekët më thanë se duhet të konsultoj kirurgun tim sepse këto dhembje nuk janë normale. Pas konsultimeve me Dr. Sturzenegger, shkova te Dr. Huggenbuhler, i cili më bëri ekzamimin EMG, i cili konstaton se nuk ka përmirësim. Kirurgu im, kësaj here, më propozon një rioperim, duke dyshuar se operimi i nervit carpien ishte gabim, por duke u arsyetuar se duhet konsultuar sigurimin e aksidenteve, SUVA (Sigurimi Aksidental Profesional ne Zvicer) për ta përcjellur gjendjen shëndetsore, gjegjësisht të dorës sime.

SUVA më propozoi një klinikë speciale për riadaptim në Sion… Në këtë klinikë, iu jam nënshtruar seancave fizioterapive dhe ergoterapive të papërshtatshme të cilat më kanë dëmtuar duke ma paralizuar grushtin të cilin nuk kam mundur ta hap. Duke u përpjekur që të ma hapin grushtin, ata kanë praktikuar shumë infiltrime injeksionesh në muskuj (si Calcitonine, Botoxe e Redia), por që nuk kanë pasur asnjë sukses. Mjekët e SUVA-s nuk e kanë marrë seriozisht gjendjen time shëndetësore, madje ata më kanë quajtur stimulues (!!!). Për injorimin e shërimit tim, nga ana e mjekëve, i kam njoftuar edhe anëtarët e familjes sime. Unë kam insistuar me këmbëngulje se përse më mbajnë, të mbyllur si një jetim, duke më keqtrajtuar me sjelljet e tyre vulgare dhe agresive…Pas insistimit tim për kontrolle më profesionale, ata më në fund ranë në përfundimin se diagnoza ime ishte “algoneurodystrophie ?”.

Mjekët më thanë se përmirësimi i gjendjes shëndetësore do të bëhët me kalimin e kohës. Gjatë qëndrimit tim në klinikën e Sionit, dhembjet e mia nuk kishin pushim, për çka edhe u kërkoja ndihmë infermiereve dhe mjekëve për të më marrë parasysh dhembjet e padurueshme …Por ata, në vend që të kujdeseshin sipas profesionit të tyre human, më provokonin duke më nxituar që, me fajin tim, të lëshoja klinikën dhe të mbetesha në mëshirën e dhimbjeve. Dhe më në fund, ata më nxorën nga klinika pa më dhënë kurrfarë përmirësime të gjendjes sime shëndetësore. Pas 4 ditësh nga dalja nga klinika, në banesën time më vazhduan dhembjet e padurueshme duke u rritur me krizë edhe më të madhe, duke u përhapur në krahun e majtë dhe në shpatull, nën sqetull, në anën e majtë të fytyrës si dhe në anën e majtë të boshtit kurrizor duke shkuar deri në tru. Pastaj mu keqësua edhe frymëmarrja. Mu skuqën veshi i majtë, qafa në anën e majtë, si dhe të gjitha pjesët e trupit nga ana e majtë gjithashtu. Familja ime, e shqetësuar nga kjo gjendje shumë delikate e shëndetit tim, thirri ndihmën e shpejtë….

Aty, duke më parë të tillë, më dhanë ushqim artificial-infuzion dhe pastaj morfine. Neurologu deklaroi se është i panjohur për këto simptome dhe kërkon ndihmë e shefit neurologjik për sëmundjen algoneurodystrofie. Pas shumë orëve pritje, më në fund arriti neurologu, i cili pas ekzaminimit, konsaton se gjendja ime ishte tejet e komplikuar dhe nuk ka mundësi të më ndihmojë. Ai më sugjeroi që të shkoj në banesë duke më premtuar se, në konsultim me kolegët e vet, do të bëj të mundshme një egzaminim më të përsosur. Por kjo nuk ndodhi dhe as që ka ndodhur deri më sot. Fillimisht dyshova derisa u binda plotësisht se të gjitha këto injorime dhe keqtrajtime medicinale kanë qenë të ndikuara nga mjekët e Sigurimit Shëndetësor, SUVA. Mjekët e dinin mirë shkakun e gabimit profesional mjekësor dhe detyrimisht edhe dëmin moral dhe material që më detyrohen ligjërisht. Por bashkëpunimi i tyre jo në favor të shëndetit tim por te rrënimit të mëtejshëm të tij tregon se asnjëri prej tyre nuk dëshironte shërimin tim. Madje ata janë të interesuar që të më paraqesin edhe si të sëmurë psikik, mjaft që të mbulonin fajin e tyre duke e pasur nesër më të lehtë para gjykatës pasi fjalët e një të sëmuri psikik nuk merren në konsideratë. Por unë posedoj deklarata të hartuar nga mjekë të tjerë të cilët vërtetojnë pretendimin tim, pra atë se ndaj meje është bërë një ndërhyrje e pafalshme kirurgjikale e cila më ka lënë pasoja të pariparueshme.

