RCCOLA

Dosja e shefave: Grabovci e quan Flora Brovinën “Idiot”

/ 5 minuta lexim

Në serinë e XXIV-të të Dosjes së Shefave, Insajderi sjell katër biseda telefonike të Adem Grabovcit me Bekim Haxhiun, Safete Hadergjonajn, Fadil Fazliun, e Xhevat Bislimin. Pos sharjeve që ia bëjnë me nënë Flora Brovinës, protagonistët fyejnë me epitete raciste deputetët e pakicave. Fadil Fazliu, një anëtar i Lartë i Lëvizjes për Bashkim, intervenon tek Adem Grabovci që profesori Arsim Bajrami, t’ia jep një notë kaluese djalit të tij, në Fakultetin Juridik.

Humanisten të cilën dikur PDK-ja e kishte kandiduar për presidente të Kosovës, Adem Grabovci e quan “idiot”.

Epitetin e të padijshmes, Grabovci ia jep deputetes Flora Brovina për shkak të pjesëmarrjes së saj në një debat televiziv në emisionin, “Jeta në Kosovë”.

Brovina ishte e ftuar për të debatuar për Ligjin për veteranët e luftës së bashku me Xhavit Jasharin, Xhevdet Qeriqin dhe një zyrtar të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Për këtë debat, Grabovcin e informonte kolegu i tij i partisë, deputeti, Bekim Haxhiu.

Në serinë e XXIV-të të Dosjes së Shefave, Insajderi sjell katër biseda telefonike të Adem Grabovcit me Bekim Haxhiun, Safete Hadergjonajn, Fadil Fazliun, e Xhevat Bislimin.

Pos sharjeve që ia bëjnë me nënë Flora Brovinës, protagonistët fyejnë me epitete raciste deputetët e pakicave. Romët, ashkalitë e egjiptasit, deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj i quan “gabel” e “magjupë”, ndërsa serbët i quan “shkije”.

Ndërkohë, Fadil Fazliu, një anëtar i Lartë i Lëvizjes për Bashkim, i cili ka një pozitë të lartë në KEK, intervenon tek Adem Grabovci që profesori Arsim Bajrami, t’ia jep djali të tij një notë kaluese në Fakultetin Juridik në mënyrë që ta zë kushtin për ndjekjen e ligjëratave të vitit pasues.

Në bisedën e parë, Grabovci flet me kolegun e tij partiak, deputetin Haxhiu.

“Ish kanë Jeta n’Kosovë, ajo farë Flora Brovina, s’guxojke me ju përgjigj atynev. Shkoi u kuq, u sarrakuq aty”, i tregon Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, Grabovcit.

“Ku, ku… ja kom …i nanën, ku ka shku ai idioti”, nervozohet Grabovci. Kamishi i thotë se Brovina nuk guxonte t’u përgjigjej, përfaqësuesve të veteranëve, Xhevdet Qeriqit e Xhavit Jasharit.

“Jo more, ja … nanën. Ajo u shku e ka bo bërbllog atje n’komision, tash u munojke me mbrojt aty gabimet e veta. Aty u tut prej Xhavitit a s’guxoi me fol prej Xhavitit, as Qeriqit”, shton Kamishi.

Grabovci, e pyet kolegun se çfarë thoshin Qeriqi e Jashari.

“S’ke ba kurfarë ligji, katastrofë, qisi farë sene. Jo e kom ligjin e dobët veç e përmisojna. Qisi farë senesh. Pa lidhje. Bile ma mirë ai djali, ai Rraci ai i.. ministrisë. Bile ai ma nom, ma nivel ke ai”, vlerëson debatin, Bekim Haxhiu për t’i quajtur demagogë përfaqësuesit e shoqatave të luftës.

Grabovci, thotë se po të kishte qenë ai në debat, do ta kishte mundur Xhavit Jashari. Shton se ai është dashur të marrë pjesë në këtë debat.

UBT

Ndërkaq në bisedën tjetër, Grabovci flet me Safete Hadergjonajn, deputete e PDK-së.

“E ke pa? Na jemi njerëz që përfaqësojmë krejt Kosovën… Me hashkali, e me…”, i thotë Grabovci, Hadergjonajt.

Ajo nis tregimin për takimin e fundit në Komisionit Parlamentar për Financa.

“Kuku, shuj, mos m’i kujto! N’takim t’fundit, ti je kon për financa… Unë, Naiti, Lumnia edhe ni mjekrosh. Kërkush tjetër me neve”, thotë Hadergjonaj.

“E Naiti, paradite ke i mrekullushëm aty, kur foli për drejtësi. I thash je kryesues i grupit a? Thash çka po dike ti m’u bo politikan. Thash po na kishe neve, pse me marrë mashën me djeg dorën ti. Masdite boni hajgare edhe tash i thash qyre, ken krejt, gabel, e magjup, e shkije. Thash kur Ademi e kishte kënaqësinë e përfaqësimit, thash ishte ai kur na iki kjo kënaqësi e të përfaqësuarit. Thash na ikën, gabel, e magjup, e turq, e boshnjak, s’ken mo. Thash ta la ty…, e qa kemi bo tu kesh”, tregon duke qeshur deputetja, Hadergjonaj.

Ndërkohë, Fadil Fazjiu i njohur me nofkën “Zjermi”, kishte një hall tjetër. I duhej ndihma e Grabovcit për të ndikuar tek Arsim Bajrami që djalit të tij student, t’ia falë një notë kaluese.

“Me t’u lutë për…, e, me Arsim Bajramin qysh i ki raportet, qysh i ki raportet me Arsim Bajramin”, e pyet Fajziu, Grabovcin.

“Mirë”, i thotë shefi.

“Djali, e ka ni provim aty, e s’ka mujt me… me tha tash e ka kushtin, me kanë që e jep…”, sqaron Fazliu.

“Hajde, hajde…, nesër, n’daq të pimë kaj kafe…”, e fton Grabovci duke mos dashur të flasin më shumë në telefon për këtë çështje.

Grabovci, shihej se kishte raporte të mira me kolegun e dikurshëm partiak, Xhevat Bislimin. Bislimi, në kohën e përgjimeve ishte deputet i PDK-së. Ai ishte larguar nga kjo parti për t’ju bashkuar Nismës për Kosovën, të udhëhequr nga Fatmir Limaj.

Por, pak javë më parë braktisi edhe këtë subjekt dhe iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje.

Biseda mes tyre nis në gjuhën serbe.

Grabovci i thotë Bislimit që në seancën e radhës të marrë pjesë për shkak se do të votohej Ligji për Prizrenin. Bislimi, që tash ka ndryshuar krejtësisht qëndrime lidhur me funksionimin e shtetit dhe ndarjen e pushtetit me pakicën serbe, kishte marrë pjesë në seancë duke votuar pro këtij ligji të kontestueshëm asokohe.