Hidromorava

Dosja e Arben Zylyftarit, ja si u vra drejtori i Policisë

/ 14 minuta lexim
FITORJA

Tiranë – Nëse do të hetohej plotësisht vrasja e Drejtorit të Policisë, Arben Zylyftari, nuk do të kishte vijuar armiqësia dhe gjakmarrja mes ish oficerit të policisë, Pjetrushi dhe familjes Tafili nga Shkodra. Shekulli shkruan se Prokuroria nuk ka arritur të thellohet tek ngjarja e 2 gushtit të vitit 2000, duke lënë pas mistere dhe detaje të pazbardhura. Kjo bëhet e qartë pas shkëmbimit të replikave mes të gjitha palëve të pasqyruara edhe nga gazeta “Shekulli”. Redaksia ka siguruar dosja me hetimet e ngjarjes ku u vra kolonel Zylyftari dhe shtetasi Bahri Tafili.

Për këtë ngjarje të rëndë vuan dënimin Genc Tafili, që atëherë ishte 22 vjeç. Ai është dënuar me 25 vite burg për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, por ka kërkuar vazhdimisht rigjykimin e çështjes.

Sipas konkluzioneve të prokurorisë bëhet me dije se, Zylyftari humbi jetën nga një plumb rikoshet, që kishte dalë nga një armë automatike, por nga ekspertimi i gjurmëve të gishtave mbi armë ka rezultuar se ato nuk i përkasin të pandehurit Genci Tafili. Sipas ekspertimit, shenja përkon me gishtin e unazës së dorës së djathë të babait të tij, Bahri Tafili.

Gazeta “Shekulli” sjell të plotë ngjarjen e rindërtuar nga prokuroria dhe dëshminë e dhënë nga ish komandantin e grupeve të gatshme të policisë, Prel Pjetrushi, për ngjarjen, ku edhe vetë hetimi evidenton mospërputhje ose pjesë të pashpjeguara të mekanizimit të ngjarjes. Pas vrasjes së Bahri Tafilit dhe dënimit të të birit, Genc Tafilit, në një hakmarrje të përgjakshme u plagos Prel Pjetrushi dhe më vonë iu vranë dy vëllezërit e tij. Që të tri aktet kanë autor Admir Tafilin, ku duhet nënvizuar se, njëri nga vëllezërit e Pjetrushit ka qenë vetëm 16 vjeç.

Konkluzionet e prokurorisë

“Me datë 2 gusht 2000, rreth orës 14.30 forcat e policisë së Shkodrës nën drejtimin e shefit të policisë kriminale, dëshmitarit Astrit Veshaj, me katër grupe të gatshme, së bashku me komandantin e grupeve të gatshme, dëshmitarin Prel Pjetrushi, janë nisur në drejtim të lagjes “Ahmet Haxhia”, janë futur në rrugën me drejtim Udhakryq-Livadhe për patrullim me objekt kryesor për verifikim të parkingjeve, nëse ka ose jo automjete te vjedhura, pasi mbi bazën e informacioneve mjetet e vjedhura mund të ishin strehuar në këtë lagje, pasi njihej nga policia si zonë me probleme të tilla. Kur mjetet e policisë kanë hyrë në rrugicën që të çon tek shtëpia e të pandehurit Genc Tafili, kanë vënë re një burrë të moshuar që është larguar me vrap, se ka parë makinat e policisë. Një nga agjentët e policisë kriminale, i paidentifikuar nga hetimi, ka thënë: Ky personi që u largua me vrap është në kërkim për vrasje. Janë thirrur forcat dhe policia ka qëndruar para shtëpisë ku kishte hyrë personi që iku.

Dëshmitari Prel Pjetrushi i ka thënë shefit të krimeve se personi i larguar me vrap është i kërkuar për vrasje. U vendos të hyhej dhe policia ka hyrë nga muret rrethuese brenda shtëpisë. Policia ka vënë re se personi i larguar dhe një person i ri, rreth moshës 25 vjeç, morën diçka në dyshemenë e korridorit që dukeshin si armë kallashnikov dhe hynë në një dhomë që dukej përballë me një derë dhe u ngjitën lart në tarracën e shtëpisë. Tek dera ka dalë një grua me dy nuse dhe ka thënë se nuk ka njeri tjetër në shtëpi dhe se dy persona kundrejt pagesës e ruanin shtëpinë për shkak jemi në gjak, ndërkohë që burri ndodhej në Greqi te vajza.