A jeni vizituar jashtë Zvicrës?

Duke mos humbur shpresat për një trajtim human e mjekësor dhe duke hulumtuar edhe nëpërmes internetit, vendosa që të shkoj për një kontrollim rutinor në një poliklinikë e specializuar për duar – d.m.th. te një specialist i njohur në Belgjikë, konkretisht te Dr. Huard në klinikën “Parc service electromyografie”. Kjo u realizua më 26 gusht 2005. Pasi kontaktova, me anë të telefonit, mjeku belg më caktoi një takimin të shpejtë, për çka edhe i jam shumë mirënjohës. Ai më dëgjonte me shumë vëmendje për të gjitha peripecitë e mia dhe pas shikimit të dokumenteve mjekësore që ia tregova si dhe pas kontrollimit shumë të kujdesshëm më pyeti i habitur: “-Kush është ai mjek që të ka thënë se duhej t’i nënshtroheshe një operacionit të tillë?!!

Dhe pasi më sqaroj se “ky hap i mjekëve zviceran ishte shumë i gabuar, dhe si pasojë, sëmurja jote nuk vjen vetëm nga “algoneurodystrophie”, por nga ky operim i gabuar duke të dhënë se gabimisht anestezionin post-opératoire, dhe diagnoza e saktë quhet “plexus brachial”. Në vend që të përdornin likidin për të pirë dorën ata përdoron një likid që quhet Klorur Postazium Toksik. Kështu tu dëmtuan 10 nerva. Por nëse ky gabim do të bëhej me gjilpërë nuk do të ishin lënduar më shumë se një apo 2 nerva e jo tëre zona e plexus brachial. Vetëm një toksike mund ta bënte një lëndim të tërë.”, konfirmoi mjeku belg Huard. Këtë e dëshmojnë më së miri EMG dhe 2 fotografi mjekësore, përkatësisht njëra e bërë në Bruksel e tjetra në Kosovë. Njëkohësisht kjo vërtetohet edhe nga një ekspertizë juridike e pavarur që kemi bërë në Gjenevë etj. Kjo është një sëmundje e përjetshme dhe e pashërueshme sipas të gjithë mjekëve që më kanë vizituar më pas. Këtë diagnozë e vërtetojnë të gjithë vizitat që bëra pas atij operacioni fatal në klinikën “La Source”.

UBT

Nga nevoja për një shërim adekuat kam shkuar te shumë specialistë, si në Kosovë, Austri e Gjermani gjithë ashtu në France, ku më kanë thënë se diagnozifikimi i mjekut nga Belgjika ishte i saktë, kuptohet edhe pas një egzaminimit të tyre. Me fjalë të tjera janë tèrè nervat e mia të lënduara ne territorin plexus brachial, dhe gjithashtu një infektim .

