UBT

Dorëzohen kopjet e librave amzë të Gjilanit

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Përfaqësuesit e EULEX-it ia dorëzuan Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës kopjet e vërtetuara të 935 librave amzë nga Serbia.

Është dorëzuar dosja e plotë për Komunën e Gjilanit, e cila përbëhet prej kopjeve të vërtetuara të librave amzë origjinale civile dhe fetare me të dhëna për lindjet, martesat dhe vdekjet thuhet në njoftimin e EULEX-it dërguar medieve.

Këto kopje janë përgatitur dhe vërtetuar gjatë muajit të kaluar, si pjesë e një projekti me bazë në Nish, në të cilin përfshihen EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, Këshilli Danez për Refugjatë si partner për zbatim, si edhe ekipet nga Kosova dhe nga Serbia.

UBT

Vlerësohet se në Serbi ndodhen gjithsej rreth 12,036 libra amzë. Procesi i vërtetimit të kopjeve të librave amzë origjinale është pjesë e marrëveshjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja e arritur më 2 korrik 2011 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ky projekt është faza e parë e themelimit të një regjistri civil plotësisht të besueshëm dhe të qëndrueshëm në Kosovë, siç parashihet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Deri më tani EULEX-i i ka dorëzuar mbi 4770 kopje të vërtetuara të librave të regjistrit civil, që i mbulojnë komunat e Prishtinës (1013), Lipjanit (848), Obiliqit (264), Fushë Kosovës (219), Gllogocit (425), Podujevës (1066) dhe Gjilanit (935)./rajonipress/