Hyrja në shtëpi

Në fundin e korridorit ishit një banjo e ndarë në dy pjesë, ku njëra ishte me dalje në tarracë me shkallë hekuri. I është thënë njërit prej policëve që të ngjitej në tarracë dhe polici sapo ka hipur lart dhe ka çuar me dorë kapakun e tarracës, dikush nga lart ka hapur zjarr me breshëri, duke thënë mos hipni lart se do t’ju vras. Në këto rrethana duke parë që situata u rëndua dhe policia nuk duhej të tërhiqej, shefi i krimeve ka urdhëruar që shtëpia të mbahej në rrethim duke qëndruar vetë në banesë dhe gjithashtu ka komunikuar në radio me drejtorin Arben Zylyftarin duke i kërkuar të sillte forcat speciale. Dy personat e armatosur kanë kaluar nëpër tarracat e shtëpive dhe janë vendosur në një kasolle kali, pronë e dëshmitarit Sherif Leka. Duhet theksuar se gjatë gjithë kësaj kohe të lëvizjes nuk ka patur asnjë shkëmbim zjarri. Bahri Tafili dhe i pandehuri Genc, janë pozicionuar me armë në penxheren e kasolles së kalit me mendimin për t’i shpëtuar rrethimit të policisë. Gjatë veprimeve të dy të armatosurve, pjesëtarët e tjerë të familjes kanë qenë të grumbulluar në një dhomë në shtëpi nën mbikëqyrjen e policisë.

ARKATANA

Prokuroria: Ja skena ku u vra Arben Zylyftari

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur drejtori Arben Zylyftari. Drejtori ka zbritur nga makina bashkë me shoferin dhe shoqëruesin e tij, në një largësi prej 100 metrash, duke kontrolluar rrethimin e policisë. Sipër tarracës së kasolles së kalit kishin hipur me zvarritje disa policë të armatosur dhe të maskuar. Në deklarimet e të pandehurit është thënë se bashkë me të atin kishin kuptuar se sipër tarracës kishte njerëz. Në një kohë me Zylyftarin ka shkuar në vendin e ngjarjes edhe shefi i rendit, dëshmitari Adriatik Alimadhi. Me drejtorin në vendngjarje është takuar edhe shefi i FNSH-së Gjelosh Gjana. Policia iu ka bërë thirrje të rrethuarve të dorëzoheshin, por nuk është marrë asnjë përgjigje prej tyre. Ndërkohë drejtori me shoferin dhe shoqëruesin e tij kanë lëvizur në këmbë për nga perëndimi dhe kanë dalë në pikën më të lartë nga ana perëndimore, rreth 20 metër larg kasolles së kalit. Që nga kjo pikë janë vënë re policë me maska të shtrirë barkas mbi tarracën e kasolles së kalit në pozicion luftimi. Në atë kohë Zylyftari ka komunikuar në celular me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe pikërisht në atë moment u dëgjua një e shtënë e vetme arme dhe të gjithë forcat e policisë kanë rënë në pozicion barkas. Në atë moment dëshmitari Ernest Paluku, që ka qenë në krah të majtë të drejtorit, ka dëgjuar Aben Zylyftarin që tha: Oh, Nest, më vranë. Kur ka rënë në tokë, drejtori ka hequr celularin dhe i ka thënë Ernestit që të lidhej me Ministrinë e Brendshme, për të nisur urgjentisht një helikopter për t`i dhënë ndihmën e shpejtë. Duke qenë në pozicion barkas dhe duke u përpjekur për t’i dhënë ndihmën drejtorit, është qëlluar me breshëri automatiku nga dritarja e kasolles së kalit në drejtim të policëve që ishte në afërsi të drejtorit. Në këto rrethana është vënë re vendi nga qëllonin të rrethuarit. Punonjësit e policisë nuk kishin mundësi të qëllonin pasi mbi kasolle ishin forcat e policisë, që iu bënin thirrje të dyshuarve të dilnin nga kasollja. Ndërkohë që Ernest Paluku dhe Gjelosh Gjanaj, po përpiqeshin të fusnin të plagosurin në mikrobus është hapur zjarr nga kasollja mbi mjet duke e nxjerrë jashtë përdorimit. Është afruar mikrobusi i dytë dhe si rezultat i mbulimit me zjarr nga policët e tjerë, është arritur të futet trupi i drejtorit nga dera e prapme në mjet, pasi dera e pasagjerit ka qenë përballë dritares së kasolles nga ku hapej zjarr. Koha, nga momenti i plagosjes deri në momentin e largimit të mikrobusit, ka qenë 7-9 minuta. Në spital, në sallën e operacionit, drejtori i policisë ka vdekur.