Këtë gabim të pafalshëm gjatë operimit tim si dhe kushtet në të cilat unë u operova pa praninë e mjekut anestezist e ka konstatuar dhe dokumentuar edhe Dr. Anne -Marie Bendahan në Strasbourg e cila është në të njëjtën kohë edhe Sekretare e Shoqatës Kombëtare të Mjekëve të Këshillit të Rekursit në Francë. Zonja Bendahan u prek dhe në të njëjtën kohë u revoltua shumë kur pas vizitës që më bëri mësoi gafat e pafalshme profesionale të Dr. Stuzeneggerit. Deklaratat e lëshuara prej saj ju i keni në dispozicion. Kjo zonjë e nderuar më është shprehur e gatshme që të dëshmojë profesionalisht para çdo gjykate, si në Zvicër ashtu edhe në Gjykatën Europiane në Strasbourg për çështjet që kam hapur kundër klinikës “La Source” dhe Dr. Stuzenneger që më shkatërruan jetën. Po kështu edhe mjaft mjekë të tjerë belgë, austriakë, kosovarë dhe madje edhe zviceranë, pasi më kanë vizituar janë në të njëjtën linjë profesionale dhe janë edhe ata të gatshëm që të dëshmojnë…

Nga të gjitha këto që u thanë më lartë jeta ime është shkatërruar. Kjo vjen nga injorimi, mungesa e humanizmit dhe e vullnetit të mirë nga ana e disa mjekëve në Zvicër si Dr. Stuzengger dhe ekipi i tij. Edhe më pas ky i fundit u tregua mjaft arrogant. Unë habitem se si monstra të tilla kanë bërë Betimin e Hipokratit. Ata preferojnë që të mbeten solidarë në paaftësinë dhe pandershmërinë e tyre në vend që të tregonin të vërtetën dhe të bënin përpjekje për të më shëruar atëherë kur kjo mundësi ekzistonte. Përballë kësaj padrejtësie unë gjendem i dënuar që të mbetem handikap përjetë. Është kjo arsyeja për të cilën ngjarja ime më ka obliguar që t’ju lutem juve për ta publikuar në mënyrë që padrejtësi të tilla të mos të përsëritet më kurrë.

Gjatë bisedës jeni shprehur për presionet, incidentet e deri në atentatet fizike që janë kryer ndaj jush dhe prestarëve të familjes suaj me qëllim që t’ju detyrojnë që të heshtni për këtë skandal. Lutem të ndaleni konkretisht në rastet që ka qenë më të rëndë dhe flagrant.

Po, është e vërtetë. Një atentat i rëndë më ka ndodhur në korrik të vitit 2006 kur isha në Kosovë. Po pija një kafe më një mik timin në një lokal të Prishtinës dhe shoh të na afrohet një person që fliste frëngjisht dhe që po tentonte të më fotografonte. I thashë që të largohej se nuk doja që të fotografohesha nga një i panjohur por ai vijonte të më shikonte dhe kjo më bëri të dyshoj. Pas pak minutash hipëm në makinë dhe duke u kthyer jashtë Prishtinës, në afërsi të një tuneli, një person na kishte dalë para në anën e majtë, ne mesin e hyrjes së tunelit. Ai shkrepi një plumb me snajper në drejtimin tim. Shpëtova për mrekulli sepse kisha ngadalësuar instiktivisht paksa shpejtësinë kur pashë këtë skenë dhe pashë flakërimin e plumbit pak metra para automjetit. Atë ditë më ka shpëtuar Zoti. Qysh atë ditë e kuptova përfundimisht se duan të më eleminojnë fizikisht në pamundësi për të më mbyllur gojën për të drejtat e mia legjitime të përdhunuara në mënyrë flagrante nga shteti zviceran. Miku im ishte prezent dhe mund të dëshmojë për këtë atentat që për pak më kushtoi jetën. Gruaja u trondit shumë dhe gjatë një kontrolli të imët që i bëri automjetit tonë për siguri, gjeti një aparat të vogël përgjues. Vëllai e ruajti këtë për të bërë denoncimin dhe për momentin më largoi larg nga shtëpia për arsye sigurie.

