Dr. Ibrahim Rugova, arkitekt i Pavarësisë së Kosovës
Nga Nehat Hyseni – Vendosja e shtatores së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, ditën e premte më 27 shtator në Sheshin përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës, që mbanë me krenari emrin e tij “Ibrahim Rugova”, paraqet aktin më sublim të nderimit të jetës dhe veprës së Tij madhore në vënien e themeleve të shtetësisë dhe Pavarësisë së Kosovës.
Si asnjëherë më parë, qendra e Prishtinës është rregulluar dhe e stolisur, shkëlqen me realizimin e mrekullueshëm dhe e bën edhe më dinjitoz dhe më krenarë vendosjen e saj, në afërsi të shtatores së Skënderbeut.
Këta dy burra të mëdhenj të kombit shqiptar, Skënderbeu në mesjetën e errët shndriti me shpatën e tij vezulluese për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve, Ballkanit dhe Evropës së atëhershme dhe Dr. Ibrahim Rugova që solli intelektualizmin politik në skenën e përgjakur dhe të shumëvuajtur ballkanase, duke rrezatuar plot vendosmëri dhe “gandizëm” politik të paluhatshëm, deri në fitoren definitive të Pavarësisë.
Si sot më kujtohet dita 4 marsit 1992, kur unë kisha fatin të raportoja në Këshillin e Partive Politike Shqiptare mbi referendumin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkëngjitje Kosovës” me sa vendosmëri, entuziazëm dhe inkurajim na mbështeti, me cilësi të një burrështeti të rangut më të lartë botëror, i ndihmuar nga “krahu i tij i djathtë”, Prof. Dr. Fehmi Agani.
Ibrahim Rugova, ky burrë i madh i Shqiptarisë, me veprimin e Tij stoik dhe të papërkulshëm ndaj të gjitha sfidave dhe stuhive të tërbuara nacional-shoviniste serbomëdha të prira nga diktatori dhe kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, me tërë makinerinë marramendëse luftarake, u detyruan të gjunjëzohen dhe të pësojnë disfatën më të madhe në historinë serbe.
Urtësia, intelektualizmi brilant, maturia dhe mbi të gjitha vendosmëria madhështore, ishin arma që mobilizoi diplomacinë evropiane e botërore, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë në lëvizje Aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-n, me makinerinë gjigante ushtarake të tyre, deri në fitoren definitive dhe lirisë së Kosovës. Ibrahim Rugova me urtësinë e tij i kontribuoi si askush më parë ndryshimit të bindjes dhe imazhit të botës demokratike për shqiptarët, meqë propaganda antishqiptare serbe kishte arritur të krijojë një pasqyrë të shtrembëruar për shqiptarët e ish Jugosllavisë, si “primitivë” dhe si fanatikë myslimanë, të cilët, sipas tyre, nuk e meritojnë lirinë dhe duhen shtypur.
Akti i vendosjes së shtatores së Ibrahim Rugovës ka ngjallur emocione të mëdha pozitive te shqiptarët kudo që janë, për këtë figurë të madhe dhe kolos të kombit, filozofia politike e të cilit është shndërruar në vizion politik gjithëkombëtar, “Rugovizmi”, i cili për çdo ditë e më tepër po paraqet frymëzim për skenën politike të shqiptarëve në Ballkan, si dhe për skenën politike kosovare.
Nderimi i figurës së Ibrahim Rugovës paraqet në këtë mënyrë madhështore 7,5 vjet pas vdekjes së parakohshme të tij në këtë shesh madhështor, që do ta shndërrojë Prishtinën në qendër metropolitane me të cilën do të mburreshin shumica e metropoleve botërore, paraqet mënyrën më të mirë për ta falënderuar dhe madhëruar këtë figurë kolosale kombëtare, i cili paraqet frymëzim dhe udhërrëfim për të gjithë ne, drejt ardhmërisë sonë më të lumtur në gjirin e familjes së madhe të demokracisë evropiane e botërore.