Dosja: Bahri Tafili u vra me armë në dorë

Një nga momentet më të diskutueshme është edhe vrasja e Bahri Tafilit, personit që askush nuk dëshmon që ka dijeni për mëbyrën e vrasjes së tij. Sipas prokurorisë, Bahriu ka lënë të birin në kasolle dhe ka dalë përjashta duke qëlluar me breshëri ndaj policisë dhe rreth 8 metër nga dera është vrarë. “Pas transportimit të drejtorit për në spital, FNSH-ja ka rimarrë veten duke marrë pozicione luftimi dhe pas 2-3 minutash, Bahri Tafili, ka dalë me armë në dorë nga kasollja duke bërë hapa përpara dhe duke qëlluar në drejtim të policisë, për të çarë rrethimin dhe disa metra larg kasolles si kundërpërgjigje nga policia ka mbetur i vrarë. Kurse i pandehuri Genc Tafili, pas pak ka kërkuar që të dorëzohej. I është kërkuar nga policia që të hidhte armën nga dritarja dhe i pandehuri Genc, pasi hodhi armën ka dalë me duart lart duke iu afruar policisë. Më pas është shoqëruar në komisariatin e policisë Shkodër”.

“Babai hodhi armën dhe doli me duart lart”

I pandehuri Genc Tafili që në deklarimet e para në hetim dhe në vazhdimësi ka shpjeguar se: “Ndërkohë që kemi qenë brenda në kasollen e kalit, babait iu bllokua automatiku dhe më dha mua automatikun e tij dhe më tha futi karikatorin tjetër dhe mori automatikun tim. Atëherë unë mbusha automatikun e tij me një karikator dyshe. Baba përsëri qëlloi me automatikun që më mori mua dhe aty u plagos lehtë në kokë, se e pashë të larë në gjak. Baba tha: Ruaju se më duket se kam plagosur një polic”. Deklarimet e të pandehurit që thotë se: “Babai hodhi automatikun nga penxherja dhe u dorëzua me duart lart dhe u vra nga policia, kurse unë kam lënë automatikun në kasolle dhe kam dalë me duart lart për tu dorëzuar, kundërshtohen nga deklarimet e dëshmitarëve okularë në vendngjarje dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes.

“Pas vrasjes së Zylyftarit, drejtova operacionin”