Jam sulmuar edhe pranë banesës sime natën e 22 shkurtit 2009 nga 5 persona të maskuar dhe të armatosur. Dhe ky atentat erdhi gjatë periudhës kur unë komunikoja me gazetarin Fabio Bonavita të “Lausanne Cites” në lidhje operacionin e gabuar gjatë operimit tim në klinikën “Source”. Me fjalë të tjera unë kam qenë dhe me siguri që vijoj të jem i survejuar në lëvizjet e mia. Po kthehesha në shtëpi dhe pashë 5 persona në 2 automjete. Ata kishin parkuar njërën makinë në vendparkimin tim dhe tjetrën në anë të rrugës. Kur e pashë këtë skenë nga makina ime kam tentuar që të kthehem me shpejtësi nga rruga kryesore, bërtita dhe i telefonova vëllait tim që banon aty pranë. Gruaja ime që ndodhej në shtëpi dëgjoi thirrjet e mia dhe doli të dera. 4 prej tyre u larguan menjëherë sepse më panë kur telefonova nga makina. Njëri prej tyre deshi të më qëllonte por në atë moment kaloi një makinë dhe dritat e drejtuara nga ne e frikësuan agresorin duke kujtuar se mbase ishte policia. Kjo rastësi më shpëtoi.
Ndërkohë unë arrita që të bllokoja njërin prej tyre me ndihmën edhe të vëllait që mbërriti menjëherë. E mbërthyem në flagrancë sepse nuk kishte mundë si manovrimi në një rrugicë qorre dhe i morëm kartën e identitetit për ta denoncuar në polici, së bashku me një foto që ia bëmë po aty me celular. Ishte nga Lituania. Në stacionin e policisë në Renens na pyetën se nga kush dyshonim se më vjen ky agresion. Ia bëmë të qartë se qysh nga dita e operimit tim fatal, shumë incidente kanë ndodhur me mua dhe për këtë bëj fajtor punonjësit e paguar të SUVA dhe klinikën “La Source”. Policët u treguan indiferentë duke më thënë se kjo akuzë nuk ka se si provohet… Kur u ktheva në shtëpi përjetova një tronditje akoma edhe më të madhe. Gruaja ishte zverdhur dhe shokuar nga incidenti pasi kishte parë cdo gjë në momentin kur doli nga shtëpia. Në këto kushte depresive ajo humbi fëmijën tim të dytë sepse ishte shtatzënë…

Vetëm pas pak kohësh mësova nga burime të mirëinformuara se lituanezi që kapëm dhe denoncuam kishte dy të afërm nga rrethi i tij familjar që punonin në klinikën La Source. Pra dyshimet dhe akuza që bëra bashkë me vëllain qenë të bazuara dhe të sakta sepse unë nuk kisha të bëja me atë njeri. Në këto kushte e denoncova edhe këtë fakt por përgjigja ishte mëse qesharake; Sipas policisë lituanezi që bënte pjesë në grupin që më sulmuan para shtëpisë nuk jetonte më në Zvicër (!!!). Në fakt kam informacione të sakta se ai jeton edhe sot në Zvicrën gjermane. U demoralizova edhe më tepër pasi mësova se tashmë aleatë me bluzat e bardha të klinikës Source dhe SUVA-s ishte bërë edhe policia. Pajtuam një dedektiv privat dhe ai arriti që të mbërthente dhe të shtrëngonte mercenarin ordiner nga Lituania që të pohonte të vërtetën në lidhje me agresionin kundë r meje. Po kë shtu, një dedektivi privat që pajtuam me pagesë na bë ri të ditur se lituanezi kishte lidhje me klinikën “La Source pak kohë pas denoncimit që i bë ra për agresionin e tij të provuar. Bashkangjitur keni deklaratën e lituanezit ku ai pohon se është paguar me 5 mijë franga zvicerane për të hyrë në shtëpinë time dhe për të zhdukur cdo dokument komprometues të dosjes sime . Përse do të ishte i interesuar për zhdukjen dosjen time lituanezi i panjohur dhe mbase ende pa dokumente të rregullta në Zvicër? Pra ka qenë klinika “La Source” që e ka ushtruar nga pas për të mos dalë vetë në skenë .

Gjykata e Kantonit të Vaudit vendosi pushimin e çështjes për mungesë provash sepse askujt nuk i interesonte e vërteta. Fillova të dyshoja sepse Kantoni i Vaudit duke mos dëshiruar një imazh te keq para botës dhe një skandal të tëre dëshiruan përsëri heshtje(!!) megjithëse ne e denoncuam në flagrancë agresorin pasi e detyruam që të na jepte identitetin. Ju përmenda vetëm 2 nga sulmet dhe atentatet më të rënda që kanë organizuar kundër meje por ka edhe të tjerë gjatë këtyre viteve, si gjoba krejtësisht të pajustifikuara, dëmtime ose edhe shkatërrime të automjetit pikërisht kur po bëhesha gati që të kontaktoja me ndonjë personalitet apo aktivist të të drejtave të njeriut për çështjen time..