Prel Pjetrushi në prokurori ka deklaruar se, “I thashë Pjetër Çunit që të ngjitej në tarracë dhe sapo hipi lart në shkallë dhe çoi me dorë kapakun një person hapi zjarr me breshëri nga tarraca dhe tha: “mos hypni lart se do t`ju vras”. Me radio mora vesh se sipër tarracës ishte një djalë i ri që hapi zjarr te kapanxha. Këta mi tha në radio agjenti Kujtim Çardaku, bashkë me shoferin e shefit të krimeve Paulin Koçi të cilët kishin parë nga jashtë personin duke qëlluar me armë. Pyeta të zonjën e shtëpisë se kush hapi zjarr në tarracë dhe ajo më tha se janë dy roje që na ruajnë banesën pasi jemi në gjak dhe mos hyni në banesë së do t`ju vrasin. Duke u nisur nga situata e rënduar vendosëm që të kërkonin forca të tjera dhe unë i thashë shefit të krimeve që të kërkonte forcat e F.N.Sh. Gjatë kësaj kohe që po përgatiteshin forcat për të ardhur ka ndërhyrë Drejtori i Policisë, Arben Zylyftari, me radio, më ka marrë mua dhe shefin e krimeve duke na porositur që të kujdeseshim për forcat pasi do të vinte edhe ai atje. Gjatë kësaj kohe para se të vinin forcat, personi që ishte ne tarracë me xhup me vija zbriti nga tarraca. Këtë e mësova me radio nga rrethimi që ishte përjashta, nga Kujtim Çardaku. Pasi zbriti nga tarraca nuk u pa më nga forcat e policisë personi, ai djali i ri pasi ishte terreni i mbuluar me pemë dhe shtëpitë ishin ngjitur afër me njëra-tjetrën. Pjesëtarët e familjes ishin grumbulluar në një dhomë nën mbikëqyrjen e policisë. Unë mora atë gruan për të parë bodrumin dhe ajo nuk pranoi. Në këtë kohë kam dalë nga banesa dhe jam sjellë rreth e rreth rrethimit duke pozicionuar forcat në rrethim në mënyrë që personat kriminelë të mos depërtonin jashtë rrethimit dhe jam futur përsëri në banesë. Në këtë kohë ka ardhur edhe Drejtori i Policisë, Arbeni bashkë me forcat e FNSH-së, shefin e rendit Adriatikun dhe shefin e shtabit të Ndërhyrjes së Shpejtë, Gjelosh Gjanaj dhe dëgjova në radio se edhe drejtori kishte dhënë porosi që të poziciononin forcat e FNSH-së. Në këtë moment unë nuk e kam takuar fare drejtorin pasi isha në banesë me disa forca të tjera e shefin e krimeve duke mbajtur në mbikëqyrje bodrumin dhe pjesëtarët e familjes. Mbas 5 minutash dëgjuam një krismë teke me armë zjarri që u pasua me shumë krisma armësh të tjera me breshëri nga të dyja palët. Kam dëgjuar në radio se është plagosur Drejtori i Policisë që ishte i shtrirë përtokë. I kam thënë një shoferi të një mjeti të FNSH-së që të afrohej e të merrte të plagosurin, në këtë moment shkëmbimi i zjarrit ka vazhduar dhe është dëmtuar mikrobusi i policisë, thyer xhamat dhe këputur kablli i baterisë së tij. Ka ardhur një mjet tjetër edhe unë bashkë më një polic në makinë kam mbuluar me zjarr me qëllim sigurimin e forcave të tjera gjatë dhënies së ndihmës drejtorit. Sqaroj se në momentin që kam mbuluar me zjarr kam qenë në distancë rreth 10 metra larg dritares së stallës ku qëllohej me automatik me breshëri nga autori i krimit. Sqaroj se në këtë moment ishin dy policë në tarracën e stallës me maskë që i kisha vendosur unë më parë. Pasi është marrë drejtori me makinë edhe është dërguar në spital dhe pas këtij momenti kam qenë unë drejtues i operacionit pasi shefi i krimeve vazhdonte të qëndronte në banesën e autorit të krimit. Pasi u largua drejtori, spostova forcat mbrapa. Rreth 20 metra larg stallës nga ku u qëllua drejtori zura pozicion luftimi, kërkova forcat e FNSH-së që ishin të shpërndara pas tulatjes prej ngjarjes që ndodhi dhe i vura në pozicion luftimi rreth kasolles ku ishte autori i krimit dhe dhashë urdhër që të mos vepronin me armë pa komandë në mënyrë që të mos dëmtoheshin forcat nga shkëmbimi i zjarrit. Mas një qetësi dy tre minutëshe Bahri Tafili doli me armë në dorë duke qëlluar në drejtim të policisë për të çarë rrethimin dhe policia iu kundërpërgjigj me zjarr. Rreth 5 m larg kasolles mbeti i vrarë, kurse personi tjetër kërkonte që të dorëzohej. Nga të gjitha forcat, më i afërt me stallën, nja 12 metra përballë derës së saj isha unë dhe i kërkova personit që të hidhte armën nga dritarja, ku aty kishte mbetur edhe një kalë i vrarë. Hodhi armën dhe doli nga stalla me duart lart. Këtij i vumë prangat dhe e shoqëruam për në komisariatin e policisë. Pas kësaj menjëherë u thirr grupi hetimor për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Sqaroj se kufoma e autorit të krimit ka patur të veshur xhupin që ia ka dhënë i biri, ky i fundit e ka pasur të veshur në tarracën e banesës së vet në momentin e largimit për në kasolle”.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.