Pak muaj pas këtij sulmi, gruaja ime Isabela i shkroi një letër prej 2 faqesh Këshillit Federal të Zvicrës duke i përmbledhur kalvarin e vuajtjeve të mia dhe të familjes. “Stop eksperimenteve humane” , “…c’farë do të bënit ju po të ishit në vendin tonë?”, janë disa nga pyetjet qe ajo i drejtohet këtij institucioni…. Për pak kohe na lanë të qetë por provokimet nga më vulgaret edhe nga ana e policisë dhe civilëve të veshur me pushtet vijuan edhe më vonë…

Në këto kushte flagrante diskriminimi dhe represioni ju iu drejtuat gjykatës dhe prokurosisë. C’farë padish dhe kundër kujt i keni ngritur konkretisht?

Unë kam hapur gjyq kundër SUVA (Sigurimi Shëndetësor i Aksidenteve në Punë ), kundër kirurgut Michael Stuzengger, kundër Klinikes “La Source” si dhe kundër infermieres Sabine Noel e cila u fut në mënyrë joligjore në sallën e operacionit duke zëvendësuar mjekun anestezist si shkaktarë të përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes sime shëndetësore. Për mua ka një çështje sociale për pensionin prej 9 vjetësh, një procedurë penale që prej 3 vjetësh dhe një procedurë civile. Në të tria rastet ka vetëm zvarritje të qëllimshme për të mos ardhur në vendimin i cili dukshëm që është në favorin tim. Të gjithë këshilltarët e shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë janë të mirinformuar me dosjen dhe vuajtjet e mia por ata preferojnë që të heshtin. Vetëm para pak kohësh më kanë zhdukur një pjesë të rëndësishme të dosjes sime civile në Gjykatën e Kantonit të Vaudit duke arritur që t’i thonë me pafytyrësinë më të madhe gruas sime se dosja ime nuk ka ekzistuar kurrë. Por unë posedoj të gjithë dokumentet origjinale duke qenë i vetëdijshëm më përpara për këto manovra të ulëta nga ana e tyre.

Po qëndrimi i avokateve tuaj cili ka qene dhe është aktualisht?

Avokat Guigax nuk ishte në gjendje që të përballonte presionin psikologjik të sistemit të Kantonit të Vaudit dhe e braktisi çështjen time. Avokat Poggia më ka dhënë vetëm premtime por deri tani asgjë. Madje edhe pas pagesave që ai ka marrë nuk po shoh ndonjë inisiativë të tij në çeljen e gjyqit. I pyetur për çështjen time ai ka deklaruar se nuk do të mbronte viktimën në një çështje kundër një klinike private apo shtetërore (!!).Ky fakt ndodhet në fq 11 të dokumentit konfidencial që jua kam vënë në dispozicion. E gjeni në fq. 11. Por atë nuk e detyroi askush që ta merrte rastin tim. Ndërkohë me avokatin e tretë fillova procedurën penale dhe civile por edhe ky u tërhoq pas presioneve që i erdhën nga funksionarë të kantonit të Vaudit pasi kishte përfituar edhe ky mjaft pagesa për shërbimin e tij të pakryer ndaj meje. Në rastin më të mirë avokatët zviceranë i shoh të pafuqishëm për çështjen time. Ky është realiteti në Zvicër.

A keni ende shprese te drejtësia për shkeljet qe ju janë bërë ? Si do te operoni konkretisht ndaj këtyre padrejtësive që ju kanë bërë dhe që po i vuani ende?

Unë shpresoj gjithmonë se drejtësia do të fitojë por jo në Zvicër. Tani çështja ime ndodhet në Gjykatën Europiane të Strasburgut për zvarritje që Gjykata e Kantonit të Vaudit i ka bërë qëllimisht çështjes sime. Unë do ta vazhdoj luftën time deri në fund në bazë të dosjes së plotë të provave të pakontestueshme që i kam paraqitur atje. Dua t’i tregoj kë saj Gjykate të nderuar dhe Këshillit të Europës se Kosova u kritikua ashpër pë r zvarritje të çështjeve gjyqësore deri në 5 vjet në një kohë që çështja ime po zvarritet prej 9 vjetësh në një shtet si Zvicra.

Gjykata e Kantonit të Vaudit, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë vendim për denoncimet e mia flagrante por përkundrazi ka tentuar që të më demoralizojë dhe demotivojë duke i zvarritur cështjet. Në këtë mënyrë ata kanë kalkuluar siç duket se e vetmja mënyrë që çështja Qerimi të sabotohet për në Gjykatë e Strasburgut është bllokimi i procedurës qysh në Gjykatën e Kantonit. Pra një shkallë më poshtë se Gjykata Federale e shtetit helvetik e cila as që e njeh ende dosjen në fjalë. Sepse bluzat e bardha, policia dhe togat e zeza të kantonit të Vaudit janë të implikuara në këtë aferë. Ata kanë prerë hallkë n e ankimit tim duke ia fshehur këtë edhe pushtetit federal të Zvicrës. Unë i bëj apel Federatës së Zvicrës që të reagojë ligjërisht ndaj këtyre presioneve që po vijojnë të më bëhen mua dhe familjes sime, vetëm e vetëm se po ngre zërin për të drejtat e mia të mohuara. Kjo sepse në rast se Gjykata Federale do të merrej seriozisht me këtë cështje, të gjithë fajet do t’i merrte kantoni i Vaudit, gjykata e të cilit ma bllokoi dhe sabotoi cështjen time deri duke tentuar që të më zhdukte dosjen.

I kam shkruar gjerësisht një letër prej më se 20 faqesh edhe Këshilltares Federale Znj. Calmy Rey por asnjë përgjigje apo reagim nuk kam marrë nga ana e saj. Po kështu ka ndërhyrë me një letër pranë Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë për problemin tim edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj. Këtë letër e kam dorëzuar unë së bashku me Këshilltarin e z. Hoxhaj. Asnjë përgjigje. Së fundi i kam shkruar për dramë që po përjetoj në shkurt të këtij viti edhe Ministrit të Jashtëm të Zvicrës. Përsëri heshtje.

Në rast se çështja ime do të vazhdojë të zvarritet atëherë unë do të dal publikisht së bashku me familjen në një grevë të pakthyeshme urie përpara një prej institucioneve kryesore të shtetit zviceran. Le të shërbejë vetësakrifikimi im me qëllim që kjo fatkeqësi që më ndodhi mua të mos u ndodhë emigrantëve të tjerë në Zvicër. Durimi im ka marrë fund dhe kjo që ju thashë do të ndodhë shumë shpejt nëse autoritetet përgjegjëse në këtë vend do të bëjnë të paditurin. Në një shtet demokratik është detyrë parësore mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së shtetasve të tij.

Në mbyllje a keni ndonjë mesazh për të dhënë?

I lutem publikisht Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë që ta ngrenë zërin më shumë për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në mërgim duke caktuar me ligj për këtë temë një hapësirë të caktuar në televizionet respektive shtetërore. Por në veçanti, lutja ime shkon për Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha që të më ndihmojë duke ushtruar autoritetin e tij shtetëror dhe politik për këto që po heq prej 10 vjetësh në Zvicër me qëllim që drejtësia të vihet në vend. Zëri i shtetit shqiptar ka më shumë peshë në arenën ndërkombëtare në krahasim me Kosovën sepse Shqipëria sapo mbushi 100-vjet shtetformim dhe është vend anëtar i NATO-s. Për më tepër që zoti Berisha është vetë mjek, e ka ushtruar këtë profesion human për shumë kohë dhe e di më mirë se çfarë do të thotë që të abuzohet në këtë mënyrë ndaj një pacienti si në rastin tim të faktuar. Familja ime, djali im 7-vjecar kanë plotësisht të drejtë që të jetojnë në paqe dhe në harmoni si dhe me dinjitet pas afro 10 vitesh frike, ankthi dhe pasigurie për të nesërmen.